Mbi 160,000 € CASH-i i profesorit të UP-së Xhevat Krasniqi, i dyshuar për ngacmim seksual

Dy shtëpi në vlerë 53,000 euro, tokë (arë dhe truall) në vlerë 30,000 euro dhe të tjera pasuri në vlerë 67,830 euro – gjithsej 150,830 euro e mbi 160 mijë euro para të gatshme, është pasuria e paluajtshme e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, e profesorit tashmë të pezulluar të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi.

Xhevat Krasniqi është denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual, ku ishte i angazhuar si profesor i lëndës së matematikës.

Më 23.04.2024, Krasniqin e ka pezulluar nga puna rektori i UP-së, Qerim Qerimi pas rekomandimit të Këshillit të Etikës së UP-së që ai të jetë i pezulluar derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit lidhur me denoncimin për ngacmim seksual.

Krasniqi në APK ka deklaruar edhe një veturë, në vlerë 6,700 euro dhe pasuri në llogari rrjedhëse që kap vlerën 160,785.21 euro.

Sipas deklarimit të të ardhurave vjetore personale, Krasniqi merr pagë neto nga UP në vlerë 1,471.31 euro.

Xhevat Krasniqi si pasuri të paluajtshme i ka të deklaruara në APK: një shtëpi me sipërfaqe 90m2 në vlerë 28,000 euro, një shtëpi tjetër me sipërfaqe 96m2 në vlerë 25,000 euro, një arë me sipërfaqe 2,599 m2 në vlerë 18,000 euro të cilën shkruan se e ka blerë, një pyll me sipërfaqe 745 m2 në vlerë 8,000 euro të cilin shkruan se e ka blerë.

Ndërsa, pasuri të trashëguar shkruan se ka një truall me sipërfaqe 715 m2 në vlerë 12,000 euro, një oborr me sipërfaqe 477 m2 në vlerë 47,770 euro dhe një rrugë me sipërfaqe 1206 m2 në vlerë 12,060 euro.

Të gjitha këto pasuri të paluajtshme janë të deklaruara si të Xhevat Krasniqit, përveç rrugës e cila shkruan se është në pronësi të përbashkët.

Kurse, si pasuri të luajtshme mbi tre mijë euro, Krasniqi ka të deklaruar si të blerë një veturë të tipit ‘Volkswagen’ në vlerë 6,700 euro, në pronësi të tij.

Më tej, si para të gatshme në llogari rrjedhëse, në depozita dhe në huadhënie në euro ose në valuta tjera të huaja, Krasniqi ka të deklaruara 160,785.21 euro, prej tyre gjithsej 525 euro në pronësi të bashkëshortes dhe fëmijëve.

Nga këto 160,785.21 euro ai i ka të deklaruara 130,000 euro me prejardhje ‘depozitë e afatizuar, kursime nga paga, pagesa, honorare, kompenzime, shërbime, financime, autorësi dhe vendime’.

30,248.89 euro i ka të deklaruara me prejardhje ‘llogari rrjedhëse nga në 01.01.2023 deri më 31.12.2023: nga paga, pagesa, honorare, kompenzime, shërbime, financime, autorësi dhe vendime’.

521.40 euro i ka të deklaruara me prejardhje ‘Llogari rrjedhëse: Nga pagat dhe subvencionet qeveritare për fëmijë nga 01/01/2023 deri më 31/12/2023’ në pronësi të bashkëshortës.

Pasuria e Xhevat Krasniqi, e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit | Infografika: Diar Vuçetaj Kallxo

11.32 euro i ka të deklaruara me prejardhje ‘Kursimi fleksibil: Kursime nga paga, pagesa, honorare, kompenzime, shërbime, financime, autorësi dhe vendime’ dhe 3.60 euro me prejardhje ‘Kursime: Nga bursa studentore e fituar nga MAShTI për vitin akademik 2022/2023’ në pronësi të fëmijëve.

Sa i përket të ardhurave vjetore personale, Krasniqi i ka të deklaruara 8,833.84 euro, ndërsa 9,570 euro si të ardhura vjetore familjare.

Nga të ardhurat vjetore personale, Krasniqi merr pagë neto përmes listës së pagave nga UP në vlerë 1471.31 euro.

