Foto: KALLXO.com

Ambasadori gjerman Rohde: Tani vjen puna e rëndë për anëtarësim në Këshillin e Europës

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës pro anëtarësimit të Kosovës në Këshilin e Europës.

Ai ka thënë se tani vjen “puna e rëndë”, duke iu referuar hapit final për anëtarësimin e Kosovës në Këshill.

“Tani vjen puna e rëndë: për të siguruar shumicën e nevojshme prej 2/3 në Komitetin e Ministrave në maj, Kosova duhet të bëjë atë që duhet për të bindur me merita dhe veprim!” – ka thënë Rohde.

Me mbi 2/3 të votave, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi më 16.04.2024 raportin që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.

Votimi i sotëm i hap rrugën votimit përfundimtar nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.