Veteranët e luftës së UÇK-së

Jeta në Kosovë debaton për veteranët e luftës së UÇK-së

Këtë të enjte Jeta në Kosovë diskuton për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – UÇK-së, trajtimin e tyre nga shoqëria dhe shteti, si dhe rëndësinë kulturore të objekteve përkujtimore.

A gëzon respekt të mjaftueshëm lufta e UÇK-së dhe luftëtarët që morën pjesën në këtë luftë? A kemi strategji të qartë shtetërore për atë se si duhet trajtuar njerëzit që kontribuan në këtë luftë? Çfarë trajtimi kanë veteranët në vendet perëndimore në krahasim me Kosovën? A po e shfrytëzojnë qeveritë tona luftën e UÇK-së vetën si retorikë për t’i mbuluar gabimet dhe mangësitë e tyre? Si ndihen sot, luftëtarët që pas luftës nuk u angazhuan në parti politike, nuk morën funksione e as nuk zunë banesa e lokale? Sa i kushtohet rëndësi anës estetike dhe mesazhit kulturor që bartin objektet me të cilat shënojmë këtë pjesë të rëndësishme të historisë sonë? Si duket projekt-propozimi arkitektonik për kompleksin memorial të Jasharajve në Prekaz?
Për të diskutuar këto dhe çështje të tjera, mysafirë të Jeta Xharrës në studio janë:

Ylber Selmani, invalid i luftës
Shqipe Mehmeti – Selimi, ish-ushtare e UÇK-së
Faik Fazliu, këshilltar i kryeministrit
Përparim Rama, arkitekt

Përmes një reportazhi televiziv që do të transmetohet gjatë emisionit, gazetarja Jeta Abazi do të flet për trajtimin e veteranëve të luftës nga shoqëria jonë.

Në rubrikën Drejtësia në Kosovë, hulumtuesja Besiana Gashi tregon se si përkundër investimeve të shumta, Sistemi Informativ për Menaxhimin e Lëndëve, SIML nuk funksionon në gjykatat e Kosovës.

Ndërsa gazetari Fatos Halili sjellë turneun kombëtar të debatit “Karl Popper” në Republikën e Kosovës “Prishtina Open 2010” të mbajtur më 27 dhe 28 shkurt nën organizimin e disa organizatave joqeveritare të Kosovës.

Në fund ndiqeni rubrikën satirike Lamjet.