Ai ka deklaruar edhe një shumë parash që e kanë burimin nga UP si: 4,500 euro për financim të punimeve shkencore, 153.45 euro pagesa për përvojën e punës dhe 378.08 euro i ka të deklaruara si shtesat dhe kompensimet tjera (vendim) nga UP.

450 euro i ka të deklaruara nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, për punët me kontratë, mirëpo jo në listën e pagave.

1,368 euro i ka të deklaruara për shërbime kontraktuese (matura shtetërore dhe ekspertizë) në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe 513 euro si shtesat dhe kompenzimet tjera (vendim) po ashtu nga MAShTI.

Ndërsa, për të ardhurat vjetore familjare Krasniqi ka deklaruar 9,350 euro si pagë mujore të bashkëshortës nga shkolla private “Don Bosko” në Prishtinë dhe 220 euro të deklaruara në pronësi të fëmijëve si subvencion nga Qeveria e Kosovës, masa 3.5 e Ministrisë së Financave, për shtesat për fëmijët në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Krasniqi në deklarimin e pasurisë në APK nuk ka të dhëna se posedon: letra me vlerë, kriptovaluta dhe zotërim të aksioneve në shoqëri tregtare. Po ashtu, ai nuk ka të dhëna në kategoritë ‘donacionet dhe shpenzimet’, ‘donacionet në parti politike’.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas vendimit të Rektoratit dhe Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës për pezullimin e profesorit Xhevat Krasniqi.

Teksa ka thënë se mbështet vendimin, ministrja Nagavci ka deklaruar se asnjë shkelje nuk mbetet pa u ndëshkuar në universitete.

“Asnjë shkelje nuk do të mbetet pa ndëshkuar në universitetet tona. Ashtu siç jemi zotuar se për të gjitha sjelljet që bien ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ, në veçanti rastet e ngacmimeve seksuale toleranca do të jetë zero” – ka shkruar ministrja Nagavci në profilin e saj në Facebook, më 23.04.2024.

Në anën tjetër, Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se është iniciuar rast ndaj profesorit Krasniqi, në drejtim të veprës penale – ngacmim seksual.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka konfirmuar për KALLXO.com se Policia është autorizuar për të ndërmarrë veprimet hetimore.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘ngacmimi seksual’. Ashtu siç iu kemi njoftuar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje”- ka thënë ajo.

Arsyetimi i vendimit të Rektorit Qerimi, sipas rekomandimit të KE, për të pezulluar nga puna profesorin Xhevat Krasniqi derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit është në kundërshtim me Rregulloren e UP-së për mbrojtje nga ngacmimi seksual, sipas avokates dhe hulumtueses për të drejtat e njeriut, Rina Kika.

Sipas Kikës, Rregullorja në fjalë parasheh që UP duhet të marrë vendim pavarësisht se çfarë procedure tjetër po zhvillohet për të njëjtin rast.

Ajo ka cituar nenin 11, paragrafin 7 të Rregullores së UP për mbrojtje nga ngacmimi seksual: “Universiteti i Prishtinës do të zbatojë masat dhe procedurat disiplinore për rastet e ngacmimit dhe ngacmimit seksual, pavarësisht nga zhvillimi i procedurës penale për rastin e njëjtë”.

“Procedura disiplinore në Universitet nuk varet nga procedurat që i zbatojnë institucionet tjera. Përgjegjësia penale është një gjë, përgjegjësia disiplinore etike është një gjë tjetër” – ka shtuar ajo.

Në një konferencë për media, para Rektoratit të UP-së, aktivistët e Lëvizjes Feministe Studentore reaguan po ashtu në lidhje me vendimin e UP-së për pezullim nga puna ndaj Krasniqit.

Anita Mjeku nga Lëvizja Feministe Studentore tha se gjysma e komunikatës së UP-së merret me vendimin në fjalë, ndërsa askund nuk u përmend ngacmimi seksual.

“Gjysma e komunikatës së UP-së merret me vendimin në fjalë, ku askund nuk u përmend ngacmimi seksual, i cili ishte vetë shkaku i procedurës së zhagitur të Këshillit. Gjysma e tjetër e saj mundohet të paraqes Këshillin e Etikës si viktimë e ndonjë presioni të padrejtë të ushtruar nga persona të ndryshëm brenda dhe jashtë UP-së duke i emëruar ato si sulme ndaj anëtarëve të Këshillit”- tha ajo.

