Vajza e Diana Kastratit për vrasjet e grave: Kur më është vra mami, unë kam humbur edhe babin

“Unë nuk isha rrit njëjtë sikur mos të m’u kish vra mami. Kur më është vra mami, unë kam humb edhe babin, edhe familjen e mamit edhe familjen e babit. Po të kisha mamin gjallë, une e kisha pas edhe babin aftër… Babi m’ka thanë që u pendu çka ka ndodhë, po mu babi s’më ka pa t’u u rrit e as mamin kurrë s’ka mujt me kthy”, kështu ka shkruar në Facebook, Anaida Jashari, vajza e Diana Kastratit, e cila u vra në vitin 2011 nga ish-bashkëshorti i saj në Kosovë.

Kjo deklaratë e Jasharit vjen pas situatës së fundit të numrit të vrasjeve të grave nga burrat e tyre në Kosovë.

Anaida Jashari është vajza e të ndjerës, Diana Kastrati, e cila u vra më 18.05.2011, në rrugë, në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë, nga ish-bashkëshorti i saj.

I dyshuari Adnan Jashari ishte i martuar me Diana Kastratin për 10 vjet. Nga kjo martesë ata e kishin një vajzë. Ata ishin ndarë para se të ndodhte vrasja.

Tri javë para se të vritej, Kastrati kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Komunale në Prishtinë, për urdhër të mbrojtjes emergjente, por gjykata nuk kishte vepruar.

Përkundër që tanimë e ndjera Diana Kastrati kishte kërkuar mbrojtje emergjente, Gjykata e atëhershme Komunale e Prishtinës me mosveprim i kishte cenuar këtë të drejtë duke mos i ofruar mbrojtje deri kur kërcënimi u realizua dhe Diana Kastrati u vra, siç u raportua nga ish-partneri i saj.

Jashari në reagimin e saj, shprehet e shqetësuar duke ngritur si çështje se edhe sa vrasje të grave do të ndodhin dhe edhe sa fëmijë do të mbesin në fatin e mëshirës.

Më tej, ajo ka vazhduar duke pyetur për vetëdijësimin e burrave ndaj kësaj çështje.

“Kur kanë me u vetëdijësu burrat, kur kanë me vendos mos me përdor dhunë, edhe pse kanë forcën. Kur kanë me kuptu që ndamja është e vetmja zgjedhje nëse lidhja nuk funksionon. Kur kanë me kuptu që edhe fëmijës ja shuan dëshirën me jetu. Kur kanë me kuptu që jeta jonë ka ndryshuar për të keq” – ka shkruar Jashari, në profilin e saj në Facebook, më 18.04.2024.

Ajo vë në pikëpyetje edhe gjetjen e mbështetjes e shpresës për shkak të vrasjes së një gruaje nga burri i saj.

“Te kush me gjet mbështetjen, te nana që na është vra apo te baba që nuk është me neve?

A me shpresu që burri nuk është si baba?” – ka pyetur Jashari.

Jashari ka përshkruar fëmijërinë e saj dhe vështirësitë pas vrasjes së nënës. Ajo po ashtu ka ndarë edhe rrëfimin e prindit të saj në lidhje me atë çka ka ndodhur në rastin e tyre.

Së fundmi dy gra u vranë brenda pesë ditësh në Kosovë.

Gjyljeta Ukella u vra nga i dyshuari, bashkëshorti i saj, në banesën e tyre në Pejë, mëngjesin e datës 16.04.2024.

Kjo ishte vrasja e dytë e një gruaje brenda pesë ditësh në Kosovë, pasi në Ferizaj u vra 21-vjeçarja, Erona Cokli nga i dyshuari ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu më 12.04.2024.

Në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani e shpalli ditë zie të mërkurën, më 17.04.2024.

Në anën tjetër, prindërit e Diana Kastratit, Gëzim e Makfire Kastrati kanë kërkuar drejtësinë për vajzën e tyre të ndjerë.

Me iniciativën e Gëzim e Makfire Kastrati më 17.04.2012, avokati Korab Sejdiu, Gjykatës Kushtetuese ia parashtroi kërkesën që kërkonte të deklarojë se dështimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë, për të vepruar sipas kërkesës së Dianës, kishte shkelur të drejtat e saj në bazë të Kushtetutës.

Pas trajtimit të rastit Gjykata Kushtetuese, gjeti se Gjykata Komunale në Prishtinë ishte përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të parashikuara me Ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe se mosveprimi i saj paraqet shkelje të detyrimeve kushtetuese që rrjedhin nga neni 25 i Kushtetutës dhe neni 2 i KEDNJ-së.

