Fotografitë që dëshmuan historinë e Kosovës

Ilaz Bylykbashi, fotoreporteri i cili ka dokumentuar përmes fotografive ngjarje të ndryshme në Kosovë që nga fundi i viteve të 1970-ta.

Bylykbashi në emisionin #KallxoPërnime ka rrëfyer histori të ndryshme përmes fotografive të tij.

Ai ka rrëfyer për realizimin e fotografive të Fehmi Lladrovcit në gjykimin e vitit 1984-1985.

“As unë se kam ditë se kush është kur e kam fotografu (Fehmi Lladrovcin). Ka qenë një grup shumë i madh në rendin e parë i dinim emrat kush janë, por jo në rendet e dyta e të treta. Këto gjykime kanë qenë të përgatitura për të bërë presion tek njerëzit. Ky grup ka qenë më i organizuar në rajonin e Drenicës” – rrëfeu Bylykbashi.

Bylykbashi ka shtuar se e ka kuptuar kush është Lladrovci dy javë para se ai të vritej.

“Kam qenë në oborrin e tij ulë në një stam në Gllanasellë. Kemi qenë diku 50-60 metra larg edhe po më thërret Bylykbash ku je? I thashë unë s’po të njoh ty, më tha jo unë të njoh ty se në gjykim tha ti ke fotografu, atëherë i kam këqyrë filmat që i ka ruajt baba në katund, këta filma kanë qenë të sigurt, të vetmit filma që s’më kanë humbë kanë qenë këta” – tha Bylykbashi.

Për shkak të veprimtarisë politike, Fehmi Lladrovci ishte burgosur nga forcat policore serbe në fillim të shtatorit të vitit 1985 dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim.

Fehmi Lladrovci ishte njëri nga komandantët dhe luftëtarët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ra dëshmor më 22.09.1998 gjatë luftimeve të ashpra me forcat serbe dhe bashkë me të ra dëshmorë edhe bashkëshortja e tij Xhevë Krasniqi- Lladrovci.

Ndryshe, fotoreporteri Ilaz Bylykbashi kishte filluar punën si fotoreporter fillimisht në ‘Bota e Re’, e më pastaj kishte vazhduar më shumë se dy dekada në gazetën ‘Rilindja’.

Ndërsa në vitin 1996 ai kishte botuar librin ‘Kronikë’, me mbi 5 mijë fotografi që tregojnë historinë e viteve të ’80-‘90-ta të Kosovës.

Bylykbashi ka vazhduar rrëfimin për gjykimet që ndodhnin gjatë viteve 80-ta dhe 90-ta. Ai në emisionin #KallxoPërnime ka treguar edhe për reagimet e gjykatësve shqiptarë kur dënoheshin shqiptarët në kohën e regjimit serb.

“Unë për veti me pas qenë se kisha leju më me dalë. Ne sa herë kemi dalë në pauzë nga këto gjykime, e kam ndërruar këmishën sepse ka qenë mundim i madh” – tha Bylykbashi.

Ai ka thënë se gjyqtarët kryesorë kanë qenë shumë të përmbajtur ndërsa shtoi se edhe të burgosurit kur u kumtohej dënimi, secili ka qenë me kokën lartë.

“As krytë s’e kanë ulë, kanë qëndruar stoikë të burgosurit edhe kur kanë qenë para gjykimit. Qëndrimi i tyre ka qenë i papërkulur dhe mendoj se ishte me çu një mesazh te popullata qëndrimin e tyre” – tha Bylykbashi.

“Sa kam dëgjuar, një kryetar i gjykatës që ka qenë përpara, ka vazhduar punën edhe pas luftës” – tha Bylykbashi për gjykimet e paraluftës ndaj shqiptarëve.

