Tahiri (AAK): Qeveria ka frikë serioze nga hetimi i tenderëve njëburimor

Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se qeveria ka frikë nga hetimi i tenderëve njëburimor.

Shuma e këtyre tenderëve, sipas tij, arrinë në 209 milionë euro.

“Kjo qeveri ka kontraktuar 782 tenderë njëburimor të cilët pa asnjë dyshim janë burim i korrupsionit, i keqpërdorimit dhe mbi të gjitha i ngufatjes së konkurrencës në sektorin privat”- është shprehur Tahiri.

Ai ka akuzuar qeverinë se kontraktimin njëburimor e ka kthyer në “trend”.

“Kontraktimi njëburimor edhe pse në aspektin ligjor duhet të hyjë vetëm kur ka urgjencë, kjo qeveri e ka kthy në trend, në një modë kontraktimi. Pse ka frikë dhe hezitim kaq të madh në raport me themelimin e këtij komisioni, çka ka të keqe që secila ministri të raportojë e të dëshmojë para një komisioni hetimor për kontratat njëburimore? A është frika se ka evidencë të saktë të korrupsionit?”- u shpreh deputeti i AAK-së.

Këto qendrimi, Tahiri i shprehu në seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës: Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.