Vjosa Osmani dhe George Bush

Presidentja Osmani takoi ish-presidentin Bush: Aleanca e Kosovës me SHBA-në është testament për vlerat e përbashkëta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së saj në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një takim me ish-presidentin e SHBA-së, George W. Bush.

Sipas një komunikate të Presidencës, presidentja Osmani e ka falënderuar ish-presidentin Bush në emër të popullit të Kosovës për angazhimin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme për vendin.

“Presidentja Osmani theksoi se Presidenti Bush ishte një mbështetës i vendosur për pavarësinë e Kosovës, një mik dhe aleat i popullit të Kosovës, duke theksuar se në çdo kapitull të Republikës së Kosovës jeton trashëgimia e tij, e cila zanafillën e ka te paralajmërimi i Krishtlindjes i Presidentit George H.W. Bush, babai të tij”- thuhet në komunikatë.

Gjatë takimit në Institutin Bush në Dallas, presidentja ka shprehur mirënjohje të thellë për ish-presidentin Bush, për mbështetjen dhe solidaritetin e tij për Kosovën, duke potencuar rolin e rëndësishëm të lidershipit të tij në shpalljen e pavarësisë.

“”Mjaft është mjaft. Kosova është e pavarur” – është fraza paralajmëruese e pavarësisë së Kosovës e presidentit Bush në Tiranë më 2007, e cila do të mbetet e gdhendur në analet e historisë si një afirmim i vendosur i të drejtës së Kosovës për të qenë e pavarur. Presidenti Bush ishte lajmëtari i pavarësisë së Kosovës”- thuhet të ketë deklaruar Osmani në takim.

Më tej, presidentja Osmani ka theksuar se aleanca e Kosovës me SHBA-të është testament për vlerat e përbashkëta dhe përkushtimin ndaj lirisë dhe demokracisë.

Ndërkaq, në njoftim bëhet e ditur se Bush foli me respekt për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë dhe rrugëtimit për shtetetndërtim, konsolidim dhe forcim të pozitës ndërkombëtare.

Bush ka ripohouar miqësinë e tij të qëndrueshme me Kosovën, duke e shprehur besimin për një të ardhme edhe më prosperuese ku Kosova është e integruar në strukturat euroatlantike.