18-vjeçarët lejohen të aplikojnë si oficerë doganor, por u kërkohet diploma universitare

Personat e moshës 18 deri 30 vjeç, mund të aplikojnë në konkursin për oficerë doganor në Doganën e Kosovës.

Ky është njëri nga kriteret në konkursin për pranimin e 115 oficerëve doganor.

Mirëpo, kandidatët që aplikojnë duhet të plotësojnë edhe kriterin tjetër, i cili kërkon që të kenë diplomë universitare të kualifikimit bachelor ose kualifikim të barasvlershëm.

Disa Kallxues kanë raportuar se e konsiderojnë të padrejtë kriterin që kandidatët 18 vjeçar të pranohen në këtë konkurs dhe se sipas tyre, kjo penalizon të diplomuarit pasi 18-vjeçarët nuk mund të posedojnë diplomë universitare.

Se a do të thotë kjo që 18-vjeçarët, të cilët nuk kanë diplomë universitare mund të aplikojnë në këtë konkurs, KALLXO.com e ka pyetur Doganën e Kosovës.

Sipas konkursit, oficeri doganor kryen aktivitete operative nga fushëveprimi doganor si inspektime dhe ekzaminime të hollësishme të mallrave, mjeteve dhe individëve në kufi dhe brendi të vendit.

Po ashtu, oficeri doganor kryen funksione të ndryshme të zbatimit të ligjit, duke përfshirë inteligjencën, hetimet administrative dhe penale, mbledhje të informacioneve dhe provave; kryen patrullime të rregullta në zonat kufitare, vendkalime kufitare dhe aeroport, për të monitoruar dhe identifikuar rreziqe potenciale, dhe të tjera.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci e ka arsyetuar kriterin e moshës prej 18-vjeç duke u bazuar në kushtet për themelimin e marrëdhënies së punës.

“Bazuar në legjislacionin në fuqi me të cilin rregullohen të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës, bazuar në kushtet dhe kriteret për themelimin e marrëdhënies së punës, marrëdhënia e punës mund të themelohet me çdo person prej moshës 18 vjeç” – ka thënë Stavileci për KALLXO.com.

Ai madje ka thënë se në të gjitha pozitat e hapura që nga fillimi i themelimit të Doganës vlen ky kriter.

“Që prej konkurseve të para ka qenë i lejuar aplikimi moshës së personave të rritur, pra 18 vjet” – ka njoftuar Stavileci.

Sa i përket raportit të kriterit të moshës dhe kriterit ku kërkohet diploma universitare, Stavileci ka theksuar se nëse njëri prej këtyre kritereve nuk plotësohet, kandidati nuk mund të vazhdojë në procedura tjera të parapara me konkurs.

“Njëri kriter përjashton tjetrin siç mund ta kuptoni në konkursin e hapur. Pranueshmëria fillon nga mosha 18 deri në moshën 30 dhe në këtë frekuencë moshe kandidati duhet të ketë diplomë bachelor së paku. Kriteret e parapara me konkurs duhet të përmbushen në mënyrë kumulative dhe se çdo kandidat duhet t’i plotësojë këto kritere” – ka deklaruar Stavileci.

Më tej, Stavileci ka shtuar se kriteri i shkollimit është i detyrueshëm dhe se nuk kanë të drejtë aplikimi personat që nuk kanë të kryer nivelin universitar të shkollimit.

Aplikimi në këtë konkurs bëhet online në këtë link.

Ekipi i KALLXO.com ka provuar të aplikojë online dhe ka parë se nëse përgjigjeni që nuk e keni të përfunduar shkollimin universitar, do t’iu paraqitet një mesazh duke thënë se “Ju nuk mund të vazhdoni aplikimin. Nuk plotësohet kriteri ‘Shkollimi Universitar'”.

Se sa mund t’u përgjigjet dhe sa është mjaftueshëm i kualifikuar një 18-vjeçar ndaj detyrave të punës si oficer doganor, Stavileci ka përmendur faktin se një 18-vjeçar sipas parimeve shkencore dhe juridike llogaritet si person i rritur dhe është i gatshëm të kryej çdo punë.

Ai ka treguar se çdo kandidat i pranuar u nënshtrohet disa trajnimeve në bazë të natyrës së punës.

“Çdo kandidat i pranuar i nënshtrohet trajnimeve mandatore (trajnime bazike dhe praktike operative), trajnime të cilat secilit kadet/oficer doganor ju ofron njohuritë e mjaftueshme për nivelin e parë doganor për të ushtruar detyrat e fushëveprimtarisë doganore” – njoftoi ai.

Tutje, Stavileci ka bërë të ditur se kriteri i moshës është aplikuar në të gjitha punësimet e mëhershme dhe se ndërkohë është shtuar kriteri për diplomën universitare.

Se a është i drejtë pranimi i kandidatëve të moshës 18 vjeç në raport me kandidatët tjerë mbi 18 vjeç, Stavileci nuk e ka komentuar.

“Të gjithë personat që kanë përfunduar shkollimin në nivel bachelor nga mosha 18 deri në moshën 30 janë të pranueshëm për aplikim”- është shprehur ai.

Stavileci nuk ka dhënë informata se a kanë pranuar ndonjë kandidatë të moshës 18-vjeç në konkurset e kaluara.

“Në punësimet e para nuk është kërkuar diploma universitare për shkak se vlerësimi ka qenë se nuk ka pasur shumë njerëz që kanë pasur mundësi të studiojnë në vitet e luftës. Tanimë përqindja e të diplomuarve në nivel bachelor për kokë banori është shumëfish më e lartë, andaj edhe është kërkuar ky nivel i shkollimit” – ka thënë ai.

Kriteri i radhës në këtë konkurs kërkon informacion nga kandidati në lidhje me punësimin e mëparshëm. Kur është pyetur se si qëndron ky kriter në raport me 18-vjeçarët, Stavileci e ka mohuar se është kriter.

“Kërkesa për të dhënat e punësimit paraprak nuk është kriter. Nuk është e domosdoshme që të ketë përvojë pune për t`u punësuar. Përvoja e punës mund të konsiderohet si përparësi shtesë” – ka theksuar ai.

Edhe në Udhëzuesin lidhur me procesin e rekrutimit për oficerë doganor të Doganës së Kosovës, kriteri që kandidatët të jenë të moshës 18 deri 30 vjeç është në mesin e kushteve minimale për aplikim.

Konkursi për të aplikuar për oficerë doganor është i hapur nga data 07.03.2024 deri më 22.03.2024.