Escobar për KiE: Ka pasur shqetësime për Asociacionin, Kosova duhet t'i dëgjojë partnerët europianë

Përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, është deklaruar në lidhje me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.

Në një konferencë online, ai ka deklaruar se SHBA nuk ka votë në këtë organizatë, por ka theksuar se ka pasur disa shqetësime brenda disa vendeve anëtare që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe disa kërkesa të tjera lidhur me minoritetet nuk janë plotësuar.

Escobar ka theksuar se Kosova duhet të punojë me partnerët europianë për të përforcuar kandidaturën për anëtarësim në të gjitha strukturat euro-atlantike.

“Siç e dini në Këshill, SHBA s’ka votë. Por e di që ka shqetësime tek disa anëtarë të caktuar që Asociacioni dhe disa kërkesa të tjera që janë bërë viteve të fundit dhe disa çështje me minoritetet, s’janë plotësuar. Këto janë disa shqetësime që Kosova mund të mos ketë votën në Këshill. Është qëndrimi i SHBA-së që Kosova duhet të jetë anëtare plotë e BE-së dhe NATO-s dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Mirëpo njëkohësisht, në rrugën europiane është e rëndësishme që Kosova duhet të dëgjojë partnerët evropianë dhe të punojë me ta për të përforcuar kandidaturën e Kosovës për të gjitha strukturat euro-atlantike”- ka deklaruar Escobar.

Teksa ka folur për Marrëveshjen e Ohrit, Escobar ka theksuar se të dyja palët nuk i kanë përmbushur zotimet e tyre.

“Mendoj se pritjet për të dyja palët janë të qarta. Unë isha i pranishëm në Ohër kur u dakordua që të gjitha elementet e asaj marrëveshje të ishin menjëherë të zbatueshme. Kjo do të thoshte për Kosovën- Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, kurse për Serbinë-  të mos e pengojë rrugëtimin e Kosovës në çfarë do organizate euro-atlantike. Fatkeqësisht të dyja palët nuk e kanë arritur atë zotim. Mirëpo, besoj se në momentin që do ta kemi këtë marrëveshje në binar, rajoni do të jetë në një pozitë më të mirë dhe të dyja shtetet do të kenë një lidhje paqësore me njëra tjetrën”- është shprehur emisari i SHBA-së.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha të mërkurën më 08.05.2024, se nuk e di nëse anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës do të futet në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave që pritet të mbahet javën e ardhshme.

Anëtarësimi i Kosovës, sipas Kurtit nuk varet më nga Kosova, sepse ajo ka plotësuar të gjitha kushtet, por tha se shpreson më të mirën në ditët në vijim dhe më 17 maj 2024, kur është planifikuar mbledhja.

“Më besoni po të varej prej meje, do të vendosej në agjendë dhe “për” Kosovën” – tha Kryeministri i pyetur nga KALLXO.com se a pret që kjo çështje të futet në agjendë dhe se a do të sigurohen votat e Gjermanisë dhe Francës.

Këshilli i Europës ka thënë për KALLXO.com se çështja e anëtarësimit të Kosovës nuk është futur ende në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave.

Kurti thotë se nuk di nëse anëtarësimi i Kosovës do të futet në agjendën e Këshillit të Europës