Ilustrim: Unsplash.com/Taylor Flowe

Të premten, ora e parë e mësimit në Prishtinë do të jetë ligjëratë sensibilizuese kundër dhunës në baza gjinore

Në të gjitha shkollat e mesme të ulëta dhe gjimnazet e Prishtinës pritet që ora e parë e mësimit të së premtes, më 19.04.2024, të jetë orë sensibilizuese kundër dhunës në baza gjinore.

Ky është vendimi i Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, e cila udhëhiqet nga ushtruesja  e detyrës së drejtores në këtë Drejtori dhe nënkryetarja e kryeqytetit, Jehona Lushaku Sadriu.

Ashtu siç ka njoftuar Lushaku Sadriu në profilin e saj në Facebook, arsyeja e marrjes së vendimit të tillë është për shkak të situatës së fundit të krijuar si pasojë e numrit të vrasjeve ndaj grave në Kosovë.

Dy gra u vranë brenda pesë ditësh në Kosovë.

Gjyljeta Ukella u vra nga i dyshuari bashkëshorti i saj, në banesën e tyre në Pejë, mëngjesin e datës 16.04.2024.

Kjo ishte vrasja e dytë e një gruaje brenda pesë ditësh në Kosovë, pasi në Ferizaj u vra 21-vjeçarja, Erona Cokli nga i dyshuari ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu më 12.04.2024.

Në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani e shpalli ditë zie të mërkurën, më 17.04.2024.

“Kjo orë mësimore do t’i shërbejë sensibilizimit të nxënësve në frymën e respektimit të rolit të vajzave dhe grave në familje e shoqëri, si dhe për parandalimin dhe ndaljen e dhunës ndaj tyre. Ky vendim i Drejtorisë së Arsimit të Kryeqytetit vjen pas rasteve të fundit të vrasjeve të grave në vendin tonë” – thuhet në vendimin e Jehona Lushaku Sadriut.

KALLXO.com ka kontaktuar me Jehona Lushaku Sadriu për ta kuptuar se si do të mbahet kjo orë mësimore nga mësimdhënësit, bazuar në profilet e tyre të ndryshme.

Lushaku Sadriu ka konfirmuar se nuk ka një kurrikulë të miratuar mësimore e cila do të jetë sensibilizuese kundër dhunës në baza gjinore.

Drejtoresha thotë se pra sse të merrej ky vendim kanë mbajtur një mbledhje me drejtorët e shkollave dhe gjimnazeve në Prishtinë, në të cilën u ka shpjeguar idenë, qëllimin dhe disa udhëzime për mbajtjen e orës mësimore sensibilizuese kundër dhunës në baza gjinore.

Në mesin e udhëzimeve, Lushaku Sadriu u ka thënë drejtorëve të shkollave e gjimnazeve që mësimdhënësit të hulumtojnë dhe të përgatisin një prezantim që do të zgjasë 20 minuta, ku do të flitet për dhunën në baza gjinore dhe pas këtyre 20 minutave, do të ketë hapësirë për nxënësit që të bëjnë pyetje rreth temës.

“Zyrtarisht unë nuk iu kam çu një material (prezantues për temën), unë ia kam bo thirrje drejtorëve, iu kam thënë, i thirrni në mbledhje arsimtarët, edhe ju thoni që me bo hulumtime edhe m’u përgatit për ligjëratat e nesërme” – ka thënë Lushaku Sadriu për KALLXO.com.

Prej materialeve që do të përdorin mësimdhënësit në orën e parë të premten, më 19.04.2024, Lushaku-Sadriu ka thënë se ka parë që mësimdhënësit kanë ndarë mes vete materiale të organizatave joqeveritare që kanë mbajtur më parë në shkollat e tyre, për dhunën në shkolla dhe me baza gjinore.

“E kam pa që në mes drejtorëve edhe arsimtarëve janë shpërndarë disa që janë marrë p.sh. ka pas projekte në të kaluarën që kanë mbajtur ligjërata nëpër disa shkolla për dhunën në shkolla, dhunën ndaj vajzave dhe grave, me baza gjinore, d.m.th ato janë prezantime edhe të OJQ-ve që i kanë mbajtur nëpër shkolla” – ka shtuar Lushaku Sadriu.

Sipas saj, në përmbajtjen e këtyre materialeve të mësimdhënësve nxënësit do t’i kuptojnë pasojat nëse përdoret dhuna.

“Me ju dhanë mundësi edhe nxënësve me pyet edhe me kuptu pak ma mirë se çfarë roli duhet me pas prej familjes e deri në shkollë, m’i identifiku sjelljet që çojnë deri te dhuna edhe faktikisht nëse përdoret dhunë cilat janë konsekuencat, ligjet në fuqi, qysh merren vendimet” – ka theksuar ajo.

Porse, Lushaku-Sadriu ka thënë se nuk është kompetente që të përzihet në kurrikulën e mësimdhënësve.

“I kemi shpërnda faqet e organizatave joqeveritare që merren me projekte kundër dhunës. Unë kësaj here i kam lënë më të lirë se edhe nuk e kam kompetencë me u përzi në kurrikula, po për mu ka qenë shumë e rëndësishme që me u mbajt një ditë sensibilizuese me kapacitetet që i kemi” – ka thënë ajo.

Pasi të mbahet kjo orë mësimore, Lushaku-Sadriu ka njoftuar se do të bëjnë një debat se çka duhet të përmbajë kurrikula dhe si duhet të strukturohet një orë mësimore e tillë.

Po ashtu, ajo ka siguruar se në të ardhmen do të bashkëpunojë me OJQ për të shpërndarë broshura të cilat mund të rrisin vetëdijen e nxënësve rreth kësaj teme.

“Mundem me garantu që kanë me u prodhu broshura të ndryshëm, e unë këtu kam me bashkëpunu me organizata joqeveritare që kanë mundësi, projekte m’i prodhu ato edhe me iu leju që m’i shpërnda në shkolla për me ngritë vetëdijen, po kjo ka qenë masë e menjëherëshme si reagim ndaj vrasjeve të fundit që janë kanë” – ka deklaruar Lushaku-Sadriu.

Si përfundim, ajo tha se po synojnë që të krijojnë një material udhëzues, i cili do të ligjërohet nga të gjithë mësimdhënësit.