Më tej, Gjykata kishte konstatuar se mosveprimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë në kërkesën e së ndjerës Diana Kastrati, për lëshimin e urdhërit për mbrojtje emergjente, si dhe praktika e zhvilluar nga KGJK-ja për adresimin e mosveprimit të gjykatave të rregullta, atëherë kur duhet të veprojnë, ka penguar viktimën dhe parashtruesit e kërkesës në realizimin e të drejtave të tyre për mjete efektive juridike.

Pas vendimit të Kushtetueses, Gëzim e Makfire Kastrati, në nëntor të 2013-ës i paditën Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Gjykatën Themelore të Prishtinës si dhe Republikën e Kosovës nga të cilët kërkuan kompensim të dëmit jo material,  të cilin e kanë përjetuar me rastin e vrasjes së vajzës së tyre Diana Kastrati.

Në padinë për kompensim të dëmit thuhej se paditësit/prindërit e Dianës kanë pësuar vuajtje të thellë shpirtërore, frikë dhe pasiguri, si dhe të njëjtit vazhdojnë të jetojnë me dhimbje dhe vuajtje të thellë nga dështimi i autoriteteve publike, përkatësisht të paditurve për të mbrojtur të drejtën në jetë të bijës së tyre dhe të drejtave të paditësve si palë e dëmtuar.

5 vjet, 7 muaj e 4 ditë pas ushtrimit të padisë, Gjykata e Prizrenit ka marrë vendim që aprovoj pjesërisht padinë e prindërve të Dianës, të përfaqësuar nga Shoqëria e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini” SHPK, përkatësisht avokatet Artan Qerkini e Korab Sejdiu.

“Gjykata duke vepruar në bazë të nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës dhe në frymë të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut gjeti se përgjegjëse për të drejtat e shkelura e të cilat janë të kategorisë Kushtetuese të cilat janë faktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, është përgjegjës Republika e Kosovës” – thuhej në aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit.

Ndonëse prindërit e Dianës kërkuan kompensim në vlerë prej 600 mijë eurove, pas vlerësimit të të gjitha provave të administruara dhe fakteve të vërtetuara, Gjykatës së Prizrenit i rezultoi se kërkesëpadia e paditësve përtej shumës së aprovuar prej 95 mijë eurove është kërkesë e pa bazë, pasi që Gjykata pas çmuarjes së lirë vlerësoi se shumat e gjykuara janë të përshtatshme në përputhje me standardin jetësor në Republikën e Kosovës dhe praktikën gjyqësore.

Po ashtu Gjykata me anë të këtij vendimi e ka obliguar Republikën e Kosovës që në emër të shpenzimeve procedurale t’i paguaj shumën e përgjithshme prej 1488 eurove.

Lidhur me kërkesëpadinë ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Gjykata e Prizrenit e ka konsideruar si të pabazuar ndërsa ndaj Gjykatës Themelore të Prishtinës si të tërhequr.

Rasti vazhdon të mbesë aktiv edhe më tej, tek në shkurt të 2023 ishte marr një vendim nga Gjykata e Apelit për këtë rast.

Kjo gjykatë kishte marr vendim për të kompensuar me 30 mijë euro familjen e Diana Kastratit për dëmin jo material e dhimbjet shpirtërore të shkaktuar nga vrasja e vajzës së tyre.

Makfire Kastrati, nëna e Dianës, përmes një reagimi në profilin e saj në Facebook kishte shkruar se dëmet emocionale të familjes së saj nuk mund t’i kompensojnë paratë e botës, derisa ka akuzuar institucionet për “dështimin për t’i ofruar mbrojtje Diana Kastratit”.

Në reagimin e saj, Makfirja kishte treguar se padia e tyre si familje ka qenë për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës për dështimin në kryerjen e punëve të tyre.

E ajo kishte bërë të ditur se këtë lëndë do ta dërgojë përsëri në Gjykatë me akuzën për shtrembërim të procesit dhe lëndës.

Korab Sejdiu, avokat i familjes së Dianës në një emision në KallxoPernime kishte treguar se si mosveprimi i institucioneve për të mbrojtur të ndjerën ka qenë cenim i  të drejtës në jetë nga ana e shtetit për Dianën.

Ai kishte thënë se në këtë rast ka dështuar Republika e Kosovës që të zbatojë rregullat ligjore që janë të parapara për ta mbrojtur një viktimë të dhunës në familje.

Në anën tjetër, Saranda Keqekolla – Avokate dhe ish-mbrojtëse e viktimave kishte deklaruar në vitin 2023 se si në rastin e Diana Kastratit, kërkesa për urdhër mbrojtje iu ishte gjetur gjyqtarit mbi tavolinë.

Ajo kishte thënë se në rastin e Dianës, gjyqtari është sanksionuar me 50 për qind të pagës, e pastaj ka kaluar në një departament tjetër.

