Buletini Drejtësia në Kosovë Maj 2012, Nr. 19

1. Dënohet për krime lufte

Gjatë muajit maj, Kolegji i Gjykatësve nga EULEX-i dhe gjykatës vendas, pas
pleqërimit të lëndës dhe shikimit detaj të saj, shpallën fajtor, duke e dënuar me 14 vjet
burgim dhe 500 euro gjobë, të pandehurin Zoran Koliqi.

Koliqi, nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ishte i akuzuar për dy vepra penale të
krimeve të luftës kundër popullatës civile, të kryera në Burgun e Lipjanit, më 24 maj
1999, dhe një vepër të mbajtjes në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të
paautorizuar, të armëve.

Policia e Kosovës e kishte arrestuar Zoran Koliqin, pasi Jakup Rexhepi, viktimë e
rastit, ishte interesuar të siguronte informacione në lidhje me të. Në kohën e arrestimit,
ai ishte punëtor i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK). Ai është duke qëndruar në
paraburgim, që nga prilli i këtij viti.

Zoran Koliqi akuzohet se më datën 24 maj 1999, gjersa po transportoheshin të
burgosurit shqiptarë nga burgu i Dubravës për në atë të Lipjanit, ka qëndruar tek hyrja
dhe në kordonin e krijuar nga policia dhe punëtorë të Burgut të Lipjanit, ka marrë pjesë
aktivisht në rrahjen dhe trajtimin çnjerëzor të Gani Morinës.

Gani Morina, ditën e 24 majit 1999, gjatë hyrjes në Burgun e Lipjanit, ishte goditur
nga kordoni i krijuar nga policë e punëtorë të këtij burgu. Në këtë kordon, Koliqi kishte
marrë pjesë aktivisht në rrahjen me armë, grushte e shqelma të Gani Morinës, i cili nga
lëndimet e marra vdes të nesërmen.

Po me të njëjtën datë, 24 maj, Zoran Koliqi kishte marrë pjesë në rrahjen dhe trajtimin
çnjerëzor të Jakup Rexhepit. Rexhepi teksa po kalonte në kordonin e krijuar në hyrje të
Burgut të Lipjanit, ishte rrahur me grushte, shqelma e shkopinj gome, nga Zoran Koliqi
dhe persona të tjerë, deri më tani të paidentifikuar.

Koliqi është akuzuar edhe për mbajtjen e një pistolete të tipit Zastava TT, dy
karikatorëve dhe 37 plumbave, vepër të cilën Koliqi e kishte pranuar.

Për pikën një të aktakuzës, që ka të bëjë me viktimën Gani Morina, gjykata e shpalli
fajtor Koliqin dhe e dënoi me burgim në kohëzgjatje prej 10 vitesh. Për pikën dy të
aktakuzës, që ka të bëjë me viktimën Jakup Rexhepi, gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi
me 6 vjet burgim. Për pikën 3 të aktakuzës, gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me
500 euro. Gjykata dha një dënim unik për Zoran Koliqin, ashtu që i njëjti dënohet në
kohëzgjatje prej 14 vjetësh në burg dhe 500 euro gjobë.

Palëve iu dha e drejta e ankesës në vendimin e gjykatës, ndërsa ankesë paralajmëruan të
dy mbrojtësit e Koliqit.

Vendimin e saj, gjykata e arsyetoi me faktin se ka gjetur se nga shkresat dhe provat e
lëndës, standardet penale janë kaluar, ashtu që ka tejkaluar dyshimin e bazuar. Vendimi
i gjykatës është i bazuar në deklaratën e dëshmitarit kryesor dhe të dëmtuarit, Jakup
Rexhepi, i cili në seancë të jashtëzakonshme kishte dëshmuar për veprimet e Zoran
Koliqit. Po ashtu, Koliqin e kishin njohur edhe dy dëshmitarë të tjerë.

2. Nazim Bllaca i përgjigjet mbrojtjes

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, nën masa të rrepta të sigurisë, në fund të muajit maj
është paraqitur për të dëshmuar Nazim Bllaca, dëshmitari bashkëpunues për rastin e
vrasjes së Ibush Kllokoqit dhe tentimvrasjes së Adem Salihajt dhe Ismet Arifit.

