Arkat fiskale

Jeta në Kosovë debaton për arkat fiskale

Këtë të enjte Jeta në Kosovë diskuton për fillimin e vendosjes së arkave fiskale.

Sa jemi të gatshëm t’i paguajmë taksa shtetit? Si po shkon procesi i instalimit të arkave fiskale? Sa i kushton shtetit të Kosovës ky proces, e sa ka kushtuar kjo në rajon? Kush do ta mbikëqyr procesin e zbatimit të këtyre arkave? A ka Administrata Tatimore e Kosovës kapacitet për ta menaxhuar këtë proces? Cilat janë reagimet e bizneseve dhe të konsumatorëve për vendosjen e arkave fiskale?

Për të diskutuar për këto çështje, mysafirë të Muhamet Hajrullahut në studio do të jenë:

Behxhet Haliti, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës
Driton Shuki, drejtor gjeneral i kompanisë GEKOS
Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në institutin RIINVEST
Ramiz Kelmendi, pronar i kompanisë ELKOS
Shyqiri Bytyqi, këshilltar taksash

Gjatë emisionit BIRN do të transmetojë një reportazh të gazetarit Artan Haraçia për procesin e riformatimit të qeverisë.

Ndërsa, në një reportazh tjetër gazetarja Edona Musa tregon se si komuna e Prishtinës nuk i respekton vendimet e gjykatës komunale.

Në rubrikën Drejtësia në Kosovë, hulumtuesi Isa Gacaferi tregon nëse do të ketë rritje të pagave të gjyqtarëve në janar të vitit 2011 në bazë të projektligjit për gjyqtarë. Në kuadër të kësaj rubrike, hulumtuesi Faton Ademi flet për publikim e listës së zyrtarëve të dyshuar për korrupsion.

Në fund, rubrika Kulmi i Javës, përgatitur nga gazetari Petrit Çollaku sjellë Ditët e Krenarisë, ngjarje e organizuar nga shoqatat e dala nga lufta në përkujtim të dëshmorëve të rajonit të Prishtinës.