Lëvizja Feministe Studentore e quan të papranueshëm vendimin e UP-së për profesorin Xhevat Krasniqi: Ikje nga përgjegjësia

Lëvizja Feministe Studentore ka reaguar pas vendimit të Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili ka pezulluar nga puna profesorin e rregullt të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë.

Anita Mjeku nga Lëvizja Feministe Studentore tha se gjysma e komunikatës së UP-së merret me vendimin në fjalë, ndërsa askund nuk u përmend ngacmimi seksual.

“Gjysma e komunikatës së UP-së merret me vendimin në fjalë, ku askund nuk u përmend ngacmimi seksual, i cili ishte vetë shkaku i procedurës së zhagitur të Këshillit. Gjysma e tjetër e saj mundohet të paraqes Këshillin e Etikës si viktimë e ndonjë presioni të padrejtë të ushtruar nga persona të ndryshëm brenda dhe jashtë UP-së duke i emëruar ato si sulme ndaj anëtarëve të Këshillit”- tha ajo.

Ndërsa tutje tha se me këtë vendim është shkelur neni 11, pika 7 e rregullores së UP-së për ngacmime seksuale.

“Duke e marrë vendimin për pezullim të punës jo në baza të akuzave brenda UP-së, por në përkatësitë e institucioneve të jashtme shtetërore, Këshilli i Etikës e hoqi përfundimisht petkun e një organi që përmbush qëllimin e sjelljes para përgjegjësisë së ngacmuesve, dhe tregoi fytyrën e tij të vërtetë. Duke e shkelur nenin 11 pikën 7 të rregullores së UP-së për ngacmime seksuale, duke mos e marrë vendimin në mënyrë të pavarur nga procedurat e jashtme”- tha ajo.

Sipas saj, Universiteti i Prishtinës e humbi mundësinë që të vendosë një precedent të rëndësishëm të konstatimit të ngacmimit seksual dhe caktimin e masave ndaj ngacmuesit.

Ndërsa tha se Lëvizja Feministe Studentore nuk do të ndalet.

“Theksojmë se ky vendim është i papranueshëm për ne, dhe është ikje nga përgjegjësia. Rrjedhimisht, ne thërrasim të gjithë studentët dhe studentet, por edhe stafin akademik të na bashkohen”- u shpreh ajo.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, e ka pezulluar nga puna profesorin e rregullt të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë.

Pezullimin nga puna të profesorit Krasniqi rektori e ka bërë pas rekomandimit të Këshillit të Etikës të UP-së.

Në vendimin e Rektoratit për këtë rast thuhet se KE e ka rekomanduar pezullimin e Krasniqit derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit.

Pezullohet nga puna profesori Xhevat Krasniqi, i raportuar për ngacmim seksual