Të akuzuar në këtë çështje janë: Fahredin Gashi, i dënuar me 18 vjet burgim në rastin
Bllaca I, Shpresim Uka, Sadik Abazi, Driton Hajdari, Bekim Syla dhe Shaban Syla.

Gjatë tri seancave, dëshmitari bashkëpunues, Bllaca, u përgjigj në pyetjet e bëra nga
mbrojtja e të pandehurve.

Bllaca vazhdoi rrëfimin për krimet që kishte bërë ai, me të akuzuarit. Ai u pyet edhe një
herë nga mbrojtja se si ishin kryer krimet dhe nga kush ishin urdhëruar kryerja e atyre
krimeve.

Dëshmitari bashkëpunues tregoi se si kishte marrë urdhra nga i pandehuri Fahredin
Gashi, për vrasjen e Salih Gashit dhe se si së bashku me këtë të pandehur, pasi që kishin
kryer krime, iu ishin kthyer bizneseve dhe kishin fituar shumë para.

Më tej, Bllaca iu përgjigj të gjithë mbrojtësve, edhe pse në disa raste ai u gjend në
pozita të palakmueshme, kur avokatët mbrojtës e ballafaqonin atë me deklaratat e dhëna
në polici e prokurori.

Për të gjitha dyshimet që ngriheshin nga mbrojtja lidhur me ndryshimet në dëshminë e
tij, Bllaca kishte përgjigje, duke i sqaruar kështu gjykatës të gjitha dilemat.

Seancat e majit, po ashtu, u karakterizuan me gjendjen e përkeqësuar shëndetësore të
të pandehurit Fahredin Gashi, i cili sipas raporteve mjekësore, vuan nga një depresion i
thellë. Mirëpo gjykata prapë vendosi që Gashi mund ta ndjekë gjykimin.
Në këto seanca Bllaca përmes një letre kërkoi nga kolegji që të mos i reduktohet siguria
nga ana e policisë së EULEX-it. Seancat do të vazhdojnë në muajin qershor.

3. Ndërrohet anëtari i kolegjit në Rastin Medicus

Gjatë muajit maj, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë vazhduan seancat në rastin e njohur
për publikun si Rasti Medicus.

Në këtë muaj kolegji i gjykatësve pësoi ndryshime, kështu që në vend të gjykatësit
Hamdi Ibrahimi, tani në kolegj është gjykatësi Vahid Halili. Deri te ky ndryshim ka
ardhur, pasi që gjykatësi Ibrahimi ishte caktuar kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë
dhe me detyrën e re ka lëshuar edhe vendin e gjykatësit në kolegj.

Të pandehurit në këtë çështje janë Lutfi Dervishi, me profesion mjek dhe profesor i
urologjisë; Arban Dervishi, ekonomist i diplomuar; Driton Jilta, mjek nga komuniteti
turk në Kosovë dhe ish-punëtor shëndetësor i OSBE-së në Kosovë; Ilir Recaj, mjek dhe
ish-sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë në kohën e ministrit Alush Gashit;
Sokol Hajdini, Islam Bytyçi dhe Sylejman Dula, të tre mjekë anesteziologë.

Në këtë seancë, kryetari i kolegjit i pyeti palët nëse dëshironin që shqyrtimi të fillonte
nga fillimi, apo që seanca të vazhdonte e në procesverbal të konstatohej se palët janë
pajtuar që të lexohen të gjitha procesverbalet, në pajtim me nenin 345 të KPPK-së.

Prokurori dhe mbrojtja u pajtuan që seanca të vazhdonte dhe shqyrtimi të mos
ndërpritej, ata rekomanduan që të konsiderohen si të lexuara të gjitha procesverbalet.
Por kërkuan që gjykatësi i ri, si anëtar i kolegjit, t’i lexojë të gjitha procesverbalet.

Gjatë majit në këtë gjykim pati edhe befasi, në njërën nga seancat ishte i pranishëm
edhe avokati i të akuzuarit kryesor në arrati, dr. Yosuf Somnez. Por pritja për avokatin e
Somnezit nuk qe aq e mirë nga kryetari i kolegjit.

