Problemet me Rrymë

Naim Bejtullahu, Muhamet Mustafa dhe Visar Azemi debatojnë pse ndodhi ngritja e tarifave gjatë kohës kur Kosova nuk ka Kuvend dhe Qeveri, pse ZRrE-ja dhe KEDS-i po i ikin debatit rreth shtrenjtimit të rrymës, mbi çfarë baze ZRrE-ja e miratoi kërkesën e KEDS-it për ngritjen e tarifave, kush kërkon shkarkimin e Bordit të ZRrE-së, kush thotë se ZRrE-ja dhe KEDS-i nuk janë transparentë dhe cila është rruga më e mirë për ta sfiduar vendimin e ZRrE-së.

Naim Bejtullahu nga KOSTT-i, duke folur për vendimin e fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), tha se kjo e fundit është institucion i pavarur.

“Metodologjia e përdorur për shtrenjtim të tarifave është plotësisht transparente”, tha ai. “Rregullatori e ka për obligim ta shikojë përballueshmërinë e çmimit”, shtoi ai.

Në debat kanë qenë të ftuar edhe përfaqësues të ZRrE-së, institucion i cili vendosi shtrenjtimin e tarifave të energjisë për konsumatorët, KEDS-it si dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, por ata nuk kanë pranuar të vijnë.

Visar Azemi nga KOSID tha se “ZRrE-ja vazhdon të mos jetë transparente që nga fillimi”. “Nuk po kanë guxim të dalin në debat”, shtoi ai.

Sipas tij, për ngritjen e tarifave do te duhej konsultohej edhe Kuvendit. Ai tha se është shfrytëzuar vakumi institucional në Kuvendin e Kosovës. Madje, Azemi tha se Bordi i ZRrE-së duhet të shkarkohet sepse ka qenë i ndikuar politikisht.

Muhamet Mustafa, profesor universitar, dhe ish-deputet, tha se ZRrE-ja ka problem me transparencë. “Këtë e kemi konstatuar edhe në Kuvend”, tha Mustafa.

Ai tha se “ZRrE-ja nuk është organ i pavarur dhe se vendimet janë shtyrë në kohë të zgjedhjeve”. “Qytetarët kanë të drejtë të jenë të revoltuar për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike”, shtoi ai.

Mustafa vlerëson se nuk mund të ngarkohet një qytetar tjetër pse dikush tjetër nuk e paguan rrymën. Madje, sipas tij, nuk mund të ngarkohen qytetarët me koston e shpërthimit në KEK.

Duke marrë parasysh se rreth 70 organizata nga shoqëria civile, që nga e hëna kanë nisur peticionin me mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët, për ta kundërshtuar vendimin e fundit të ZRrE-së, megjithatë, Naim Bejtullahu nga KOSTT-i tha se mënyra më e mirë për ta sfiduar këtë vendim, është Gjykata Supreme.

Kurse, Visar Azemi nga KOSID, i cili është ndër organizatorët e peticionit, tha se 21 mijë qytetarë e kanë nënshkruar peticionin për tri ditë.

Gjatë emisionit do të shfaqen edhe dy reportazhe që kanë të bëjnë me vështirësitë e konsumatorëve në furnizim me energji elektrike në disa komuna të Kosovës dhe humbjet që po u shkaktohen bizneseve si pasojë e mungesës së energjisë.

Për të mësuar për detaje tjera rreth kësaj teme, ju ftojmë ta ndiqni sonte debatin në RTK 1, prej orës 20:20.

Të ftuar në debat janë: Naim Bejtullahu – KOSTT; Muhamet Mustafa – profesor; Visar Azemi – KOSID.