Premtimet për zhvillim

Ndonëse e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në debatin për “Fondin Zhvillimor” që do të emetohet të enjten në RTK,  Besim Beqaj, vetëm 2 minuta para fillimit të xhirimit të emisionit “Jeta në Kosovë”, ka dërguar një SMS, përmes këshilltarit të tij Gëzim Baxhaku, duke thënë se nuk do të jetë pjesë e debatit.

Ky gjest nuk i ka habitur shumë pjesëmarrësit në debat, pasi që siç thanë ata janë mësuar me këtë sjellje të tij dhe shkas duhet të ketë qenë mungesa e argumenteve për ta mbrojtur “Fondin”.

Të hënën në Prizren, ministri Beqaj tha para mediave se fondi dedikohet për krijimin e vendeve të punës dhe për zhvillim ekonomik, por nuk dha detaje tjera më të hollësishme rreth funksionimit të këtij fondi dhe rreth asaj se kush mund të aplikojë dhe cilat janë kushtet specifike.

“Fondi do të dedikohet për krijim të vendeve të punës dhe zhvillim ekonomik”, tha Beqaj. “Është ftesë për të gjitha ndërmarrjet e vogla, të mesme, ndërmarrësit e rinj, ndërmarrjet e mëdha, që dëshirojnë ta zgjerojnë aktivitetin e tyre, që të konkurrojnë me projekte”, shtoi ai.  

I pyetur për kriteret, ai tha se kriteret janë të thjeshta.

“Krijim të vendeve të punës dhe produktivitet në punë”, e përgjithësoi përgjigjen ministri Beqaj.

Ai në momentin e fundit e hodhi poshtë mundësinë që ta sqarojë më detajisht “Fondin” dhe të mbrojë qëllimet e tij para audiencës së emisionit “Jeta në Kosovë”.

Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pjesëmarrëse në debat tha se mosardhja e ministrit në këtë debat tregon se sa është në gjendje qeveria ta mbrojë këtë fond.

“Mosprezenca e tij këtu tregon më së miri se këta nuk mund ta mbrojnë as programin që po e shpërfaqin tani me premtime komplet të pabaza”, tha deputetja Bajrami.

Sipas panelistit tjetër, Besnik Bislimit nga “Vetëvendosja”, sikur qëllimi i “Fondit” të ishte i shëndoshë, Beqaj do të vinte me vrap për t’i marrë meritat.

Spekticizmi për Fondin Zhvillimor

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, thotë se kryeministri vazhdimisht flet për “Fondin Zhvillimor”, por asnjëherë nuk tregon se cilat janë kushtet për të aplikuar bizneset.

“Kur del kryeministri dhe thotë se Fondi Zhvillimor, njëherë tha 1 miliard, mandej tha 1.5 miliard, e tash flitet për një fond prej 2 miliardë, është fond për punësim, është fond zhvillimor, ai asnjëherë nuk tregon se cilat janë kushtet me të cilat bizneset do t’i marrin këto fonde”, tha ajo.

http://youtu.be/MKDD40hdzX4

Fermeri Agim Sahiti, i cili merret me prodhimin e vezëve, thotë se duhet të plotësohen disa parakushte e mandej të jepen paratë për zhvillim të biznesit.

Ai thotë se ndër kushtet kryesore është zgjidhja e problemit me rrymë, ku në mungesë të saj, Sahiti thotë se atë i duhet ta zëvendësojë me naftë, e që po i kushton shumë.

Shpenzime të tilla, sipas tij, po ndikojnë që prodhimi i tij të dalë në treg me çmim më të lartë.

“Unë i harxhoj 40 litra naftë në orë, dhe kur unë nuk kam 10 orë rrymë, unë i harxhoj 400 litra dhe ato kushtojnë 500 euro. Dhe për 500 euro unë e kam prodhimin më shtrenjtë se dikush tjetër që e ka rrymën me kohë”, tha ai.

Keqpërdorimi i subvencioneve

Besnik Bislimi nga “Vetëvendosja” tha në emisionin “Jeta në Kosovë’ se ka raste kur inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë japin grante për njerëzit që nuk kanë tokë bujqësore.

“Inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë u japin grante njerëzve për të cilët e dinë se nuk kanë tokë. Japin nga 80 hektarë ose 50 hektarë. Neve na tregojnë vetë fermerët”, tha Bislimi.

Me këtë konstatim nuk pajtohet fermeri Agim Sahiti, i cili tha se dikush e ka gënjyer Bislimin e “Vetëvendosjes”.

“Nuk mund të them unë se ia kanë dhënë 80 hektarë njerëzve që nuk i kanë pasur fare. Jam i bindur që kjo nuk është e vërtetë. Dikush ty t’ka gënjyer”, tha Sahiti.

Kurse deputetja Bajrami tregoi për një rast interesant. Ajo tha se ka njerëz që kanë privatizuar shumë toka bujqësore, e të cilat i kanë lëshuar me qira për fermerët, e në anën tjetër vetë pronari i atyre tokave merr subvencione nga Ministria e Bujqësisë.

“Njerëz të cilët kanë privatizuar toka në procesin e privatizimit, janë pronarë të tokave, kurrë nuk merren me aktivitete bujqësore, tokat i japin me qira për bujqit, ndërsa këta i marrin subvencionet prej Ministrisë së Bujqësisë”, tha ajo.

http://youtu.be/T3_0OAHoJB0

Për të diskutuar për këto çështje dhe shumë çështje tjera që kanë të bëjnë me “Fondin Zhvillimor”, Jeta në Kosovë sonte, në mungesë të ministrit të Financave, Besim Beqajt, debaton me: Hykmete Bajramin, deputete e LDK-së, Besnik Bislimin nga “Vetëvendosja” dhe Agim Sahitin, fermer.

Emisionin “Jeta në Kosovë” mund ta ndiqni çdo të enjte prej orës 20:20 në RTK 1, dhe reprizën të nesërmen në mesditë.