Izrael - Gaza: SHBA raporton vdekjen e udhëheqësit të lartë ushtarak të Hamasit, Marwan Issa

Udhëheqësi i Hamasit, Marwan Issa, u konfirmua i vdekur në një sulm ajror izraelit, duke shënuar një goditje të rëndësishme për grupin Hamas, ku Issa ishte lideri më i lartë që humbi që nga fillimi i konfliktit më 07.10.2023. Ndërkohë që Hamasi nuk e ka pranuar zyrtarisht vdekjen e tij, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken është planifikuar të vizitojë Arabinë Saudite dhe Egjiptin këtë javë për diskutime mbi sigurimin e një marrëveshjeje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve të mbetura.

Pavarësisht negociatave të vazhdueshme në Katar, planet e Izraelit për të zhvendosur mbi një milion njerëz nga Rafah përpara se ta nisë një ofensivë kanë tërhequr kritika. Presidenti Joe Biden e paralajmëroi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu kundër kësaj lëvizjeje, duke theksuar potencialin e tij për përkeqësimin e viktimave civile dhe krizave humanitare. Biden i kërkoi Netanyahut ta miratojë një strategji koherente dhe të qëndrueshme për të mposhtur Hamasin.

Pas thirrjes së Bidenit, Netanyahu ra dakord të dërgonte një ekip të lartë ndërinstitucional në Uashington për t’i adresuar shqetësimet e SHBA-së në lidhje me pushtimin e Rafahut. Pritet që Izraeli ta shtyjë sulmin e tij deri pas këtij takimi. Netanyahu i ka afirmuar qëllimet e Izraelit në konflikt, të cilat përfshijnë eliminimin e Hamasit, sigurimin e lirimit të pengjeve dhe sigurimin që Gaza nuk përbën kërcënim për Izraelin ndërsa ofron ndihmën e nevojshme humanitare.

Para ndërhyrjes së Bidenit, demokratë të lartë, përfshirë Chuck Schumer, e kritikuan trajtimin e situatës nga Netanyahu, me Schumer që madje bëri thirrje për zgjedhje të reja në Izrael. Partia Likud e Netanyahut mbrojti politikat e tij, duke pohuar mbështetje të gjerë në mesin e popullatës. Biden i pranoi shqetësimet e Schumer, duke reflektuar ndjenja më të gjera amerikane./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala