Ilustrim

Arrestohet i dyshuari për vrasje të rëndë në tentativë që ka ndodhur në "Rrugën B”

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar personin e dyshuar për rastin vrasje e rëndë në tentativë që ka ndodhur më 17.02.2024 rreth orës 19:45, në “Rrugën B” në Prishtinë.

Sipas Policisë, i dyshuari është arrestuar më 24.04.2024 nga zyrtarët e Njësisë së hetimeve të përgjithshme të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës në bashkëpunim edhe me Policinë e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës.

Arrestimi i të dyshuarit K.K., 34-vjeçar, Policia tha se erdhi si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të specializuara operativo-policore në kuadrin e procesit hetimor të këtij rasti.

“Përderisa policia po punon në mënyrë aktive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndaj të dyshuarit me autorizimin e prokurorit të shtetit është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale – vrasja e rëndë në tentativë” – thuhet në njoftim.

Tutje u tha se i dyshuari me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit u dërgua në qendrën e mbajtjes për 48 orë.