“Gjykata nuk po jep mësim tek gjyqtarët e tjerë që nëse bëjnë shkelje kanë me i qit prej punës ose kanë me i dërgu në burg” – tha Keqekolla.

Makfire Kastrati kur kishte pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit për të kompensuar me 30 mijë euro familjen e saj për dëmin jomaterial e dhimbjet shpirtërore të shkaktuar nga vrasja e vajzës së tyre, në shkurt 2023 kishte thënë “Paratë e botës s’mund të kompensojnë dëmet emocionale të familjes Kastrati”.

Në një reagim të gjatë ajo kishte thënë se familja e saj nuk e kishte bërë padi për të marr kompensim, por t`u dënuar ata që ajo mendon se nuk kanë kryer detyrat që i takonin.

“I kam ca fjalë për ju Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, desha t’ua sqaroj që familja Kastrati ju ka paditur për mos kryerjen e detyrës tuaj, për dështimin në punën tuaj e për të cilën paguheni dhe jeni paguar nga taksat tona, madje edhe nga taksat që ka paguar vet Diana” – kishte thënë Makfirja.

“Ju, i keni duart e përgjakura, po aq sa kriminelët që e kanë kryer krimin. Ju, pikë së pari keni dështuar t’i ofroni mbrojtje vajzës sime, përkundër që ju përgjëruam, përkundër që ishit të thirrur ta mbronit” – pati vazhduar ajo.

Sipas saj, vajza nuk i ishte vrarë vetëm herën e parë, por edhe të dytën kur familja e saj ia shtriu dorën shtetit për t’i kërkuar ndihmë dhe mbrojtje, por që sipas Makfires shteti ia ktheu shpinën.

Ajo gjithashtu asokohe njoftoi se do të vazhdojnë prapë të parashtrojnë ankesa në organet kompetente për mosveprimet e shtetit.

Edhe babai i Dianës, Gëzim Kastrati në një prononcim për KallxoPërnime më 03.12.2023, teksa flitej për vrasjen e Liridona Ademaj, tha se dhembjen po e ndjejnë çdo ditë, e më shumë iu shtohet kur dëgjojnë se vrasjet e grave nuk po ndalen.

Liridona Ademaj-Murseli, 30-vjeçare, u vra më 29.11.2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 01.12.2023, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar: dorasin G. P. dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se i dyshuar i tretë në këtë rast është edhe K.K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Vëllau i Liridona Ademajt, Leonardi, ka folur para gazetarëve pas përfundimit të seancës ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt.

Leonard Ademaj tha se familja e tij beson në drejtësinë e Kosovës dhe se këtë çështje e kanë lënë në duar të drejtësisë.

“Për fat të keq që nga vrasja e vajzës time prej vitit 2011 e deri më tani me dhjetëra gra janë të vrara, përkundër përpjekjeve që të ndryshojë edhe sistemin edhe ligjet në fuqi, por ja që për fat të keq nuk po mbarojnë këto viktima, në këtë rast kryesisht gratë, nënat” – kishte thënë babai i Dianës, në emisionin KallxoPërnime, më 03.12.2023.

Ai tha se vrasja e vazhdueshme ndaj grave jep një alarm qytetar, një alarm në tërë Kosovën, që në raste të tilla pushteti e shteti, e edhe organet e rendit duhet të ngrisin nivelin e mbrojtjes në këtë drejtim.

“Ne merremi me rastin vetëm kur ndodhë rasti, por në momentin kur jemi të lirë atëherë kurrkush nuk merret me hetu një rast jo të tillë, por një rast që është recedivist apo që është i inkriminuar” – tha ai.

Teksa shtoi se prokuroria edhe gjyqësori është tepër shumë i butë tek këta persona që kryejnë vrasjet.

“Qysh edhe atëherë kam thënë, edhe tani po them edhe gjithmonë do të them se po të kishte masa pak më të ashpërsuara, atëherë nuk do të ndodhin rastet” – shtoi Gëzimi, babai i Dianës.

Ai vlerëson se dënimet janë shumë të buta, e se marrja e veprimeve nga gjyqësori dhe prokuroria janë të pakta.

Hadime Magashi, Sanije Godeni, Marigona Osmani, Sabile Mavrovqani, Zejnepe Berisha, Diana Kastrati, Hatije Dina, Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, e disa emra të tjerë janë viktima të partnerëve e bashkëshortëve të tyre, ngjarje këto që ndodhën ndërvite në Kosovë.

Para vrasjeve disa nga to përjetuan, dhunë fizike sistematike, tortura e maltretime për të cilat disa herë u kërkua edhe mbrojtja e shtetit.