Foto:KALLXO.com

Bislimi s’e bën të madhe votën kundër Kosovës të delegates së Malit të Zi në Këshillin e Europës

Për zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, nuk ka qenë befasi që kryetarja e delegacionit malazias në Komitetin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Maja Vukiçeviq, ka votuar kundër propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Europës.

Edhe pse prej votave varej nëse draft-opinioni i raportueses për Kosovë, Dora Bakoyannis, do të miratohej si hap tutje për anëtarësim e vendit në këtë mekanizëm ndërkombëtar, Bislimi tha që vota e Vukiçeviqit nuk e përfaqëson qëndrimin zyrtar që ka Mali i Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

“Nuk ka votuar Mali i Zi kundër Kosovës në mbledhjen e Komitetit për Politikë të Jashtme të Këshillit të Europës, por një deputete që përfaqëson një subjekt politik ka shprehur qëndrimin e subjektit politik”- tha Bislimi në një konferencë të përbashkët për media me ministren për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviç, më 29.03.2024.

Edhe Gorçeviç e tha të njëjtë gjë duke potencuar se Mali i Zi do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

“Votimi i disa deputetëve nuk do të thotë domosdoshmërisë qëndrimin e qeverisë … Mali i Zi në maj do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Europës” – ka deklaruar Gorçeviç.

Bislimi ka interpretuar se përfaqësimi në Këshillin e Europës duhet të reflektojë përbërjen politike të parlamenteve nacionale dhe rrjedhimisht deputetja Maja Vukiqeviqit përfaqëson një parti politike e cila shkon kundër qëndrimeve të shtetit të Malit të Zi.

“Kjo nuk është risi, sepse kemi edhe në Parlamentin e Kosovës, subjekte politike siç është Lista Serbe që veprojnë kundër interesave të shtetit të Kosovës. Ajo që është me rëndësi është që vota e Vukiçeviqit nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Malit të Zi”- tha Bislimi.

Vukiçeviq është anëtare e Partisë Popullore Demokratike (DNP), parti pro-ruse në parlamentin malazias, njëherësh deputete e ish-Frontit Demokratik, agjenda e të cilit përfshinte tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, heqjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe daljen e Malit të Zi nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Partia e saj e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë, duke e quajtur atë “shtet të rremë” dhe “territor të pushtuar përkohësisht”.

Në mbledhjen e mbajtur nga Komiteti i Çështjeve Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Paris më 27.03.2024 është rekomanduar që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës.

Në draft-raportin, që ka parë BIRN, Bakoyannis shkruante se anëtarësimi i Kosovës “do të çonte në forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut duke siguruar qasje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për të gjithë ata që janë nën juridiksionin e Kosovës”.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12.05.2022.

Në prill të vitit 2023, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ditë më parë, tre liderët e shtetit: presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën, Bakojanis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

Këshilli i Evropës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.