Kush do të udhëheqë tenderët në SHSKUK?

Udhëheqjen e tenderëve në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK) tani e tutje do ta ketë në dorë Ekrem Fetahu.

E ai që mbajti këtë pozitë për gati 6 vjet e synoi që ta ketë prapë, Selami Krasniqi, nuk arriti ta kalojë testin, duke marrë vetëm 46.5 pikë nga 70 gjithsej.

Për të kaluar testin, kandidatët është dashur të marrin më së paku 49 pikë.

Fetahu u zgjodh shef i prokurimit përmes konkursit, duke grumbulluar 68 pikë në test me shkrim dhe 24.2 pikë në intervistë.

Tre të tjerët që aplikuan, Gzim Shala, Lulzim Goqi dhe Besnik Cenaj nuk u paraqitën fare në testin me shkrim.

Ekrem Fetahu është i familjarizuar me këtë pozitë pasi që më 14.04.2024 u emërua ushtrues detyre i shefit të prokurimit pas dorëheqjes së Selami Krasniqit.

Krasniqi ka qenë shef i prokurimit në SHSKUK nga marsi 2019 deri në mars 2022. Nga atëherë deri më 14.02.2024 ka qenë ushtrues detyre.

Me rregulloren e re të brendshme të SHSKUK-së, të gjithë tenderët, përfshirë ata të spitaleve, do të jenë nën ombrellën e Zyrës së Prokurimit në SHSKUK, shef i të cilës tani e tutje do të jetë Ekrem Fetahu.

Komisioni vlerësues për këtë konkurs u përbë nga kryesuesi, Haki Smajli – zyrtar i lartë i personelit në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) dhe anëtarët, Berat Marmullaku – u.d. udhëheqës i prokurimit në MSH, Sami Ahmetaj – shef i prokurimit në Spitalin e Prizrenit, Mimoza Fusha, zyrtare e burimeve njerëzore në QKUK dhe Haqif Arifi nga SHSKUK.