Ilaz Bylykbashi është fotoreporter i cili ka dokumentuar përmes fotografive ngjarje të ndryshme në Kosovë që nga fundi i viteve të ’70-a.Ndryshe fotoreporteri Ilaz Bylykbashi kishte filluar punën si fotoreporter fillimisht në ‘Bota e Re’, e më pastaj kishte vazhduar më shumë se dy dekada në gazetën ‘Rilindja’.

Ndërsa në vitin 1996 ai kishte botuar librin ‘Kronikë’, me mbi 5 mijë fotografi që tregojnë historinë e viteve të ’80-‘90-ta të Kosovës.

Fehmi Lladrovci në gjykimin e vitit 1984, Foto: Ilaz Bylykbashi
Fehmi Lladrovci në gjykimin e vitit 1984, Foto: Ilaz Bylykbashi

Si e njohu fotoreporteri Ilaz Bylykbashi familjen Jashari?

Fotoreporteri Ilaz Bylykbashi ka treguar se si është njoftuar me Shaban Jasharin në vitin 1991.

Ai ka rrëfyer takimin me të, si dhe prezencën e Azem Vllasit në odën e Shaban Jasharit.

“Nëntor ’91-tën. Azem Vllasi ka shkuar në këtë odë në përvjetorin e minatorëve të Trepçës, tubimet nuk u lejojshin askund edhe këta morën iniciativë disa minatorë të Prekazit dhe thonë që ata e gjejnë vendin dhe s`iu tregojnë ku” – thotë Bylykbashi.

“Oda e madhe, kur hymë valla 200 veta kanë qenë aty. Një fjalë më ka mbetur në kokë, pasi që janë ulë ata, bisedat kanë qenë për minatorët dhe Gani Koci më pati thënë ‘që rri me Azem Vllasin ‘gu – m’gu se kam mendu, e di që kanë me më sha krejt, por kur është çështja shqiptare, do të bashkëpunojmë” – rrëfen Bylykbashi.

Fotografia në odën e Jasharajve, shpjegon ai është realizuar në vitin 1991 dhe është botuar në vitin 1996, në librin e tij, ‘Kronikë’.

“Në librin që e kam botuar i kam thënë që dua ta publikoj këtë fotografi të odës, ai ka thënë në rregull vetëm emrin tim ndryshoje. Nuk jam frikësuar që po më ndodh diçka por më tha që botoje por ruaje vetën, bile më tha futja emrin ‘Ismajl’ – rrëfen reporteri Bylykbashi.

“Në 1991, Rifat Jashari ka dalë i plagosur, dy a janë të vrarë se di, po gjuajt i ka”

“Kur kemi shku aty krejt familjet i kishin qitë jashtë, kur kanë hy me i kontrollu, i kanë mbështet për muri banorët e tri lagjeve. Deri ka ardh Fehmi Agani nga Prishtina me delegacion dhe janë liruar. Unë e di që atë ditë nga dora e Rifat Jasharit janë plagosur dy policë, a janë vrarë a jo se di, por gjuajt me armë kanë por se di a kanë qenë shqiptarë apo serbë” – rrëfen Bylykbashi.

“E kam të fotografuar edhe vendin e punës ku ka punuar Adem Jashari”

“E kam të fotografuar edhe vendin e punës ku ka punuar Adem Jashari. Qikjo është shitorja. Ademi ka punuar në dyqan të vetin që i hapshin shqiptarët për me mbajtë familjen” – rrëfen tutje Bylykbashi.

Më 30.12.1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar, 1998.

Më 22.01.1998 forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar.

Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamëz Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 personave në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.

Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.

Punëtoria e Adem Jasharit, Foto: Ilaz Bylykbashi
Punëtoria e Adem Jasharit, Foto: Ilaz Bylykbashi

Fotografitë më të vështira për fotoreporterin Ilaz Bylykbashi

“E fotografitë që në fillim më kanë shkatërru edhe prej atij momentit, kanë qenë kur e kam hapur arkivolin e parë në Grejkoc të Suharekës (ushtarët që janë kthyer të vrarë nga lufta e ish-Jugosllavisë) që janë kthyer të vrarë në sanaka (arkivole)”- ka thënë Bylykbashi.