Pasi që avokati Ismet Shufta e lajmëroi praninë e avokatit të Somnezit në publikun e
sallës së gjykimit, kryetari i kolegjit me një ton jo shumë miqësor e nxori jashtë nga
salla e gjykimit, me arsyen se mund të merrte informata të cilat mund t’i përdorte në
gjykimin e Somnezit.

Me këtë veprim, kryetari i kolegjit shkeli parimin e publicitetit në seanca të hapura për
publikun. Ai, po ashtu, shkeli nenin 328 paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale të
Kosovës.1

Qëllimi i vizitës së avokatit të Somnezit ishte që të lajmëronte gjykatën se Somnezi
ishte i gatshëm për të bashkëpunuar me gjykatën në disa kushte të caktuara, njoftoi
kolegjin avokati Shufta.

Gjatë kësaj seance, prokurori i çështjes njoftoi kolegjin se në Izrael është arrestuar
Moshe Harel dhe nëntë persona të tjerë. Lajm tjetër nga Izraeli ishte se autoritetet
izraelite kishin rregulluar dëgjimin e dëshmitarëve dhe të dëmtuarve përmes video-
lidhjes. Dëgjimi i tyre do të bëhej në muajin qershor.

Kolegji në këtë muaj dëgjoi vetëm një ekspert, i cili e njoftoi kolegjin për raportin e
Stojan Stojev, lidhur me të gjeturat në Klinikën Medicus. Seancat vazhdojnë në qershor.

4. Drejtorët shpallen të pafajshëm

Naim Huruglicën dhe Lulëzim Rafunën, shtatori i vitit 2011 i kishte sjellë në Gjykatën e
Qarkut në Prishtinë, para gjykatësit të EULEX-it për konfirmim. Prokuroria Speciale e
Kosovës, përkatësisht prokurori special nga EULEX-i, Joachim Stollberg, më 8 qershor
2011 kishte ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve. Prokuroria i akuzonte ata për
shpërdorim të detyrës zyrtare dhe të autorizimit, vepër e dënueshme nga një deri në tetë
vjet, si dhe për veprën penale të keqpërdorimit të autorizimit në ekonomi, e dënueshme
nga një deri në tetë vjet, të gjitha të kryera në bashkëkryerje.

Më 10 nëntor 2008 ishte miratuar ligji për rritjen e taksave në Kosovë. Në mesin e
taksave të rritura ishte edhe taksa e importit të duhanit, dhe tani për një kilogram duhan,
në vend të 17 eurove sa paguhej më parë, duhej të paguheshin 21 euro. Ligji hynte në
fuqi me 1 janar 2009.

Në këtë kohë kompanitë vendore “Gekos”, “Buqaj”, “Tabakos” dhe “Kosova Tobacco”
kishin paguar banderolat për importin e duhanit, por ato kishin importuar një sasi më të
madhe të duhanit, se në vitin paraprak.

Sektori i akcizës në Doganat e Kosovës, duke e parë mundësinë se mund të importohej
një sasi më e madhe e duhanit me taksën e ulët, vendosi që të mos importohet
duhan gjatë dhjetorit të 2008-ës. Meqë sektori i akcizave kishte marrë këtë vendim,
kompanitë ishin ankuar dhe sektori i rishikimit kishte marrë vendim, të cilin nuk e
la ta publikonte vetë drejtori Huruglica, me arsyen se duhet të konsultohet me ish-
ministrin e Financave, Ahmet Shala. Pasi që takohet me ish-ministrin Shala, drejtori
Huruglica e merr kompetencën nga sektori i rishikimit dhe atë e delegon tek drejtori i
Zyrës Ligjore, Lulëzim Rafuna, i cili me vendimin e tij e lejon importim e duhanit. Me
këto veprime dyshohej se të pandehurit i shkaktuan një dëm buxhetit më shumë
se 5000 euro, duke pasuruar kompanitë importuese. Ata në dhjetorin e 2008-së e
kishin lejuar importin e një sasie të madhe të duhanit me taksën më të ulët, duke e
tejkaluar limitin e vënë nga sektori i akcizës në Doganat e Kosovës, nga kompanitë
vendore “Gekos”, “Buqaj”, “Tabakos” dhe “Kosova Tobacco”.

