Serbi, organizata të të drejtave të njeriut thirrje Qeverisë dhe presidentit Vuçiq të mbështesin Rezolutën e OKB-së për Srebrenicën

Organizatat e të drejtave të njeriut nga Serbia i kanë bërë thirrje Qeverisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq që të mbështesë shpalljen e 11 korrikut si “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës”.

Këto organizata deklaruan se mbështesin fuqishëm miratimin e kësaj rezolute të Kombeve të Bashkuara.

Sipas këtyre organizatave, në këtë mënyrë Serbia do të bënte një hap vendimtar drejt pajtimit në rajon.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë dhe Presidentit të Republikës së Serbisë që të mbështesë shpalljen e 11 korrikut si “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës” dhe të ndalet me praktikën e glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, duke mohuar krimet, viktimat dhe gjykimet e gjykatave ndërkombëtare. Në këtë mënyrë Serbia do të bënte një hap vendimtar drejt pajtimit në rajon”- thuhet në njoftim.

Organizatat që e kanë bërë këtë thirrje janë; Fondi për të Drejtën Humanitare, Gratë në të zeza, Impuls Tutin, Pešçanik, Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Vojvodinës, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Fondi Heartefact, Iniciativat Qytetare, Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut (YUCOM), Komiteti i Sanxhakut për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP), Qendra Autonome e Gruas, Qendra për Dekontaminimin Kulturor (CZKD), Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Në Kombet e Bashkuara është diskutuar një rezolutë për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet ta votojë në fillim të majit këtë draft-rezolutë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila do t’i fajësonte serbët.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli gjenocid krimin në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Europë prej Luftës së Dytë Botërore.

Republika Sërpska miraton raport që e mohon gjenocidin në Srebrenicë