Tekstet shkollore

Jeta në Kosovë debaton për Tekstet Shkollore

Këtë të enjte Jeta në Kosovë transmeton debat për kualitetin dhe saktësinë e teksteve shkollore në Kosovë.

Këto ditë pritet të fillohet me botimin e teksteve shkollore për 300 mijë nxënës të shkollave fillore e të mesme të Kosovës. Çfarë është kualiteti i këtyre teksteve? A ka pasaktësi shkencore në tekste shkollore? Sa janë të ngarkuara tekstet shkollore me informata? A ka mospërputhje me moshën e nxënësve?

Çfarë gjeneratash të reja mund të presim që mund të përgatiten me tekstet shkollore ekzistuese– gjenerata të reja që mendojnë në mënyrë kritike apo të rinjë që mësojnë përmendësh çdo gjë që iu servohet?

Për të diskutuar këto dhe çështje tjera në lidhje me temën,mysafir të Jeta Xharrës në studio do të jenë:

Resmije Kryeziu, Instituti Albanologjik i Prishtinës
Jusuf Thaçi, autor i analizës së BIRN-it për tekste shkollore
Frashër Demaj, autor i librave shkollor të historisë
Nehat Mustafa, këshilltar i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë-MASHT

Pas debatit, në kuadër të rubrikës Kulmi i Javës, Isa Gacaferi do të sjell rastin e hetimeve të EULEX-it ndaj dukurisë së korrupsionit në Kosovë.

Gjithashtu, në një reportazh tjetër, gazetarja Edona Musa do të flasë për specializimet në Qendrën Klinike Universitare.

Dhe në fund, në kuadër të rubrikës Drejtësia në Kosovë, gazetari Faton Ademi do flasë për vendimin e Komunës së Lipjanit për rrënimin e disa objekteve të përkohshme që gjendën në tokën e hekurudhës, për të cilat pronarët e objekteve kërkojnë kompensim.

Analiza e BIRN-it “Problemet dhe të metat e teksteve shkollore”, e cila është publikuar më 7 maj 2010 gjatë një konference për media , mund të shkarkohet këtu.