Këto akuza nuk i pranuan të pandehurit as në seancën e konfirmimit, duke argumentuar
të kundërtën në të gjitha pikat. Mbrojtja kishte argumentin e saj se Huruglica e Rafuna
nuk e keqpërdorën pozitën zyrtare dhe autorizimin dhe nuk e keqpërdorën autorizimin
në ekonomi, ashtu që mbrojtja argumentoi se kompanitë e importit kishin blerë më parë
banderolat dhe kishin paguar më parë ato, kështu që importi është dashur të lejohet.

Lidhur me çështjen e marrjes dhe dhënies së kompetencave nga drejtori Huruglica,
mbrojtja e arsyetoi se ligji i lejon një gjë të tillë drejtorit dhe se nuk është një gjë jo e
zakonshme në dogana, kjo pasi që drejtori i Zyrës Ligjore ishte mbi të gjitha zyrat e
tjera.

Mbrojtja kërkoi që të dinte se cilat ishin provat e prokurorisë lidhur me atë se cili ishte
përfitimi material që kishin përfituar të pandehurit nga ky veprim. Prokuroria dështoi ta
sillte këtë provë në gjykatë.

Gjykatësi i konfirmimit, duke e parë se nuk ka prova të mjaftueshme për të kaluar
aktakuza në fazën e gjykimit, merr aktvendim dhe aktakuzën e refuzon në mungesë
provash.

Prokuroria u deklarua se do ta ankimonte një vendim të tillë dhe pas ankesës së
prokurorit special, aktakuza u konfirmua pjesërisht nga kolegji i gjykatësve në Gjykatën
e Qarkut në Prishtinë dhe atë vetëm për pikën një të aktakuzës që kishte të bënte me
shpërdorimin e detyrës zyrtare dhe autorizimit.

Me këtë vepër, Huruglica dhe Rafuna, u paraqitën para kolegjit të gjykatave të EULEX-
it dhe gjykatëses vendase. Kolegji përbëhej nga kryetari Viktor Hugo Pardal, Tonka
Berishaj dhe Tore Thommason, anëtarë.

Përkundër faktit se po zhvillohej një procedurë penale për të dy të pandehurit, Dogana
e Kosovës nuk e respektuan Ligjin për Shërbimin Civil, i cili ligj në nenin 69 parasheh
edhe pezullimin parandalues për nëpunësit civilë. Sipas këtij neni, nëpunësi civil
pezullohet me pagesë 50 për qind të rrogës së tij menjëherë, nëse kundër tij është
iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale, gjatë ushtrimit të funksioneve të
tij. Të dy të pandehurit vazhdonin të punonin në pozitat e tyre në Doganë.

Në seancën e parë të mbajtur në shqyrtim kryesor, të pandehurit u deklaruan të
pafajshëm, ndërsa mbrojtja e quajti gjykimin një gjykim politik.

Prokuroria në gjykatë propozoi me aktakuzë më shumë 10 dëshmitarë para gjykatës
që të dëshmonin atë që kishte ndodhur në fundvitin e 2008-ës. Po ashtu propozoi edhe
shumë prova materiale. Në mesin e dëshmitarëve, gjatë shqyrtimit, pati edhe ekspertë
që vlerësuan punën dhe humbjet që kishte pasur Dogana dhe buxheti i Kosovës. Po
ashtu si dëshmitarë u paraqitën edhe punëtorët nga Doganat e Kosovës, të cilët treguan
se cilat ishin kompetencat e tyre dhe çfarë kishin vepruar të pandehurit në atë kohë. Të
gjithë dëshmitarët nga Doganat treguan se banderolat ishin blerë paraprakisht nga
kompanitë vendore të lartcekura dhe se ato ishin blerë para se ligji të miratohej dhe të
hynte në fuqi.
Mbrojtja edhe gjatë seancave të shqyrtimit kryesor, argumentoi pafajësinë e të
pandehurve, duke shpjeguar në mënyrë të detajuar se si kishin vepruar të pandehurit dhe
se si të njëjtit nuk kishin pasur asnjë përfitim material nga vendimi që kishin marrë.

