Roli i Shoqërisë Civile në Rajon e Botë

Aktivistë, analistë e gazetarë nga rajoni dhe bota i ndajnë përvojat e tyre se çka ka pas sukses e çka jo sidomos në raport me atë se sa ka mundur shoqëria civile të ketë ndikim në avokimin e institucioneve për zbatim të ligjit.

Sipas Aleksandar Dedoviq, pjesëtar i shoqërisë civile të Malit të Zi, sundimi i ligjit, drejtësia dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit mbesin pengesat më të mëdha dhe janë arsyet pse Mali i Zi e ka ende statusin në pritje për integrim në BE.

Organizata që drejton ai merret me monitorimin e korrupsionit në Malin e Zi.

“Puna jonë nuk ka ardhur si shenjë e vullnetit të mirë të elitave politike në Mal të Zi, por ka qenë njëfarë trysnie dhe këshille nga komuniteti ndërkombëtar, sidomos nga Brukseli dhe Uashingtoni që Mali i Zi të fillojë ta integrojë shoqërinë civile në hartimin e ligjeve si të luftohet korrupsioni”, thotë Dedoviq.

Sipas tij, Brukseli dhe Uashingtoni dëshirojnë të shohin rezultate dhe këto rezultate, thotë ai, janë ndjekja, hetimi dhe gjykimi i rasteve të korrupsionit.

Por a do të ketë korrektësi në luftimin e korrupsionit nga institucionet të cilat e bëjnë vetë atë.

“Ndeshja ka filluar dhe ta shohim se si do të luhet”, thotë Aleksander Dedoviq nga Mali i Zi.

Por, sipas tij, bashkësia ndërkombëtare më nuk do t’ia tolerojë Podgoricës “lojën sikur po e lufton korrupsionin”.

Sipas profesorit maqedonas Rade Rajkovcevski, Maqedonia përballet me tri probleme kryesore që janë marrëdhëniet ndëretnike, implikimet e sigurisë nga çështja e emrit të shtetit dhe jostabiliteti politik në të cilat, siç thotë ai, marrin pjesë edhe maqedonasit edhe shqiptarët.

“Kushtet e sigurisë janë të varura nga situata politike”, tha Rajkocevski.

Marija Ristiq, gazetare e BIRN nga Beogradi thotë se veprimet e fundit të qeverisë serbe për arrestimin e biznesmenëve të mëdhenj të përfolur në raste korruptive është bërë “për ta impresionuar Evropën dhe për t’i impresionuar qytetarët e Serbisë” që e luftuan qeverinë aktuale të Aleksandar Vuçiqit.

Ristiq, për tri vjet ka përcjellë proceset gjyqësore në Serbi ndaj ish pjesëtarëve dhe drejtuesve të ushtrisë serbe të akuzuar për krime në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998- 1999.

Së fundmi edhe procesin gjyqësor rreth vrasjeve në Qyshk e Lubeniq të Pejës.

“Së jashtmi duket sikur Serbia po i heton krimet e luftës. Por, të gjithë njerëzit që janë gjykuar deri tash, jo vetëm për krime në Kosovë por edhe në Bosnjë e Kroaci, ishin kryesit e drejtpërdrejtë të këtyre krimeve. Por edhe raporti i progresit i Komisionit Evropian ka thënë se Serbia ka dështuar tërësisht t’i përndjekë  zyrtarët e lartë”, tha Ristiq.

Ajo tha se vetëm tre zyrtarë të lartë të ushtrisë serbe janë gjykuar deri më tani; njëri është liruar, një tjetër pret rigjykimin ndërsa për të tretin pritet të shihet se çka do të ndodhë.

“Njerëzit që urdhëruan vrasjet madje as nuk janë ftuar të dëshmojnë”, tha ajo.

Sipas Astrit Istrefit nga organizata Saferworld në Kosovë dhe Angli, konteksti i Kosovës me vende të ndryshme mund të ndryshojë.

“Por çështjet që i prekin qytetarët janë pothuajse të njëjta dhe kanë të bëjnë me mungesën e llogaridhënies, transparencës së institucioneve. Madje mungesa e llogaridhënies edhe nga akterët ndërkombëtarë që janë të mandatuara dhe të ftuara ta japin ndihmën e tyre”, tha Istrefi.

“Kemi dështuar që t’i përcaktojmë vetë prioritetet… as sot nuk jemi në nivel të duhur të përcaktimit të prioriteteve. Ato janë shtyrë nga partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh ai.

Por për të marrë mësim se si duhet organizuar shoqëria civile, ndoshta duhet shikuar në shembuj përtej rajonit.

Rita Roselin Costa, aktiviste nga Bangladeshi përfaqëson një OJQ për të cilën është raportuar se ka pasur rritjen më të shpejtë në botë.

“Nëse i fuqizoni njerëzit, ata mund të organizohen, ta shfrytëzojnë potencialin dhe të sjellin ndryshime pozitive në jetët e veta”, tha ajo.

Ndërsa Intisar Aladhi, aktiviste nga Jemeni thotë se roli i organizatave ndërkombëtare ishte shuam ndihmues në pengimin e një lufte civile në shtetin e saj në vitin 2011, kur vendi përjetoi një revolucion.

“Në jemen jemi në një periudhë tranzicioni që përfshin dialogun nacional ku shumë palë diskutojnë problemet dhe vijnë me rezultate”, tha ajo.

Pjesëmarrës në debatin e moderuar nga Jeta Xharra janë:

Aleksandar Dedoviq, aktivist – Mal i Zi

Rade Rajkovcevski, profesor – Maqedoni

Marija Ristiq, gazetare – Serbi

Astrit Istrefi, Saferworld Kosovë & Angli

Intisar Aladhi, aktiviste – Jemen

Rita Roselin Costa, aktiviste – Bangladesh

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, transmetohet çdo të enjte nga ora 20:20 në RTK dhe repriza të premten në mesditë.