Ngacmimi Seksual

"Jeta në Kosovë" flet për ngacmimet seksuale

12 mars 2009   Në kohën kur skandali i fundit i ministrit shqiptar të kulturës Ylli Pango po nxitë debate të shumta, në emisionin "Jeta në Kosovë" do të debatohet për masat që duhet të merren në Kosovë, për të parandaluar ngacmimet seksuale.

Çka quajmë ngacmim seksual? A duhet të kenë institucionet tona publike dhe private politika kundër ngacmimit seksual? Ku mund të ankohet një grua apo madje edhe burrë nëse ngacmohet seksualisht? Çfarë tregon përvoja e atyre që kanë ofruar ndihmë juridike për gra kur janë ballafaquar me gjyqet në Kosovë? A mund të presim që shoqëria jonë dhe gjyqet të gjykojnë në bazë të traditës apo në bazë të ligjit? Sa jemi të gatshëm si shoqëri t’ua tolerojmë grave marrjen e atyre që i takojnë me ligj?

Këto janë vetëm disa nga çështjet që do të diskutohen në studio, ku mysafirë të Jeta Xharrës do të jenë:

Flora Macula, nga UNIFEM;
Besim Kajtazi, ekspert i çështjeve ligjore nga Ministria për Shërbime Publike;
Luljeta Vuniqi, Qendra për Studime Gjinore;
Naser Ajeti, Agjencioni për Barazi Gjinore;
Gazmend Kuci, psikolog;
Drita Rexhepi, kordinatore e qendrës juridike;

Në kuadër të segmentit "Kultura në Kosovë", Arif Muharremi analizon ligjet për institucionet e kulturës në Kosovë si dhe sjell një kritikë për shfaqjen e Mentor Zymberajt "Aktori në kuti".