Drejtësia në Kosovë diskuton për rrëmbimin e një qytetari në Prizren

 

Këtë të diel në ora 21:00, “Drejtësia në Kosovë” transmeton emisionin për rrëmbimin e një qytetari të Prizrenit.

Si u rrëmbye djali i një biznesmeni të njohur në qytetin e Prizrenit dhe çfarë kërkuan rrëmbyesit nga familja e tij? Në çfarë kushte u mbajt i rrëmbyeri, për gjashtë ditë me radhë?

Sa persona u dyshuan për këtë rast? Si u inkriminuan edhe policët e Policisë së Kosovës në rrëmbimin e këtij qytetari? Pse u liruan tre prej të dyshuarëve?

Si u arrestuan dy të dyshuarit e fundit për këtë rast? A është e njoftuar prokuroria për mënyrën e dy të arrestuarve të fundit? Si u keqtrajtua Leonard Veshalli për të pranuar kryerjen e kësaj vepre dhe për ta inkriminuar edhe Shukri Krasniqin?

Sa para i’u ofruan Hidajet Gashit për të dëshmuar kundër Shukri Krasniqit? Pse u gjuajt tri herë me armë zjarri Hidajet Gashi dhe pse policia nuk gjeti prova në vendin e ngjarjes?

Çfarë reagimi kanë familjet e të dyshuarve dhe çfarë përgjigje ka Prokuroria e Qarkut në Prizren?

Për të diskutuar lidhur me këto çështje, hulumtuesi Petrit Kryeziu ka intervistuar:

Atifete Veshalli, nëna e të dyshuarit Leonard Veshalli;
Hatixhe Veshalli, bashkëshortja e të dyshuarit Leonard Veshalli;
Anita Krasniqi, bashkëshortja e të dyshuarit Shukri Krasniqi;
Rrahman Krasniqi, vëllau i të dyshuarve Shukri dhe Bashkim Krasniqi;
Lumnije Krasniqi, bashkëshortja e të dyshuarit Bashkim Krasniqi;
Lindiana Krasniqi, vajza e të dyshuarit Bashkim Krasniqi;
Hidajet Gashi, i dëmtuar;
Adem Delija, i dëmtuar; dhe
Sylë Hoxha, kryeprokuror i prokurorisë së qarkut në Prizren.

Në fund të emisionit, “Drejtësia në Kosovë” transmeton aksione të drejtpërdrejta të Policisë së Kosovës.