Dogana grumbullon 18 për qind më shumë të hyra se një vit më herët

Dogana e Kosovës ka njoftuar se më 25.04.2024 mbledhja e të hyrave ka tejkaluar vlerën e 500 milionë euro.

Sipas Doganës në krahasim me vitin e kaluar ka rritje prej 78 milionë euro.

“Këto të hyra janë mbledhur edhe pse efekti në lirimet e taksave sipas vendimeve të Qeverisë për importin për prodhuesit dhe thellimi i lirimeve nga marrëveshjet e tregtisë së lirë janë thelluar dukshëm. Në këtë periudhë janë liruar 79 milion euro taksa të kësaj kategorie apo 21 milion më shumë se viti paraprak”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Bazuar në vendimin e Qeverisë, siç thotë Dogana është “bërë progres i rëndësishëm në lehtësimin e tregtisë”, veçanërisht me funksionimin efikas të zhdoganimit në portin e Durrësit dhe terminaleve të operuara nga shteti.

Në njoftim thuhet se ky progres ka rezultuar në një kursim të konsiderueshëm të kostos prej 4.3 milionë euro gjatë periudhës tre mujore, ndërsa këtij trendi, Dogana parashikon që kursimi të përshkallëzohet duke arritur deri në 20 milionë euro deri në fund të vitit, “duke optimizuar më tej në proceset tregtare dhe duke përmirësuar rritjen ekonomike e njëkohësisht duke ndikuar në uljen e çmimit tek konsumatori”.

Dogana e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar për të nxitur një mjedis të favorshëm për eksportin, tregtinë dhe gjenerimin e të ardhurave.