Fotoreporteri që dokumentoi ngjarjet e Kosovës të fund viteve të ’70-ta, të ’80-ta dhe atyre ’90-ta, në një rrëfim për emisionin #KallxoPërnime, shton se në këto arkivole shkruhej që të mos hapeshin por megjithatë ata kishin vendosur që t’i hapnin.

Këta ushtarë kishin shërbyer në ish-Jugosllavi e të cilët u kthyen të vrarë në Kosovë në vitin 1989-1990.

“Përmbi arkivol shkruhej: Nuk guxon të hapet. Emrin e njërit s’mund ta harroj, Fatmir Tafaj. Ka qenë i vrarë me plumb që i kishte dalë në shpinë dhe fytyrën e kishte llom, pra ajo vetëvrasje s’ishte se edhe fytyra edhe plumbi, vetëvrasje është me një akt jo me dy apo tri katër gjuajtje” – rrëfen Bylykbashi.

“Ma morën aparatin dhe të gjitha më lanë vetëm në papuçe edhe dola n’Bllacë”

“Në Bllacë kam dalë masi m’i morën të gjitha edhe aparatin, më lanë vetëm në papuçe edhe dola, s’kisha mo çka me bo se familjen e pata qitë, në të njëjtin tren ka qenë Rexhep Qosja. Mua më kanë futur për dritare në tren. Aty i kam dhënë dokumentet e identifikimit” – rrëfen Bylykbashi.

Ai ka thënë se kur ka migruar për Australi, doktoresha e cila e kishte vizituar i kishte thënë atij se do t’i duheshin 30 vjet për ta marrë vetën.

“Më ka marr ajo mjekja, e kam pas librin me veti ja kam dërgu me i tregu me kë ka punë. Ajo kishte pasur punë edhe me boshnjak pra kishte pasur përvojë dhe më tha të duhen 30 vjet për me ardh në veti. Me të u kuptojsha kroatisht” – vazhdon rrëfimi i Bylykbashit.

Më 10.04.2024 është shënuar 25-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës së fundit në Kosovë, mbi 500 mijë shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërngulen në Shqipëri dhe Maqedoni.

Bylykbashi ishte fotografuar edhe Liqenin e Ujmanit që në atë kohë nuk ishte ndërtuar ende.

Ai tha se arsyeja që e ka fotografu këtë është pikërisht ura për të cilën thuhej sipas tij që janë dhënë shuma të mëdha parash.

“Na jemi kanë në terren për krejt diçka tjetër, kemi kalu asajde, më bani përshtypje, po them çka është qekjo? Tha, qekjo… Ura. A u folke 500 milionë, a sa, tha janë dhanë për këtë urë. Edhe thash, ja valla, pa e fotografu se la. Tani e pata gjetë një me kije me sajë t’u… janë do fotografi të kësaj pjese ku i kam bo, tash ku kam mujtë me mbërri, nuk jam kthy kurrë prej asnjë vendi pa e pasë një fotografi që ka me folë për diçka, që i vyen kohës”- ka thënë Bylykbashi.

Masat e dhunshme në gazetën ‘Rilindja’

Ilaz Bylykbashi, i cili filloi punën si fotoreporter në fund vitet e ’70-ta, ka folur për masat e dhunshme në gazetën ‘Rilindja’, duke thënë që nga viti 1990 kanë filluar këto masa.

Ai në intervistën dhënë për emisionin #KallxoPërnime ka thënë se dhuna ndaj gazetarëve ka qenë permanente.

“Më 2 korrik u shpallë deklarata, më 5 korrik masat e dhunshme kanë hy në mjetet e informimit, në televizion, radio e ‘Rilindje’. Unë atë ditë kam qenë në Mitrovicë, në fabrikën e baterive, në tri katër fabrika kemi realizuar intervista me punëtorët. Qëllimi i tyre kanë qenë gazetarët, dhuna ndaj gazetarëve kurrë s’është nalë në asnjë moment” – tha Bylykbashi.

