Izraeli kërkon evakuimin nga Rafah, sulmet vazhdojnë

Derisa sulmet po vazhdojnë në Rafah, forcat izraelite u kanë thënë palestinezëve që të evakuojnë qytetin.

Në një konferencë shtypi mbrëmjen e 06.05.2024, zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse të Izraelit, Daniel Hagari tha se banorëve të Gazës u është kërkuar të lëvizin drejt një “zone të zgjeruar humanitare në Al-Mawasi dhe Khan Yunis” – rreth 10 km në veri.

“Sonte, ne gjithashtu u bëjmë thirrje atyre që qëndrojnë në zona specifike të cilat i kemi komunikuar dhe përcaktuar me çdo mjet – radio, media, internet dhe fletushka në Rafahun lindor, që të largohen”- ka thënë ai më 06.05.2024, raporton BBC.

Rafah është bastioni i fundit i Hamasit në Gaza dhe i mbushur me civilë të zhvendosur.

Perspektiva e një pushtimi izraelit ka shkaktuar një protestë ndërkombëtare, me liderët e huaj që i kërkuan Netanyahut të mos vazhdojë me ofensivën.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë tha se pasojat do të ishin shkatërruese për më shumë se një milion njerëz.

Izraeli tha se po planifikon të dërgojë një delegacion për të negociuar më tej marrëveshjen e armëpushimit pasi tha se ishte “larg nga përmbushja e kërkesave të Izraelit”.

Kjo u konfirmua nga zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Ndërmjetësimet që kanë rezultuar në ofertën nga Hamasi janë udhëhequr nga Egjipti, me përfshirje nga Katari.

Nuk është e qartë se çfarë saktësisht ka rënë dakord Hamasi si pjesë e marrëveshjes, por mendohet se përfshin lirimin e pengjeve dhe kthimin e palestinezëve të zhvendosur brenda Gazës.

Lufta filloi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 07.10.2023, në të cilin u vranë 1200 njerëz dhe u morën peng 252, sipas të dhënave izraelite.

Më shumë se 34,600 palestinezë janë vrarë, 29 prej tyre në 24 orët e fundit, dhe më shumë se 77,000 janë plagosur në sulmet e Izraelit, sipas ministrisë së shëndetësisë të Gazës, raporton Reuters.

Po ashtu, më shumë se një milion palestinezë janë duke u strehuar në Rafah, në kufirin me Egjiptin. Sulmi erdhi në kohën kur në Izrael po shënohej një festë fetare hebreje. Po ashtu erdhi pas një periudhe të luftimeve intensive në Bregun Perëndimor, ku pothuajse 200 palestinezë u vrarë nga ushtria izraelite gjatë bastisjeve në vitin 2023.