Ilustrim - Policia në aksion

Aksion kundër narkotikëve në Prizren, dy të arrestuar dhe një në arrati

Prokuroria Themelore në Prizren në koordinim me Policinë e Kosovës, me 28.03.2024, ka arrestuar dy të dyshuar për kryerje të veprave penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për të ardhur deri tek arrestimi i të dyshuarve me inicialet K.B dhe E.Sh, Prokuroria në Prizren njoftoi se pati edhe aplikim të masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit.

Policia bashkë me Prokurorinë kontrolluan në shtëpitë dhe pjesët përcjellëse të tyre, prona të të dyshuarve, K.B, E.Sh dhe S.F.

Prokuroria njofton se në shtëpinë e të dyshuarit E.Sh., Policia ka gjetur dhe sekuestruar sasi të narkotikëve të llojit “kokainë”, me peshë rreth 500 gram, ndërsa në lokalin e të pandehurit K.B., është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e llojit “TT” dhe rreth 50 fishekë.

“Me urdhër të prokurorit personat e dyshuar K.B., E.Sh., gjenden në ndalim 48 orësh, ndërsa i dyshuari S.F., gjendet në arrati” – ka thënë Policia.

Prokurori i Shtetit, ndaj të dyshuarve K.B., dhe E.Sh., brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

Ndërsa është njoftuar se për të dyshuarin S.F., Prokuroria në bashkëpunim me Policinë, janë duke kryer hetime intensive për kapjen e tij.