Fotoreporteri Bylykbashi ka kujtuar edhe momentin kur iu hoqën shkronjat ‘Rilindja’.

“Ata kanë dashur që çdo gjë ta kolonizojnë dmth çdo gjë e bënin në cirilikë edhe emrat kanë qenë ashtu, me ja lanë atje “Rilindja” ja vrajke sytë, këto foto i kam bërë nga larg. Atë ditë një pjesë u largu një pjesë qëndroi aty. Jemi tubu kemi vendos që do të punojmë dhe kemi arrit me nxjerr gazetën të nesërmen ka qenë në emër të ‘Shkëndija”, “Rilindja”, një kohë është botu në gazetën “Zëri”, është botuar në gazetën “Fjala””.

“Për mua ka qenë Maksut Shehu (Kryeredaktor i Rilindjes), më i miri në atë kohë. Një njeri që me i mbrojt aq shumë punëtorët si ai s’ka pas. Ka qenë kryeredaktor qysh në vitet e ’80-ta” – tha Bylykbashi.

Ai foli edhe për Xhemajl Mustafën dhe Enver Malokun, të cilët në atë kohë kanë punuar në Rilindje.

“Xhemajl Mustafa ka punuar në fund të ’80-ave në Rilindje, në atë kohë ka qenë redaktor i kulturës. Enver Maloku ka punuar pak në Rilindje pastaj ka shkuar në televizion. Pjesa më e madhe e gazetarëve të kulturës janë përfshi pastaj në politikë”– thotë Bylykbashi.

‘Më thanë serbët që ekspozita e radhës do të jetë me fotografi të familjes tënde’

Bylykbashi ka rrëfyer momentin kur është rrahur nga forcat serbe në vitin 1992.

Bylykbashi në emisionin #KallxoPërnime, ka thënë se atë ditë ishte vrarë një polic serb nga aksioni i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Unë u pata mësu për së dyti me ec. Është vrarë edhe dikush prej shqiptarëve por s’po më kujtohet, unë isha atë ditë nëpër Prishtinë por shkova në këtë ngjarje. Kur kemi shku atje policia ish bo kordon në rrugë, jo për neve por ato ditë kanë pësuar së paku 10 mijë persona. Kur e panë që jemi gazetarë na thanë që juve po ju presim si ‘zojë (zogj)’. Edhe na kanë shti mrena na kanë rreh, e kur kemi dalë pas dy ore, aparatat s’mi kishin pas prek, kur kemi ardh te ‘Kroni i Mretit’ jemi ndalë jemi pastruar që të mos na shohin fëmijët ashtu. Unë tre muaj ditë mezi jam dalë me ecë”– rrëfen Bylykbashi.

Ai ndër tjerash ka treguar edhe momentin kur u frikësua më së shumti gjatë asaj kohe. Sipas tij, momenti më i frikshëm për të ka qenë kur e kanë kërcënuar me familje.

“Ekspozitën kur e kam pas në Tiranë në ’98-tën, kur jam kthy, na i kanë gjet filmat. Më kanë zhvesh më kanë bërë gati me m’rreh në Han të Elezit. Në çdo moment kam prit me ndodh diçka andaj i heka fëmijët prej Kosovës i dërgova në Bllacë. Sepse më thanë që ekspozitën e radhës do ta bësh të familjes tënde (me fotografi të familjes tënde), kur ma kanë përmend familjen jam frikësuar shumë”– ka rrëfyer Bylykbashi.

‘I kam fotografu çdo kufomë, një nga një’ – dokumentimi i masakrës së Familjes Jashari

Ilaz Bylykbashi ka rrëfyer momentin e dokumentimit të masakrës së familjes Jashari përmes fotografive.

Bylykbashi në emisionin #KallxoPërnime, ka thënë se atë ditë i kishte realizuar mbi 500 fotografi.