Edhe sipas saj, me këtë vendim është shkelur neni 11, pika 7 e rregullores së UP-së për ngacmime seksuale.

“Duke e marrë vendimin për pezullim të punës jo në baza të akuzave brenda UP-së, por në përkatësitë e institucioneve të jashtme shtetërore, Këshilli i Etikës e hoqi përfundimisht petkun e një organi që përmbush qëllimin e sjelljes para përgjegjësisë së ngacmuesve, dhe tregoi fytyrën e tij të vërtetë. Duke e shkelur nenin 11 pikën 7 të rregullores së UP-së për ngacmime seksuale, duke mos e marrë vendimin në mënyrë të pavarur nga procedurat e jashtme”- tha ajo.

Më 07.04.2024, “Kallxo Përnime” transmetoi rrëfimet e studenteve dhe studentëve të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në lidhje me ngacmimet seksuale që pretendohet t’i ketë bërë profesori i shkencave matematikore, Xhevat Krasniqi.

Përveç këtyre tri studenteve, në Kallxo Përnime më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që u ishin bërë vajzave nga viti 2022.

Pesë ditë pas transmetimit të emisionit të Kallxo Përnime për ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës, Prokuroria ka autorizuar organet e rendit që të nisin hetimet.

Kryeprokurori Zejnullah Gashi më 12.04.2024 ka konfirmuar për KALLXO.com se janë intervistuar katër dëshmitarë.

“Prokuroria ka autorizuar policinë për të ndërmarrë hetime pas publikimit. Janë intervistuar katër dëshmitarë dhe intervistat televizive janë vendosur në dosjen e Policisë” – tha kryeprokurori Gashi.

Vendimi i Këshilli i Etikës duke i rekomanduar UP-së pezullimin e Krasniqit erdhi pas disa mbledhjeve të mbajtura nga ky Këshill, të cilat u shoqëruan edhe me protesta të aktivistëve të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë, të cilët kërkuan përjashtimin e Krasniqit nga UP.

Denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.

Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.

Pas këtij takimi, dekania e Fakultetit të Mjekësisë në atë kohë, Suzana Manxhuka- Kërliu, denoncimin e studenteve e kishte përcjellë me shkresë zyrtare në Këshillin e Etikës të UP.

Në anën tjetër, më 23.04.2024, aktivistet e Lëvizjes Feministe Studentore kanë bllokuar me ngjitës derën e zyrës së profesorit Xhevat Krasniqi në Fakultetin e Edukimit.

Letra me mbishkrimet “Skenë krimi! Mos kalo!”, “ Xhevat Krasniqi nuk ke vend në UP”, janë shkruar në derë zyrës së profesorit Krasniqi.

Ky aksion ishte vazhdim i protestës së aktivistëve që kërkuan me ngulm përjashtimin e Krasniqit nga UP, që kur u bë publik lajmi për denoncimin e studenteve të Mjekësisë ndaj tij.

Në mbledhjen e KE-së të datës 22.04.2024, Krasniqi ka dëshmuar para anëtarëve të KE, mirëpo ndaj tij nuk u mor ndonjë vendim. Artikullin e plotë rreth deklarimit të Xhevat Krasniqit para KE-së mund ta lexoni KËTU.

Mosmarrja e vendimit nga KE revoltoi aktivistët, të cilët më pas bllokuan hyrjen e Administratës Qendrore të UP-së, duke mos lejuar daljen nga objekti të anëtarëve të Këshillit dhe profesorit Krasniqi.

Këshilli i Etikës së UP-së përbëhet nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryetar), Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica.

Pas disa orësh bllokadë nga aktivistët, Policia e Kosovës ka larguar nga salla e Administratës profesorin Xhevat Krasniqi dhe dy anëtarët tjerë të Këshilli të Etikës, Arben Hajdarin edhe Skender Mujin.

Pas disa minutave, ata intervenuan sërish duke i larguar nga salla edhe kryetarin e Këshillit të Etikës, Iset Morina edhe anëtarin tjetër Rrezeart Galica që kishin mbetur brenda sallës e së cilëve studentët u thanë se “i ka harruar Policia brenda sallës”.