Kolegji i gjykatësve, pas pleqërimit të çështjes, me aktgjykim i shpalli të pafajshëm të
dy të pandehurit në mungesë të provave.

Gjykata vendimin e arsyetoi në atë se kolegji nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme që
vendimi për lejimin e importit të duhanit ishte vendim që ka shkuar në dëme të buxhetit
të vendit dhe me këtë vendim kanë përfituar të pandehurit.

Gjykata i dha palëve mundësinë e paraqitjes së ankesës. Ankesë paralajmëroi vetëm
prokurori i çështjes.

5. Pesë vjet burgim për ish-gjykatësin Puka, atë e pret
gjykimi tjetër

Në Gjykatën e Qarkut në Pejë, një kolegj gjyqësor i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-
it dhe vendas, kanë dënuar me pesë vjet burgim ish-gjyqtarin e Gjykatës Komunale
në Klinë, Kolë Puka për keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autorizimit. Me tre vjet
burgim është dënuar avokati Lon Palushaj dhe me gjashtë muaj doktori Bedri Bakalli,
që të dy për mashtrim. Ndërsa, anëtari i grupit, Isa Salihi është liruar nga akuza në
mungesë të provave.

Kolë Puka është dënuar me pesë vjet burgim dhe masën alternative, ndalim i ushtrimit
të detyrës zyrtare për tre vjet, për veprën penale shpërdorimi i detyrës zyrtare ose i
autorizimit.

Ndërsa është liruar nga dy pika të tjera të aktakuzës, krim i organizuar dhe nxjerrje e
kundërligjshme e vendimeve gjyqësore.

Lon Palushaj është dënuar me tre vjet burgim dhe masa alternative ndalim i ushtrimit të
detyrës zyrtare për tre vjet. Prokurori publik e ka rikualifikuar veprën penale nga krim i
organizuar në mashtrim.

Bedri Bakalli është dënuar me gjashtë muaj dënim, me kusht prej dy vitesh, dhe masën
alternative të ndalimit të ushtrimit të profesionit për tre vjet. Prokurori e ka rikualifikuar
veprën penale nga “krim i organizuar” në “mashtrim”.

I pandehuri i fundit, Isa Salihi, është liruar nga akuza në mungesë të provave.

Një aksident trafiku i ndodhur në rrugën Klinë – Istog, në fshatin Radilloc, në vitin
2006 ishte bërë shtytje për gjyqtarë, avokatë e mjekë që të nisin aferën për shpërdorim
në dëm të kompanisë së sigurimeve Fondi i Garancisë së Kosovës, duke e obliguar të
paguajë shuma disproporcionale me dëmin që ishte shkaktuar në aksident. E bënë këtë,
por në fund çdo gjë shkoi në dëm të tyre.

Fatmir Gashi kishte qenë pjesë e aksidentit, ku të përfshirë kishin qenë një makinë dhe
një traktor. Ishin shkaktuar vetëm dëme materiale. Në atë kohë, Fatmir Gashi kishte
deklaruar se i ishte kompensuar dëmi prej 3000 eurosh, ndërsa nuk e kishte ditur që
dikush po përfitonte mijëra euro në emër të tij. Ai nuk kishte ngritur asnjëherë padi ndaj
askujt.

Sipas përshkrimit në aktakuzë, duke filluar nga 12 shtatori 2007 e deri më 8 prill 2008,
Kolë Puka, gjyqtar i Gjykatës Komunale në Klinë, ka bashkëvepruar me Isa Salihin,
si përfaqësues i kompanisë së sigurimeve Fondi i Garancisë, duke keqpërdorur detyrat
zyrtare. Ndërsa Lon Palushaj si avokat dhe Bedri Bakalli si mjek-ekspert, Ortoped-
Traumatolog, si pjesëtar të grupit kriminal, kanë falsifikuar fletëlëshimin mjekësor, në
emër të të dëmtuarit Fatmir Gashi, kinse ai në një aksident trafiku ka pësuar lëndime të
rënda trupore, pa qenë e vërtetë.

