Formimi i Qeverisë së re

Përveç tjerash, sipas Metës, me këtë marrëveshje, liderët nënshkrues Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj “kanë ulur egot e tyre”.

“Këto katër parti- tri që e nënshkruan dhe një që e mbështeti- e kthyen sovranitetin e munguar të vendit me vetëm një akt dhe një nënshkrim. Asnjë qeveri e pasluftës nuk u krijua pa hallakamë, pa u mbledhë ambasadorët e huaj, pa u marrë liderët 100 herë në pyetje”, tha Meta.

Por Driton Lajçi, këshilltar i Ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi (PDK) e ka të paqartë statusin ligjor të këtij dokumenti me të cilin partia që mori më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit mbetet në opozitë.

“Ajo komunikatë- marrëveshje ka defekte serioze juridike. Përmes komunikatës komunikohet me opinionin publik. Forma e përcakton esencën, a është komunikatë apo marrëveshje. Paskemi shpikë diçka të jashtëzakonshme dhe më vjen mirë, se ne zakonisht si shqiptarë nuk dimë të bëjmë marrëveshje pa ndërhyrjen e të tjerëve. Praktika e ka treguar këtë”, tha Driton Lajçi.

Por ai nuk pajtohet me konkludimin e Metës se kjo marrëveshje i solli Kosovës sovranitetin e munguar.

Ndërsa eksperti për çështje të integrimeve evropiane, Avni Mazrreku, ka kritikuar reagimin e zyrtarëve të PDK-së ndaj kësaj marrëveshjeje dhe paralajmërimet e tyre se do ta drejtojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, nëse Presidentja Atifete Jahjaga nuk e mandaton Hashim Thaçin për postin e Kryeministrit të vendit.

“Në raste të caktuara, struktura të PDK-së sillen si ekspertë të fushës, si të pavarur dhe si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe shkojnë deri në kërcënim të mandatit kushtetues që e ka presidentja e shtetit”, tha Mazrreku.

Por sipas ish-anëtares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gjylijeta Mushkolaj, kushtetuta “nuk duhet të shihet copa- copa”, ashtu siç i janë bërë interpretime deri më tani, por duhet të shikohet si tërësi.

“Marrëveshja edhe pse është valide në aspektin juridik, është e lidhur mes tri subjekteve private. Nuk po e kontestoj marrëveshjen si të tillë, vetëm po e shpjegoj që marrëveshja është marrëveshje plotësisht private, midis tri subjekteve politike”, tha Mushkolaj.

Por për Bardhyl Metën e LDK-së, presidentja nuk do të ketë rrugë tjetër përveç se ta mandatojë Haradinajn për formimin e qeverisë së Kosovës, atëherë kur të certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 8 qershorit.

“Asnjë procedurë nuk do të mund ta ndalë këtë shumicë parlamentare, sepse nuk është viti 1989 kur ata do të kenë në trysni të tjera, por është viti 2014 kur do të kurorëzohet vullneti i këtyre partive për një kryeministër për të cilin janë marrë vesh”, tha Meta.

Ndërsa sipas Lajçit, marrëveshja ka qenë “e shpejtë, e nxituar dhe e pamenduar mirë” dhe si e tillë, sipas tij, e ka tronditur opinionin publik.

Kurse sipas Avni Mazrrekut, situata e krijuar pas marrëveshjes LDK-AAK-Nisma është rast për presidenten Jahjaga që të sillet si figurë unifikuese e vendit me qëllim të krijimit të institucioneve stabile.

“Kosova është lodhur që katër vjet nga institucione të krijuara nga zgjedhje jo të rregullta, me legjitimitet të kontestuar”, tha ai.

Ndërsa Mushkolaj përjashton çdo mundësi që presidentja t’i ketë në tavolinë dy emra, nga taboret e kundërta politike, për mandatar për formimin e qeverisë së re.

“Nuk ka asnjë mënyrë që presidentes t’i shkojnë dy emra për mandatar për kryeministër, sepse vetëm ajo parti ose koalicion që i ka votat e nevojshme, shumicën, në parlament, vetëm ai emër mund të shkojë”, tha ajo.

“Marrëveshja si e tillë është kontribuuese për zhvillimin demokratik të vendit, por në të njëjtën kohë nuk është shumë relevante për presidenten”, tha Gjylijeta Mushkolaj.

Emisioni transmetohet pas edicionit të lajmeve Blic në RTK pas ndryshimit të skemës programore për shkak të kampionatit botëror të futbollit “Brazili 2014”.