Monitorimi i Gjykatave

Dje në Prishtinë, BIRN publikoi të gjeturat e projektit të monitorimit njëvjeçar të gjykatave komunale dhe të qarkut në shtatë komuna të Kosovës.

Problemet kryesore të vërejtura në raport nga monitoruesit përfshijnë vonesat e paarsyeshme në nisjen dhe kryerjen e rasteve; dështimet në përmbushjen e standardeve në trajtimin e seancave gjyqësore, dhe disa raste të korrupsionit të dyshuar të gjykatësve dhe prokurorëve.

Pas prezantimit të raportit dhe të gjeturave kryesore nga menaxherja e projektit, Fatmire Tërdevci, BIRN organizoi një panel diskutimi mbi dobësitë e sistemit gjyqësor, i cili u moderua nga drejtoresha e BIRN-it në Kosovë, Jeta Xharra. Paneli debatues u përbë nga:

Rexhep Haxhimusa, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës;
Vahid Limani, shef i departamentit të administratës dhe personelit në SKGJK;
Ismet Kabashi, kryetar i shoqatës së Prokurorëve të Kosovës;
Hamdi Ibrahimi, gjyqtar në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës;
Nekibe Kelmendi, Ministrja e Drejtësisë;
Kujtim Kërveshi, ekspert ligjor nga Instituti Juridik i Kosovës;
Fatmire Tërdevci, menaxhere e projektit;
Isa Gacaferi, monitorues i gjykatave në Pejë;
Valdrin Beka, monitorues i gjykatave në Ferizaj;
Fatmire Haliti, monitoruese e gjykatave në Gjilan;
Faton Ademi, monitorues i gjykatave në Mitrovicë, Vushtrri e Skenderaj;
Betim Musliu, gazetar që mbulon drejtësinë;
Musa Dragusha, kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës;

Çlirim Hajdeni, shef i Njësitit për Planifikim dhe Zhvillim, Shtylla e Hetimeve e Policisë së Kosovës.

Diskutimi zbuloi dhe komentoi të gjeturat kryesore të raportit. Sipas këtyre të gjeturave, numri i vogël i prokurorëve paraqet vështirësi të madhe për sistemin e drejtësisë në Kosovë, gjë që u ilustrua edhe me reportazhin televiziv të përgatitur nga monitoruesit,  i cili tregoi se si një prokuror duhet të jetë në dy seanca gjyqësore në të njëjtën kohë.

Diskutimi poashtu u përqendrua edhe në pasojat e vonesave në séance gjyqësore si dhe për fenomenin negative të mbajtjes së seancave në zyret e gjykatësve në vend se të mbahen në sallat e gjykimit.

Një problem tjetër kyç i nxjerrë në pah nga ky raport ishe edhe mungesa e përkthyesve në shumicën e  gjykimeve të monitoruara.

Raporti televiziv tregoi se si palët janë dëmtuar nga fakti se kishin dëgjuar gjykimin e tyre në një gjuhë që
nuk e kuptonin, përderisa debati u zgjerua edhe më tej me dhënien e shifrave dhe shembujve tjerë të palëve të dëmtuar për shkak të mungesës së përkthyesve.

Sa i përket infrastrukturës në institucionet gjyqësore, raporti përmendi mungesën e nevojave themelore si lapsat kimik dhe fletoret, si dhe mungesën e trajnimit efektiv për përdorimin e pajisjeve elektronike. Sipas panelistëve shumica e stafit të gjykatave nuk di t’i përdorë pajisjet e zërit në sallat gjyqësore, edhepse ishin trajnuar ose u ishte ofruar trajnimi më parë.

Provimi i jurisprudencës, që nuk ishte organizuar për më  shumë se një vit, ishte një problem tjetër madhor që u shtjellua gjatë konferencës.

Në fund, fjala iu dha publikut për të bërë pyetje dhe për t’i ndarë komentet e tyre mbi të gjeturat e raportit.

Projekti “Monitorimi i shërbimeve publike” implementohet nga BIRN me mbështetjen financiare të Rockefeller Brothers Fund, Charles Stewart Mott Foundation, Balkan Trust for Democracy dhe Komisionit Europian.