Reformimi i sistemit të drejtësisë

Këtë të enjte në “Jeta në Kosovë” mund ta ndiqni debatin mbi reformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Si është e mundur që më se 200 gjyqtarë e prokurorë të mos e kalojnë testin e etikës? A duhet këta të vazhdojnë punën e tyre në sistemin gjyqësor edhe nëse nuk i dinë rregullat themelore të etikës? Si do të rrjedhë procesi i riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve? Cili model është marrë për bazë për reformimin e sistemit të drejtësisë së Kosovës? Cilat janë të palarat, pazaret me lëndë dhe korrupsioni në gjyqësi? A ka krim të organizuar brenda këtij sistemi?

Për t’i diskutuar këto dhe të tjerat në lidhje me sistemin gjyqësor të Kosovës, mysafirë të Betim Musliut në studio do të jenë:

Tomë Gashi, avokat dhe këshilltar ligjor i kryeministrit
Hamdi Ibrahimi, gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë 
Nekibe Kelmendi, ministre e Drejtësisë
Tahir Rrecaj, gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës
Anton Nokaj, kryetar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, si dhe
Ismet Ukshini, kryeprokuror në Prokurorinë Publike Komunale në Gjilan
 

Në kuadër të debatit do të mund ta ndiqni reportazhin televiziv të përgatitur nga Fatmire Haliti, që flet për konfliktin e interesit në institucionet e drejtësisë, ku zyrtarët në të njëjtën kohë punojnë edhe në prokurori edhe në gjyqësi.
 

Reportazhi tjetër, i përgatitur nga Betim Musliu, ekskluzivisht sjellë shënimin zyrtar të zëvendëskryetarit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Mejdi Dehari, i cili shpalos pretendimet për keqpërdorimin e vendimeve nga ana e kryetarit të kësaj gjykate, Anton Nokaj.