Kolë Puka është caktuar si gjyqtar për zgjidhjen e kontestin civil në padinë për
kompensim dëmi, për të cilin rast avokat i kishte caktuar tani të pandehurin, Lon
Palushaj, pa dijeninë e të dëmtuarit Fatmir Gashi. Me këtë padi është kërkuar shuma
prej 50 000 eurosh. Me marrëveshje paraprake me Kolë Pukën, Isa Salihi si përfaqësues
i kompanisë, nuk e ka përfaqësuar denjësisht kompaninë në nivel dhe në mënyrë
profesionale, duke u bërë kështu pjesë e krimit.

Më pas, Puka ka caktuar si ekspert mjekësor të pandehurin, dr. Bedri Bakallin, të cilit ia
ka dërguar lëndën në banesën e tij në Prishtinë, për t’ia lehtësuar punën në keqpërdorim.
Detyra e tij kishte qenë vlerësimi i gjendjes shëndetësore të Fatmir Gashit.

Në mënyrë të njëjtë, të kundërligjshme, me bashkëpunim me Kolë Pukën, dr. Bedri
Bakalli ka dhënë mendim profesional, në kundërshtim me ligjin, duke u bazuar në një
fletëlëshim mjekësor të falsifikuar. Mendimi profesional i dr. Bedri Bakallit ishte bërë
prova kryesore mbi të cilën gjyqtari do të mbështeste vendimin e tij gjyqësor. Këta të dy
paraprakisht ishin marrë vesh për të gjitha.

Gjykimi kishte filluar në Gjykatën Komunale në Klinë, por i dëmtuari Fatmir Gashi nuk
kishte dijeni se po zhvillohej seancë gjyqësore, e as kë e kishte përfaqësues të autorizuar
– avokat.

Palët në gjykim ishin marrë vesh për shumën e kompensimit. Gjyqtari Puka i kishte
udhëzuar palët që të arrijnë pajtim gjyqësor. Palë ishin, avokati Lon Palushaj në njërën
anë dhe Isa Salihi, si përfaqësues i Fondit të garancisë së Kosovës, në anën tjetër.

Vendimi përfundimtar ishte ujdia gjyqësore në mes palëve, por pa dijeninë e të
dëmtuarit. Me vendim e kishte obliguar Fondin e Garancisë së Kosovës, që Fatmir
Gashit t’i kompensohej dëmi prej 16 000 eurosh dhe 800 euro, të tjera për shpenzimet
procedurale.
Me këtë vendim e dëmtuar kishte dalë kompania e sigurimeve, Fondi i Garancisë së
Kosovës, obliguese në pagimin e parave.

Ndërkohë, ndaj Kolë Pukës dhe Lon Palushajt dhe Zef Mërlekut ka filluar gjykimi
Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për vepra të ndryshme penale.
Sipas aktakuzës nga Prokuroria Speciale, Kolë Puka, ish-gjykatës në Gjykatën
Komunale në Klinë, akuzohet se në kohën sa ishte gjykatës ka qenë i implikuar në
krim të organizuar nga neni 274 paragrafët 1 dhe 3, e dënueshme me gjobë prej 500
000 euro dhe burgim deri në 20 vjet, për veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare
apo autorizimit nga neni 339 paragrafi 1 dhe 3 e dënueshme deri në 8 vjet burgim,
nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore nga neni 346 e dënueshme prej 6
muajve deri në 5 vjet burgim, mashtrim nga neni 261 paragrafi 1 lidhur me paragrafin
2 e dënueshme me gjobë prej 15.000 euro ose me burg prej 6 muajsh deri në 5 vite,
falsifikim të dokumenteve dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve nga
neni 332 nga paragrafëve 1 dhe 3 e dënueshme me gjobë ose me burg deri në 3 vjet;
shmangie nga tatimi nga neni 249 e dënueshme deri në 5 vjet burgim dhe pastrim i
parave sipas rregullores së UNMIK-ut 2004/02.

