Kurti u bën thirrje bizneseve të thellojnë bashkëpunimin me Qeverinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dialogu mes bizneseve dhe Qeverisë mund ta transformojë ekonominë e Kosovës.

Ai u ka bërë thirrje bizneseve që të thellojnë edhe më tej bashkëpunimin.

“Është një rikujtim i mire që të gjithë mund të mësojmë nga njëri-tjetri. Sot, derisa jemi mbledhur për të diskutuar relacionet, është e rëndësishme të kuptojmë si një dialog politiko – privat mund ta transformojë ekonominë tonë. Gjatë vizitës sime të fundit në Gjermani në panairin me të madh të industrisë theksova se Kosova është ekonomi e lirë”- tha ai.

“Ne [si Qeveri] po lëvizim për të hequr licencën e eksportit për produkte farmaceutike, një pengesë kjo jo tafirore që vështirësoj biznesin për shumë vite me radhë”- ka paralajmëruar ai.

Në takimin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime të zhvilluar më 07.05.2024, Kurti tha se do të punohet në atë drejtim që nga Kosova të ketë pjesëmarrje sa më të madhe në panaire ndërkombëtare.

Sipas tij, strategjia dhe politikat e mira i parandalojnë problemet.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe një pjesë e kabinetit qeveritar.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi foli për fondin që ndahet për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ajo se si funksion Plani i Rritjes është që Kosova bashkë me vendet tjera dakordohen për një listë të reformave. 50% e fondeve shkojnë si mbështetje direkte ndërsa pjesa tjetër shkon në formë të investimeve që shumica janë grante. Fondi prej 6 miliardë euro është fond në dispozicion por jo i garantuar”, ka deklaruar ai.

Zv.ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, nga ana e tij ka folur për projektet infrastrukturore.

“Gjatë kësaj periudhe kanë vazhduar punimet me intensitet të shtuar nga projekte infrastrukturore-rrugore, konkretisht rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Mitrovicë. Kemi hapur thirrjen publike për komunat e Kosovës për projekte infrastrukturore në shumë prej 17 milionë euro dhe tani jemi në fazën e nënshkrimeve të memorandumeve me komunat përfituese për realizimin e projekteve të ndryshme të cilat do të kenë ndikim të konsiderueshëm në aspektin zhvillimor. Nga kjo thirrje kanë përfituar 28 komuna të Kosovës”- tha ai.