Ilustrimi: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

'Mëdyshja e madhe', Asociacioni parakusht apo kërkesë joformale për vendin e 47-të në Këshillin e Europës?

Kosovës i kanë mbetur më pak se një muaj deri te votat e minstrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës (KiE), të cilat përcaktojnë nëse vendi më i ri i kontinentit do të bëhet shteti i 47-të i organizatës për të drejtat e njeriut. Pritjet janë të ndryshme meqë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është në pyetje se: A është parakusht ose një kërkesë jorfomale e Perëndimit?

Themelimi i Asociacioni do të ishte “një hap i rëndësishëm” për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës, tha raportuesja Dora Bakoyannis gjatë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës më 16.04.2024, dhe “duhet të përfshihet në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës, si një angazhim pas anëtarësimit”.

Kështu shkruan edhe në nenin 11 të opinionit të raportueses Bakoyannis.

Por, zërat tjerë vazhdojnë të jehojnë në të kundërtën e asaj çfarë shkruan në raportin e miratuar nga 131 delegatë të Këshillit të Europës, duke e kërkuar tërthorazi Asociacionin si parakusht për anëtarësim, ani pse nuk shkruan në letër.

Së fundmi, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se “në kontekstin e rrugës së Kosovës për anëtarësim në KiE, Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit”.

Prej të njëjtës bisedë kryeministri, Albin Kurti ka nxjerrë një përfundim tjetër. Pas bisedës telefonike me Macron, ai shprehu besimin e tij se Franca do të vazhdojë ta “mbështesë anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Europës, pa parakushte shtesë, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Europës dhe votën historike të 16 prillit (2024)”.

Përndryshe, pa e përmendur fjalë për fjalë termin Asociacion, Kurti gjatë qëndrimit në Gjermani më 26.04.2024, tha se “ne gjithashtu do t’i zgjidhim çështjet e pazgjidhura me të cilat ballafaqohen pakicat tona, të drejtat dhe nevojat e tyre, duke përfshirë minoritetin serb të Kosovës, si prioritet”.

Vetë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në mars 2024 i dërguan një letër raportueses Bakoyannis, duke u zotuar se do të respektojnë të gjitha dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asoaciacionit.

Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com nëse ka në tavolinë mundësinë që të dërgojë draft-statutin në Gjykatë Kushtetuese para hapit të fundit drejt KiE-së. Kërkesa e faktorit ndërkombëtar që Kosova të themelojë Asociacionin është ripërsëritur disa herë nga vendet e QUINT-it.

E në Kosovë javën e fundit edhe Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë, mbajti qëndrimin e tij duke thënë se Kosova duhet të bëjë hapa të prekshëm, që nënkuptojnë “dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim”, në mënyrë që t’i bindë qeveritë që janë me dy mendje, që të votojnë për anëtarësimin e Kosovës.

Krejt ndryshe shprehen zyrtarët në Kosovë, duke mos e quajtur Asociacionin në asnjë çast parakusht.

Kreshnik Ahmeti, zëvendësministër i jashtëm i Kosovës, njëherësh edhe udhëheqës i Grupit Ndërinstitucional për anëtarësim në Këshillin e Europës, deklaroi se çështja e Asociacionit është zotim që duhet të adresohet pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.

Asociacioni, ky “kushtëzim joformal” për Kosovën

Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit të Politikave të Demokratizimit (DPC) me bazë në Berlin, thotë që duket qartë se kryeqytetet më të rëndësishme të BE-së/perëndimit e kushtëzojnë joformalisht mbështetjen për ofertën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës me përparimin në marrëveshjen Bazë të Ohrit, përkatësisht në themelimin e Asociacionit.

Në analizën e tij, një gjë e tillë është plotësisht në përputhje me praktikat e kaluara, do të thotë shtytjet e kaluara të Prishtinës për anëtarësimin në Këshillin e Europës, “të cilat nuk patën mbështetjen (me gjithë zemër) nga aleatët e Kosovës, dhe kështu dështuan”.

Weber thotë se ndryshe nga vëzhguesit e tjerë dhe shumë akterë në Kosovë, nuk është aspak i befasuar me këtë zhvillim. Sipas tij, publiku në Kosovë është paksa i mashtruar në lidhje me ofertën për anëtarësim në Këshillin e Europës, pra, sipas tij, perceptimi deri vonë i fokusuar plotësisht në procesin formal të aplikimit. 

Ai thotë se mbështetja e Perëndimit për dëshirën e Kosovës për t’u bërë anëtare e KiE-së ka qenë gjithmonë e lidhur ngushtë me fatin, dinamikën e dialogut politik. 

Si rrjedhojë, Weber thotë se këto janë kushtet formale të aplikimit për anëtarësim, dhe më pas janë kushtet politike, që do të vendosin hapin përfundimtar, të fundit – vendimin e Komitetit të Ministrave. 

Weber shton se një kërkesë e tillë, themelimi i Asociacionit, do kishte qenë domethënëse, veçanërisht në vitet e para të dialogut, kur ekzistonte një dinamikë progresive, por jo edhe tani kur nisma si e quan ai “e pahijshme gjermano-franceze” ka çuar në prishjen totale të dialogut, pikën më të ulët të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, përshkallëzimin e thellë në veri të Kosovës, dështimin e plotë të politikës së Perëndimit ndaj Serbisë.

“Regjimi i Vuçiqit dhe prishja e marrëdhënieve mes qeverisë Kurti dhe mbështetësve perëndimorë të Kosovës, kjo sagë e aplikimit të KiE është fatkeqësisht pjesë e rrëmujës së përgjithshme”- shtoi ai.

Ideja që Asociacioni të futet si parakusht për anëtarësim në KiE ‘nuk piu ujë’ në ditën kur u vendos që Kosova të kalojë hapin e dytë drejt anëtarësimit.

Kjo pasi që po atë ditë në Strasburg, prej ku raportoi KALLXO.com, të gjitha amandamentet në të cilat parashihej themelimi i Asociacionit u rrëzuan nga delegatët e shteteve anëtare në KiE. Asnjë nga amandamentet e propozuara nga Serbia në të cilat Kosova paraqitej si territor i Serbisë dhe shihej si parakusht formimi i Asociacionit nuk u miratua. Këto amandamente nuk u miratuan fillimisht as nga Komiteti për Politikë e as në Asamblenë Parlamentare, pavarësisht që këmbëngulja e delegatëve të Serbisë ishte e madhe.

Në njërin amendament të Serbisë, shkruan që Asambleja Parlamentare të shqyrtojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që të jetë parakusht për vazhdimin e procesi i shqyrtimit të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Edhe në një amandament të propozuar nga grupi i deputetëve të Italisë shkruan që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të shfaqet dukshëm në shqyrtimin në Komitetit të Ministrave.

Për më tepër, opinioni i Bakoyannis që u miratua në dy faza kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2012 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe rreth Kosovës. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state- anglisht), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country – anglisht), sipas nenit 5.

Kosova ka aplikuar më 12.05.2022, për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.

Ndërkaq, çështja e Asociacionit që një kohë të gjatë po qëndron pa asnjë zgjidhje. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.

Të dy vendet arritën një marrëveshje tjetër bazë në shkurt 2023 në Bruksel, ndërkaq më 18.03.2023 në Ohër u pajtuan për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje e cila po ashtu parasheh themelimin e Asociacionit.

Marrëveshja, mes tjerash, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore, si dhe respektim reciprok të sovranitetit dhe tërësisë territoriale. Ajo kërkon po ashtu nga palët që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Bashkimi Europian ka paralajmëruar se do të shtojë trysninë mbi të dyja vendet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.