Bordi i katërt drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës. Foto: Ministria e Shëndetësisë, 3 maj 2023

Nuk arrihet minimumi i rezultateve të pritshme, Bordi s’e miraton raportin vjetor të punës së ShSKUK-së

Mosarritja e minimumit të rezultateve të synuara është arsyeja që Raporti i punës së Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK) për vitin 2023 nuk u miratua nga Bordi i këtij institucioni. Nga 7 vota gjithsej, 1 ishte për, 4 kundër dhe 2 abstenime.

Ndryshe nga të gjitha votimet e mëhershme të cilat janë bërë në mënyrë unanime që nga 26 prilli 2023, kur është emëruar ky bord, votimi për raportin e punës ishte hera e parë që shpërfaqi mospajtime mes 7 anëtarëve të këtij bordi.

“Për besë po ndihem mirë që kemi mendime të ndryshme, sepse jam kanë kah bëhem merak që në 47 takime krejt jemi kanë uniformë” – tha kryesuesi i këtij bordi, Naim Bardiqi.

Në mbledhjen e mbajtur më 27.03.2024, bordi shprehu pakënaqësi edhe për mosraportimin e rregullt nga ana e njësive te drejtori i përgjithshëm, e nga drejtori te bordi. Vërejtjet nuk munguan as për strukturën e Raportit të punës. Kërkesat dhe rekomandimet e bordit se si duhet të duket një raport kanë hasur në “vesh të shurdhër”.

Anëtarja e bordit, Tetore Olloni tha se ka pasur joseriozitet në zbatimin e konkluzioneve të bordit dhe mori një shembull që e cilësoi si banal.

“Po e ilustroj me një shembull shumë të thjeshtë dhe banal. Nëse një institucioni i duhen katër muaj për zbatimin e një konkluzioni të bordit që është dhënë në shtator, që flitet për hapjen e e-mailave zyrtar të punëtorëve, atëherë kjo lë shumë për të dëshiruar” – tha Olloni.

ShSKUK ka shfrytëzuar vetëm 58 për qind të kapaciteteve të saj gjatë vitit 2023, 2 për qind më shumë se një vit më parë. Ndërkaq, furnizimi me barna, sipas planifikimit nga Lista e Barnave Esenciale ka qenë 53 për qind, e me material shpenzuese 67 për qind.

“Nuk është arritur minimumi. Nuk kemi lyp mrekulli. Kemi kërkuar që shfrytëzimi (i kapaciteteve) me qenë 60% që nuk është mrekulli” – tha Bardiqi.

Ndonëse u përmend se ka pasur një përmirësim të vogël, prapëseprapë u tha se rezultatet janë larg të kënaqshmes.

U tha se ka pasur shtim të shërbimeve dhe ulje të referimeve jashtë institucioneve publike shëndetësore. Megjithatë, siç tha Bardiqi, ka lista të pritjes që janë të pashpjegueshme dhe të pa arsyetueshme kur shihen kapacitetet njerëzore dhe aparaturat.

Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi që udhëheq institucionin që nga gjysma e dytë e vitit 2023, tha se raporti paraqet gjendjen reale të raportuar nga drejtorët e klinikave e njësive të tjera.

Azizi tha se për një kohë të gjatë, para ardhjes së tij në këtë pozitë janë dhënë informata joreale sa i përket furnizimit me barna e gjendjes në përgjithësi, informata këto, që sipas tij, janë përcjellë edhe nga bordi e ndoshta edhe nga Ministria e Shëndetësisë (MSh).

Sipas raportit, nga 77 aktivitete të planifikuara, SHSKUK ka arritur për përfundojë vetëm 23, përderisa 13 i ka në proces, e 19 s’i ka nisur fare.

Një tjetër e dhënë shqetësuese që raporti nxjerr në pah është rënia e numrit të shtretërve për më shumë 300 nga sa ishin regjistruar në vitin 2019, për çka nuk ka ndonjë shpjegim të qartë.

E ndonëse i tërë institucioni ka rritur numrin e operacioneve, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka pasur ulje të numrit të tyre për 1 për qind, nga 23 mijë e 410 në 23 mijë e 204.

Për Naim Bardiqin që njëherësh është edhe Sekretar në MSh, më shqetësuesja për këtë gjendje është pamundësia për të funksionalizuar sigurimet shëndetësore, sepse sipas tij, njëri nga institucionet atëherë do të falimentonte.

“Skenari- sikur sot të ishte gjithçka në rregull dhe si me magji e fillojmë zbatimin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, atëherë parimisht njëra kish me falimentu: ose falimenton Fondi- varësisht nga politika, ose falimenton institucioni se s’ki çka faturon. Nëse mesatarisht një kirurg vazhdon me hy në sallë një herë në javë, s’ki çka faturon, s’mund ta meritoi as rrogën” – u shpreh ai.

Bardiqi tha se konsideron që konkluzionet që bordi i ka nxjerrë në vazhdimësi dhe ka pritur që të zbatohen nga menaxhmenti kërkojnë kohë për t’u zbatuar.

Shfrytëzimi i shtretërve në shërbimet klinike të spitaleve të përgjithshme, siç tha ai, është jashtëzakonisht i ulët, përderisa mesatarja e qëndrimit të pacientëve në spital është shumë e lartë, gjë që sipas tij është e pashpjegueshme.

“Cila është ajo patologji në ORL ose në Oftalmologji e cila parasheh qëndrim spitalor 10 ditë? Kemi pa përmbi 7 ditë mesataren e qëndrimit. Nuk ka arsye” – tha ai.

Anëtari Besim Demolli tha se nëse do t’i kishin raportet e ndara në 3-mujor do të mund të shihnin më saktë se a ka pasur rritje të performancës, e që sipas tij ka pasur në masë të ulët.

E Dren Boshjaku theksoi se struktura jo e duhur e raportit e shtyn edhe më shumë që të mos e votojë raportin,

Ndërsa, anëtarja tjetër Vjollca Kadolli – Halili tha se është për ta miratuar raportin, pasi që sipas saj, disa standarde nuk janë vendosur që në fillim të vitit nga bordi.

Ajo ishte e vetmja që votoi për miratimin e raportit. Anëtarët Besim Demolli dhe Enver Gashi abstenuan, ndërsa Naim Bardiqi, Tetore Olloni, Dren Boshnjaku dhe Rrezarta Bajrami – Halili votuan kundër.

Për shkak të performancës së keqe, bordi i SHSKUK-së nuk kishte aprovuar raportin e 6-mujorit të parë të punës së SHSKUK-së.

Numri i operacioneve në ShSKUK që ka nën ombrellë edhe QKUK-në edhe spitalet e përgjithshme është i vogël, ku një kirurg kryen mesatarisht një deri në katër operacione në javë, përderisa disa prej klinikave në QKUK kanë më shumë dhoma për personel se sa për pacientë.