(Ilustrim) Bislimi- Petkoviq- Lajçak FOTO: Twitter

Lajçak: Janë zvogëluar dallimet për çështjen e dinarit, pres ide konkrete në takimin e ardhshëm

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se po vazhdojnë përpjekjet për të gjetur një rrugë në lidhje me çështjen e dinarit.

Ai ka thënë se diferenca mes palëve për këtë çështje është zvogëluar.

Ndërsa ka njoftuar se do të presë prapë për takim dy kryenegociatorët dhe se pret që bisedimet për këtë çështje të bazohen në ide konkrete.

“U ktheva në Bruksel për vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një rrugë të mesme në lidhje me të ashtuquajturën “çështja e dinarit”. Diskutuam një zgjidhje të mundshme të përkohshme për qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operimin me para të gatshme dhe besoj se ia dolëm ta ngushtojmë diferencën. Në të njëjtën kohë, disa dallime mbeten dhe për këtë arsye do të pres sërish dy kryenegociatorët në takim në Bruksel dhe pres që bisedimet tona të bazohen në ide shumë konkrete, të cilat do të na mundësonin të ecim përpara në interes të popullit”- ka thënë Lajçak.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar më 18 prill në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, për të diskutuar për një zgjidhje për çështjen e dinarit të Serbisë.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka konfirmuar se në takimin e sotëm në Bruksel nuk është arritur ndonjë marrëveshje për çështjen e dinarit. Madje, ai e quajti këtë takim si “të kotë dhe pa rezultat”.

Ky ishte takimi i tretë mes kryenegociatorëve, dhe i katërti mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me përpjekjet për zgjidhjen e çështjes që lidhet me transferimin e mjeteve financiare nga Serbia për qytetarët serbë në Kosovë.

Më 01.02.2024 në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Lajçak: Me kryenegociatorët do takohemi përsëri javën e ardhshme për të diskutuar për dinarin