Koalicioni qeverisës

Jeta në Kosovë debaton për koalicionin qeverisës

Këtë të enjte temë e debatit Jeta në Kosovë do të jenë zhvillimet e fundit në vend, hetimet e EULEX-it, që shkaktuan dridhje në koalicionin qeverisës LDK-PDK.

A duhet të hetohen zyrtarët e lartë qeveritarë, dhe nëse po, a duhet të paralajmërohen hetimet e tilla? Si po reflektohen këto hetime në koalicionin qeverisës? A do të ketë ndryshim të koalicionit? Cilat janë vlerësimet e nënkryetarëve të partive politike në koalicion dhe AAK-së si parti opozitare, për qendrueshmërinë e koalicionit qeverisës? Sa janë gjasat për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme?

Për t’i diskutuar këto, mysafirë të Muhamet Hajrullahut në studio do të jenë nënkryetarët e tri partive:

Bajram Rexhepi, nënkryetar i PDK-së dhe ministër i punëve të brendshme;
Eqrem Kryeziu, nënkryetar i LDK-së dhe anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës;
Blerim Shala, nënkryetar i AAK-së;

Pas debatit BIRN transmeton reportazhin e gazetarit Artan Haraçia në të cilin flitet për problemet rreth emërimit të drejtorëve të qeverisë lokale që çoi në kërcënimin e kryetarit aktual të komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa me largim nga posti i kryetarit.

Ndërsa, në rubrikën Drejtësia në Kosovë hulumtuesi Isa Gacaferi flet për atë se a Kosova ka laboratorë dhe ekspertë të kriminalistikës për të zhvilluar hetime.