Trupi gjykues në seancën e shpalljes së aktgjykimit mbajtur me 24.04.2024 në Gjykatën e Prishtinës. Foto| Kallxo.com

Gjykata e Prishtinës merr vendim për zyrtarin e komunës së Obiliqit i akuzuar për keqpërdorim

Gjykata e Prishtinës e ka liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar Sherif Hotin, zyrtar përgjegjës i prokurimit në Komunën e Obiliqit.

“Sherif Hoti lirohet nga akuza pasi që nuk është vërtetuar se i njëjti e ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar“ – tha kryetari i trupit gjykues Alban Ajvazi.

Në shpalljen e datës 24.04.2024, u deklarua se Gjykata ka vlerësuar se në rastin në fjalë nuk janë vërtetuar dy elemente të veprës penale.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor provat të cilat janë administruar gjykata vlerësoj se nuk është përmbushur elementi i veprës penale Dashjes për të kryer veprën penale, gjithashtu edhe qëllimi kriminal, përfitimi për veten apo personin tjetër. Pasi që në aktakuzë si dhe në dëgjimet e përfaqësuesve të Komunës së Obiliqit të njëjtit kanë deklaruar se nuk janë palë e dëmtuar në këtë shqyrtim gjyqësor” – deklaroi gjyqtari Alban Ajvazi.

Në fund të shpalljes u bë e ditur se shpenzimet e procedurës do t’i bartë vetë gjykata.

Ky aktgjykim nuk është i formës së prerë, palët e pakënaqura do të kenë kohë 30 ditë për ta ankimuar të njëjtin në Gjykatën e Apelit.

Sherif Hoti ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat e prokurorisë.

“Në fillim të gjykimit është deklaruar i pafajshëm dhe më pastaj në shqyrtim gjyqësor ka vendosur të mbrohet në heshtje” – ka konfirmuar për KALLXO.com, avokati Arbër Jupolli.

Çka përmban aktakuza?

Sipas aktakuzës së ngritur me 30.03.2022 nga prokurorja Bukurije Gjonbalaj, Sherif Hoti akuzohet për veprën penale  – Keqpëdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar -.

Prokuroria pretendon se keqpërdorimin në fjalë Sherif Hoti e ka bërë në cilësinë e zyrtarit përgjegjës të Prokurimit në Komunën e Obliqit me qëllim të përfitimit.

Kjo sipas dosjes së prokurorisë është bërë me nënshkrimin e kontratës për asfaltimin e rrugëve në fshatin Dardhishtë dhe Mazgit të datës 24.05.2019, për shkak të përfshirjes së kompanisë “Delta Ing” SHPK e cila nuk kishte të drejtë të përfshihej në këtë kontratë komunale.

Kjo pasi që pasi që pronari i kësaj kompanie Emri Sopjani ka qenë i dënuar nga Gjykata e Prishtinës me datë 19.04.2018.

Dosja potencon se kontrata në fjalë ishte në vlerë të 447.833,03 Eurove.