Suspendohet një toger i Policisë së Kosovës, dyshohet për manipulim të orëve shtesë të punës

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një togeri policor.

Informacionet e para lidhur me këtë rast IPK i ka pranuar nga Policia e Kosovës përderisa është duke kryer një hetim preliminar me dyshimin për manipulim të orëve shtesë të punës në drejtim të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Burime të KALLXO.com kanë konfirmuar se togeri i suspenduar është Agron Ademi, mbikëqyrës në Drejtorinë e Njësisë Speciale Intervenuese.

I njëjti dyshohet se ka dalë nga kampi në një datë të caktuar dhe ka ofruar shërbime të sigurisë së lartë për një personalitet tjetër, një këngëtar ndërsa kur është kthyer në bazë i ka shënuar orët shtesë kinse si orë shtesë pune dhe të njëjtat i ka vendosur edhe në sistem.

Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.