Planet për zgjedhje të parakohshme, Tahiri: Do të ndërmarrim hapa konkret për shpërndarjen e Kuvendit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të marrë hapa konkretë për shpërndarjen e Kuvendit në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje.

Thirrja e seancës për shpërndarjen e Kuvendit, sipas tij, do të ndodhë pas një konsulte të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi bashkë me kryetarët e partive të tjera të pozitës e opozitës.

Tahiri thotë se asnjë parti tjetër nuk duket më e gatshme për zgjedhje sesa PDK-ja.

Sipas tij, PDK është e vetmja parti që ka dalë me kandidat për kryeministër dhe me propozim të datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Ne ia kemi dhënë një rrugë më të lehtë partisë në pushtet që ta shpërndajmë Kuvendin. Kjo kërkon dy të tretat e deputetëve. Nëse ka vullnet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj nga komunietet joshumicë bashkë me PDK-në bëhen dy të tretat” – u shpreh ai.

Mirëpo, deputeti Tahiri tha se do të donin që kjo të bëhet me bashkëpunim më të gjerë edhe me partitë e tjera të Kuvendit.

Sa i përket një Mocioni të mosbesimit, ai tha se nuk i kanë numrat e nevojshëm për ta bërë këtë, sepse duhen 61 deputetë për këtë gjë.

PDK ka propozuar kryetari aktual të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do ta ndihmojnë opozitën nëse dëshiron që të shkojë në zgjedhje.

Deputeti i PDK-së, para gazetarëve tha se kanë propozuar edhe themelimin e një komisioni hetimor për financnimin e blerjes së librave që ka ndodhur në fillim të këtij viti shkollor.

“Ende se kemi një pasqyrë të qartë se çka ka ndodhë gjatë asaj periudhe. Edhe nuk e dimë nëse të gjithë nxënësit janë furnizu me libra, edhe këtë proces e përcjell një mostransparencë e madhe, prandaj është e rëndësishme të mos lejojmë abuzime të tilla. Duhet të vijmë me një raport kredibil me atë se çka ka ndodhë përmes hetimit parlamentar” – tha ai.

Ndërkaq, lidhur me Komisionin hetimor për kontratat njëburimore, Tahiri deklaroi se LVV po refuzon themelimin e tij, por ata do të insistojnë për themelimin e tij edhe në seancat e tjera.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kishte bërë subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore, përmes xhirollogarive të prindërve apo kujdestarëve që kanë aplikuar për këtë subvencion.

Këtë metodë, Ministria kishte thënë se po e bën për rritje të transparencës për shpenzimin e parasë publike dhe se çmimet e ofruara nga shtëpitë botuese për furnizim me libra kanë qenë tejet të larta.