“Na kur i kemi ba fotografitë e masakrës së Jasharajve, ka pas forca policore në çdo cep. Nuk kam ditë më çka është frika. Deri në 7 fotografi të ndryshme i kam bërë të komandantit Adem Jashari. Bacën Shaban e Hamzën i kam njohur më herët”– rrëfen Bylykbashi.

“Kur i kam zhvillu fotografitë e kam parë që i kisha bërë mbi 500 foto të kësaj masakre për nja 45 minuta me thanë. Jena kanë t`u fotografu, Xhafer Murtezaj ka qenë udhëheqës i komunës kur m`ka pa që po dua me i shti në çantë aparatat, më tha “lej mos i prek se unë ta bi nesër në Prishtinë”. Secilin trup e kemi fotografu një nga një. Ai [Xhafer] Murtezaj m’ka shpëtu, se me u pas kthy me aparata… Filmat ja kam dhënë Nekibe Kelmendit dhe Edi Shukriut i kam thënë me i dërgu në “Rilindje” edhe te Foto Nesha me i zhvillu”– vazhdon rrëfimin e tij Bylykbashi.

Ai ka shtuar se ka qenë shumë e vështirë me i fotografu të vrarë personat që i kishte njohur.

“Kam nejt në odën e tyre, mas 7 vjete i kam fotografu të vramë, shumë zor, shumë e ranë”– rrëfen Bylykbashi me lot në sy.

Më 30.12.1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj Familjes Jashari, ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar, 1998. Më 22.01.1998 forcat serbe e kanë sulmuar Familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e Familjes Jashari i kanë rezistuar.

Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kishin mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamëz Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 personave në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.

Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.

Bylykbashi ka ndarë me shikuesit edhe disa fotografi të ish presidentit Ibrahim Rugova me Adem Demaçin, e që në atë kohë qarkullonin lajme për përçarje mes tyre.

“Kjo ka qenë mbledhje se atëherë u pat zgjedh Demaçi kryetar i Partisë Parlamentare, edhe po i thotë (Rugovës), bonu gati për zgjedhje, ke me pas luftë, i tha vendin e kryetarit s’ta prekim a kena me t`i marr krejt, prej Fehmisë, Xhemën e Enverin, bile i tha Xhemën e Enverin i kam të mitë, me Sabri Hamit e me krejt, Rugova i tha krejt merri, hiç s’është problem, kjo është demokracia”- kujton Bylykbashi takimin mes Rugovës e Demaçit, ky i pari i uronte Demaçit pozitën e kryetarit.

“Ishte një takim për fund vit në ’96-tën”- kujton tutje Bylykbashi.

Ai ka ndarë me shikuesit edhe fotografitë të cilat i kishte realizuar gjatë protestës së ndërtimit të kishës në kampusin e Universitetit të Prishtinës.

“Nja 4-5 herë dilshin në demonstrata për me mbrojtë Universitetin. Në rend të parë janë Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu t`u e mbajt pankartën, janë pastaj Eshref Ademaj e profesorë të UP-së. Këto protesta ishin për mbrojtjen e hapësirës së UP-së. Atëherë se kam ditë kush është Hashim Thaçi e që është në këtë fotografi e kam kuptuar shumë më vonë”- thotë Bylykbashi.

Fotografitë e nxënësve të helmuar  

“Kjo fotografi është në oborr të spitalit, kur s`mujke mo me ec thuaja pa vetëdije ka qenë. Edhe këta i sjellshin para duarve nxënësit e helmuar, i merrshin te shkolla se filluan me mbyll hymjen e spitalit e si lejshin kerret mo me hy mrena edhe tash njerëzit i merrshin prej atjehit dy kilometra sa i ka me i marr me i çu në infektive. U organizuan populli i merrshin para duarve dhe i dërgonin në spital që të gjithë ishin pa vetëdije”- rrëfen Bylykbashi.