Vaksinat kundër COVID-19 e ulin rrezikun e dështimit të zemrës pas infektimit me virus

Hulumtimet e fundit tregojnë se vaksinat COVID-19 ofrojnë përfitime shtesë përtej mbrojtjes kundër vetë virusit: ato gjithashtu duket se e reduktojnë rrezikun e dështimit të zemrës dhe mpiksjes së gjakut të lidhur me infeksionin SARS-CoV-2.

I kryer nga një ekip ndërkombëtar studiuesish, studimi analizoi të dhëna nga mbi 10 milionë individë të vaksinuar dhe një numër i krahasueshëm individësh të pavaksinuar në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe Estoni. 

Pas përshtatjes për faktorë të ndryshëm si mosha, gjinia dhe kushtet para-ekzistuese shëndetësore, u zbulua se individët e vaksinuar kishin shkallë dukshëm më të ulët të komplikimeve kardiake dhe të lidhura me mpiksjen pas infeksionit COVID-19, deri në një vit.

Núria Mercadé-Besora, shkencëtare e të dhënave nga Universiteti i Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar, sugjeron se këto gjetje ka të ngjarë ta pasqyrojnë efektivitetin e vaksinave në reduktimin e shkallës së infeksionit dhe ashpërsisë së COVID-19. Kjo pasqyrë mund të inkurajojë potencialisht vaksinimin midis individëve hezitues të shqetësuar për efektet anësore të vaksinës.

Krahasuar me individët e pavaksinuar, ata që morën vaksinën kundër COVID-19 përjetuan një reduktim të konsiderueshëm të rrezikut të mpiksjes së gjakut në vena me 78%, mpiksjes së gjakut në arterie me 47% dhe dështimit të zemrës me 55% brenda 30 ditëve të para pas infektimit. 

Megjithëse këto reduktime të rrezikut kanë rënë me kalimin e kohës, ato mbetën të rëndësishme në 50%, 38% dhe 48%, respektivisht, midis 181 dhe 365 ditëve pas infektimit. Ky studim, një nga më gjithëpërfshirësit deri më sot, e vë theksin tek rëndësia e vaksinimit në reduktimin e rrezikut të komplikimeve të rënda të lidhura me COVID-19.

Ndërkohë që hulumtimi nuk vendos një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë, ai sugjeron se vaksinimi kundër COVID-19 mund ta zbusë rrezikun e komplikimeve të mëvonshme si mpiksja e gjakut dhe dështimi i zemrës, të cilat dihet se janë më të përhapura pas infeksionit COVID-19.

Ekipi i lartcekur e nënvizon sigurinë dhe efikasitetin e përgjithshëm të vaksinave kundër COVID-19, duke shtuar se përfitimet e tejkalojnë çdo pengesë të mundshme. 

Megjithatë, ata mbrojnë kërkime të mëtejshme për t’i eksploruar më në detaje efektet mbrojtëse të vaksinave, veçanërisht në lidhje me ndikimin e vaksinimeve përforcuese në popullata të ndryshme. /Science Alert

Hulumtimi është publikuar në revistën mjekësore dujavore Heart.

Përgatiti: Nuhi Shala