BIRN mban tryeza të rrumbullakëta për problemet në sistemin gjyqësor

Diskutimi u përqendrua kryesisht në problemet me të cilat ballafaqohet sistemi gjyqësor në Kosovë, si dhe të gjetura tjera të identifikuara nga monitorimi sistematik i BIRN-it në 18 gjykata komunale dhe të qarkut në 14 komuna të Kosovës.

Tryezat e rumbullakta u moderuan nga drejtoresha ekzekutive e BIRN-it në Kosovë, Jeta Xharra.

Në tryezën e parë morën pjesë:

Xhemil Elshani, nga gjykata komunale në Prizren;
Besa Krajka, nga gjykata komunale në Prizren;
Rafet Haxhaj, nga gjykata komunale në Klinë;
Nebih Reqica, nga gjykata komunale në Lipjan;
Rifat Abdullahu-nga gjykata komunale në Ferizaj;
Salih Mekaj, nga gjykata e qarkut në Pejë;
Xhelal Radoniqi, nga gjykata komunale në Pejë;
Elmaze Syka, nga gjykata e qarkut në Pejë;
Afërdita Mulhaxha, nga gjykata komunale në Pejë;
Hidajete Veseli, nga gjykata komunale në Pejë

Ndërsa në tryezën e dytë morën pjesë:

Haki Demolli, ministër i drejtësisë;
Fejzullah Hasani-kryetar i gjykatës supreme;
Encer Peci-kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, KGJK;
Sami Kurteshi, Avokati i Popullit;
Enver Nimoni avokat nga Peja;
Aishe Berisha, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, KGJK;
Vahid Limani, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, KGJK;
Ismet Kabashi, kryeprokuri i shtetit;
Bahri Hyseni, kryetar i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi në Kuvendin e Kosovës;
Valdete Daka, nga gjykata supreme;
Gresa Sefaj, nga Komisioni Evropian.

Në këto tryeza, krahas prezencës së problemeve të identifikuara në raportin e monitorimit të vitit të kaluar (qershor 2009), monitoruesit e BIRN-it nxorën në pah edhe probleme tjera që u evidentuan gjatë monitorimit të vazhdueshëm njëvjeçar. Ndër këto probleme u diskutuan moslajmërimi i gjykimeve në tabelën e shpalljeve, vonesa e fillimit të gjykimeve, caktimi i pakoordinuar i seancave gjyqësore mes gjykatësve e prokurorëve, fillimi i seancave pa përbërjen e plotë të trupit gjykues, mosefikasiteti i policisë për urdhëresat, mospërdorimi i pajisjeve elektronike nëpër gjykata, përdorimi i telefonave celular gjatë mbajtjes së gjykimeve, mbajtja e gjykimeve në zyra të gjykatësve, etj.

Të gjithë të pranishmit në tryezë u pajtuan se gjendja në gjyqësorin e Kosovës është alarmante dhe se në tërësi raporti i monitorimit të BIRN-it për vitin 2009-2010 është pasqyrim i gjendjes reale.

Duke komentuar për numrin e vogël të prokurorëve, kryeprokurori i shtetit Ismet Kabashi tha që me këtë numër të vogël të prokurorëve nuk mund të pritet përfaqësim i denjë, ndërsa situata do të ndryshonte për të mirë vetëm nëse urgjentisht rritet numri i tyre. Duke iu referuar të metave të sistemit që u identifikuan gjatë monitorimit njëvjeçar të monitoruesve të BIRN-it, kryeprokurori Kabashi premtoi se përveç rritjes së numrit të prokurorëve do të mundohet edhe për menaxhim më të mirë të sistemit në tërësi.

Gresa Sefaj nga Komisioni Evropian tha që një ndër investimet më të mëdha në sektorin e gjyqësisë është instalimi i projektit të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve, SIML, sistem ky që është identifikuar si jofunksional në raportin e monitorimit të vitit 2008.
Mirëpo, pjesëmarrësit pohuan se sistemi nuk funksionin në tërësi në asnjë gjykatë.

Ndërsa i ballafaquar me probleme reale nga tereni, ministri i drejtësisë, Haki Demolli tha se ka pak ditë që ka filluar më këtë detyrë, mirëpo shtoi se është i përkushtuar të punojë për një reformë gjyqësore.

Tryeza u përmbyll me pajtimin e të gjithë pjesëmarrësve se krahas arsyetimeve për kushtet e vështira të punës apo rrogave të ulëta të gjykatësve dhe administratës në gjyqësi, me përkushtim pak më të madh dhe respektim më të lartë të detyrave të tyre të punës, disa probleme dhe parregullsi elementare do të mund të rregulloheshin, duke ngritë kështu efikasitetin e gjyqësorit kosovar pa shtim të buxhetit.