Diskutimi publik në Mitrovicën e Veriut. Foto: Facebook/IPK.

Diskutim publik në Mitrovicën e Veriut, Policia dhe Inspektorati njoftojnë banorë dhe shoqërinë civile mbi aktivitete e tyre

Përfaqësues nga Policia e Kosovës dhe  Inspektorati Policor i Kosovës kanë marrë pjesë në një diskutim publik me banorë, përfaqësues të OJQ-ve dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Mitrovicën e Veriut.

Përmes një njoftimi, IPK-ja ka bërë të ditur se ky aktivitet i mbajtur në Mitrovicën e Veriut,  u organizua me përkrahjen e OJQ -së ACDC –“ Qendra Avokuese për Kulturë Demokratik”.

“Qëllimi  i këtij diskutimi ishte që banorët e kësaj pjese si dhe OJQ-të dhe shoqëria civile të kenë njohuri shtesë mbi rolin, misionin dhe aktivitetet e Inspektoratit Policor të Kosovës dhe të Policisë së Kosovës në komunat veriore të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftim.

Ky aktivitet, sipas njoftimit është përcjellë me interesim nga pjesëmarrësit ku edhe janë parashtruar pyetje të cilave u kanë dhënë përgjigje zyrtarët e IPK-së dhe PK-së.