Bursa Ballkanike për Shkelqësi në Gazetari

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), në bashkëpunim me Robert Bosch Stiftung dhe Fondacionin ERSTE, për të gjashtin vit me radhë, e hap garën për aplikim në programin “Bursa Ballkanike për Shkëlqësi në Gazetari”. Tema e shkrimeve të këtij viti është “Komunitetet”.

Gazetarët nga Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania dhe Serbia janë të ftuar të aplikojnë deri më 5 mars 2012.

Aplikuesit janë të inkurajuar që trajtojnë temën në një këndvështrim më të gjerë. Kandidatët duhet të kenë parasysh faktorë të ndryshëm politikë, ekonomikë, kombëtarë, gjinorë dhe ndërlidhjen e tyre, ndikimet e jashtme dhe zhvillimet e fraksioneve të reja. Sigurohuni që të mendoni për rëndësinë e storjes, jo vetëm në vendin tuaj, por të paktën edhe në një shtet tjetër rajonal dhe brenda Bashkimit Evropian. Zgjidhni fenomene që janë relevante, aktuale dhe origjinale.

Nga bursistët pritet të shkruajnë shkrime hulumtuese, prej jo më shumë se 2,000 fjalësh, të cilat do të informojnë lexuesit rajonalë, për çështje që nuk janë mbuluar nga media më parë.

Remzi Lani, drejtor i Institutit Shqiptar për Media dhe anëtar i komisionit përzgjedhës të programit, e përshkroi bursën si një “storje suksesi” dhe një “mundësi që nuk duhet të humbet”. “Programi ofron një mundësi unike për raportim hulumtues në vendin tuaj dhe më gjerë. Në të njëjtën kohë, bursa ofron mundësinë për të takuar kolegët dhe profesionistët e industrisë nga e gjithë Evropa”, tha Remzi Lani.

Dhjetë kandidatët që do të përzgjidhen nga një komision i pavarur, do të marrin një bursë prej 2,000 euro, si dhe 2,000 euro të tjera për shpenzime të udhëtimit dhe të hulumtimit, si dhe do të kenë mundësinë të marrin pjesë në seminare për zhvillime profesionale në Vjenë dhe në Shkup. Njëkohësisht, tri shkrimet më të mira, edhe këto të vlerësuara nga një komision i pavarur, do të marrin shpërblime prej 4,000 euro, 3,000 euro dhe 1,000 euro.

Më shumë informata rreth temës të këtij viti, formën e aplikimit dhe udhëzimet mund t’i gjeni në:

http://fellowship.birn.eu.com/en/fellowship-programme/topic-2012-communities-apply-now

Për më shumë informata kontaktoni:

Flutura Kusari

Tel: +381 38 22 44 98

Email: [email protected]