Vetura e konfiskuar nga Policia në Klinë, më 18.04.2024, Foto: Policia e Kosovës/Facebook

Klinë, voziti me patentë që nuk i kishte kaluar afati i ndalimit, gjobitet me 500 euro

Policia në Klinë ka ndaluar një veturë dhe gjatë kontrollit ka vërtetuar se vozitësi drejtonte mjetin e tij me patentë që nuk i ka përfunduar masa mbrojtëse apo koha për të cilën i është ndaluar vozitja, si pasojë e dënimit të mëhershëm.

Në vendimin për kundërvajtje të shqiptuar ndaj shoferit, shihet se Policia e ka regjistruar kundërvajtjen më 18.04.2024, rreth orës 20:40 dhe se ka ndodhur në ose afër fshatit Zajm, në Klinë.

Sipas njoftimit të Policisë, ndaj të dyshuarit është shqiptuar gjoba në vlerë 500 euro dhe i është vazhduar masa mbrojtëse në afat prej gjashtë muajsh.

Të dyshuarit po ashtu i është konfiskuar vetura, ka njoftuar Policia.

“Stacioni Policor Klinё, me datё 18.04.2024, gjatё kontrollit rutinor ka hasur nё vozitёsin i cili ishte duke vozitur veturen nёn masё mbrojtёse, tё njëjtit iu ёshtё sekuestruar pёrkohёsisht vetura dhe ndaj tij ёshtё shqiptuar fletёgjoba prej: 500 euro, 5 pikё negative, 6 muaj masё mbrojtёse dhe sekuestrimi i veturёs” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 19.04.2024.

Sipas Ligjit të ri për rregullat e trafikut rrugor, në nenin 246, ku flitet për “masa mbrojtëse për pantentë shoferi’, në paragrafin dy thuhet: “Shoferit të cilit i është marrë patenta e shoferit ose që është larguar nga trafiku rrugor sipas këtij ligji, ose ndaj të cilit është shqiptuar masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik, nuk i lejohet gjatë asaj kohe ta drejtojë mjetin në trafikun rrugor”.

Ndërkaq, në paragrafin pesë të nenit 246, pëcaktohet dënimi të cilin Policia e ka shqiptuar ndaj vozitësit.

“Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëqind euro, masa mbrojtëse ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik prej gjashtë muaj, si dhe pesë pikë negative, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 2. të këtij neni” – thuhet në paragrafin 5, neni 246, në Ligjin e ri për rregullat e trafikut rrugor.

Në anën tjetër, konfiskimi i veturës përderisa vozitësi e ka drejtuar në kushte pa patentë shofer rregullohet përmes paragrafit gjashtë të nenit 246 të këtij Ligji.

“Nëse shoferi, ndaj të cilit është shqiptuar masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik, e drejton mjetin në trafikun rrugor gjatë periudhës së masës mbrojtëse, do t’i konfiskohet përkohësisht mjeti te cilin është hasur duke e drejtuar, deri sa ndaj të njëjtit është aktive masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik” – thuhet në paragrafin 6, neni 246, të Ligjit.

Si përfundim, Policia u bën thirrje vozitësve që t’i respektojnë rregullat e parapara me ligj.

Nga 3 prilli 2024 ka hyrë në fuqi Ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor, me anë të të cilit janë ashpërsuar gjobat për shkelësit e rregullave në komunikacion.

Ky Ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 22.02.2024 dhe është dekretuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11.03.2024, duke e shfuqizuar Ligjin e vjetër për rregullat e trafikut rrugor, i cili ka qenë në zbatim që nga gushti i vitit 2016.