Intervistë me Kryeshefin e PTK-së, Ejup Qerimin

Emisioni Jeta në Kosovë sonte interviston Ejup Qerimin, kryeshefin e PTK-së. Pse Qerimi është në dispozicion të partisë në pushtet të kryeministrit Hashim Thaçi? Cilat janë arsyet që sipas tij e kanë lënë PTK-në mbrapa “IPKO-s” për sa i përket avancimit në 3G? Kush parashikon se PTK-ja do të humbë qindra miliona euro dhe pas disa vitesh do të jetë e paaftë për t’i paguar dividentë Qeverisë së Kosovës?

Ai udhëheq ndërmarrjen më të madhe publike në vend-Postë-Telekomin e Kosovës. Por nuk heziton të tregojë se është në dispozicion të Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet. Pret që të jetë në listën për deputetë të PDK-së. 

“Nuk është dëshirë, por unë kam vendosur të futem në politikë”, deklaroi Qerimi.

Ai është aktualisht i nominuar nga dega e PDK-së për të qenë pjesë e listës për deputetë.

Thotë se është në dispozicion të PDK-së dhe nëse partia e vendos në listë për deputet atëherë do i hyjë fushatës për t’u bërë pjesë e legjislaturës se re.

Ekonomisti nga Gjilani që synon të futet në politikë, gjatë karrierës së tij menaxheriale ishte në pozitë të lartë udhëheqëse edhe në kompaninë “IPKO”, një operator rival i kompanisë publike “Vala”.

Thotë se menaxhimi i biznesit privat dhe atij publik kanë ndryshime. 

PTK-ja që e menaxhon ai është mbrapa IPKO-s për sa i përket avancimit në 3G. 

IPKO e lansoi atë në dhjetor, ndërsa PTK-ja ende nuk e ka bërë këtë. E arsyeton me faktin se duke respektuar Ligjin e Prokurimit duhet të ndiqen procedura strikte deri te negocimi i një kontrate të favorshme për PTK-në.

“Nuk e kemi zvarritur…. Presim që të finalizohet brenda këtij viti”, deklaroi Qerimi.

Megjithatë, PTK-ja ka mundur të nënshkruajë kontratën edhe më herët, pasi një gjë e tillë i është lejuar nëpërmjet një vendimi të Organit Shqyrtues të Prokurimit që operon si gjykatë e tenderëve. 

Qerimi gjithashtu flet edhe për propozimin që “Monaco Telecom International” i ka bërë Postë-Telekomit të Kosovës. 

MTI-ja ka kërkuar nga PTK-ja që të lidhin një marrëveshje e cila do ta shpëtonte ndërmarrjen kosovare nga kriza. “Monaco Telecom” parashikon se nëse nuk përmirësohet situata, ka rrezik që PTK-ja të humbë qindra miliona euro dhe të bëhet e paaftë për të paguar dividentë për Qeverinë e Kosovës.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni sonte në RTK prej orës 20:20.