Zef Marleku, avokat nga Klina, akuzohet se ka kryer veprat penale të krim i organizuar
nga neni 274, paragrafët 1 dhe 3, e dënueshme me gjobë prej 500 000 euro dhe burgim
deri në 20 vjet, për veprën penale Shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit, nga
neni 339, paragrafi 1 dhe 3 e dënueshme, deri në 8 vjet burgim, mashtrim nga neni 261
paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, e dënueshme me gjobë prej 15 000 euro, ose me
burg prej 6 muajsh deri në 5 vite, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore
nga neni 346 e dënueshme prej 6 muajsh deri në 5 vjet burgim, shmangie nga tatimi nga
neni 249 e dënueshme deri në 5 vjet burgim.

Lon Palushaj, avokat nga Klina, akuzohet se është i implikuar në veprat
penale “Nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore”, nga neni 346 e dënueshme
prej 6 muajve deri në 5 vjet burgim; “Mashtrim” nga neni 261, paragrafi 1, lidhur me
paragrafin 2 e dënueshme me gjobë prej 15.000 euro, ose me burg prej 6 muajsh deri
në 5 vjet; “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 e dënueshme deri në 5 vjet burgim, si
dhe “Pastrim i parave”, sipas rregullores së UNMIK-ut 2004/02.

Gjykimi në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, do të vazhdojë gjatë qershorit, me marrjen
në pyetje të dëshmitarëve – të dëmtuarve.

6. Shkeljet procedurale dhe të tjerat nga gjykatat

6.1. Gjykata e Qarkut në Prishtinë

Në çështjen penale P.nr:101/12, ku si kryetare e trupit gjykues ishte gjykatësja Tonka
Berishaj, seanca filloi me 40 minuta vonesë, kjo jo për fajin e gjykatëses a trupit
gjykues, por për fajin e prokurorit të çështjes, Idain Smajli.

Prokurori u paraqit në gjykatë, vetëm pasi që gjykatësja Berishaj e kishte lajmëruar
kryeprokurorin e Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, Aleksandër Lumezi, për mungesën
e prokurorit.

Gjykatësja konstatoi se ftesa i ishte dërguar prokurorit me datën 09. 03. 2012, më
shumë se dy muaj para seancës.

Edhe pse prokurori Smajli erdhi në seancë, ai ishte i papërgatitur, meqë nuk e kishte
me vete as lëndën, e as aktakuzën. E për këtë të fundit, në ndihmë i doli prindi i
kryeprokurorit të Qarkut të Prishtinës, avokati Nikë Lumezi.

6.2 Gjykata e Qarkut në Prishtinë

Në çështjen penale P.nr: 209/12, në të cilën si kryetare e trupit gjykues ishte gjykatësja
Hava Haliti, seanca filloi me 10 minuta vonesë, kjo për shkak të problemeve me gjetjen
e një salle të gjykimit.

Dy nga tre të pandehurit në këtë çështje, kishin pranuar fajësinë për veprat me të cilat
akuzoheshin. Për njërin nga të pandehurit vazhdoi procedura e provave, e kur ajo
përfundoi, gjykata ftoi të pandehurin që të jepte deklaratën e tij (mbrojtjen), por nuk i
lexoi të drejtat që i ka si i pandehur, duke shkelur nenin 371 paragrafi 2 i KPPK-së.2

Po ashtu, trupi gjykues, derisa dëgjonte mbrojtjen e të pandehurit, nuk largoi nga salla
dy të pandehurit e tjerë, me çka u shkel neni 371, paragrafi 3, i KPPK-së.3 Kjo shkelje
nuk do të ndodhte sikur të mos merrej në pyetje njëri nga të pandehurit që kishin
pranuar fajësinë për veprimet e atij që nuk e kishte pranuar fajësinë.

6.3 Gjykata e Qarkut në Prizren

Gjatë muajit maj në këtë gjykatë u mbajt çështja penale me numër P.nr: 225/10, nën
udhëheqjen e gjykatëses Ajser Skenderi, për veprat penale “Vrasje e rëndë”, nga neni
147, paragrafi 1 pika 11 të KPK-së; veprën penale “Mbajtje në pronësi, në kontroll,
në posedim dhe në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, nga neni 328, paragrafi 2 të
KPK-së dhe veprën penale “Vrasje e rëndë në ndihmë”, nga neni 147, paragrafi 1, pika
11, të KPK-së.

Fillimisht, shqyrtimi në këtë çështje filloi me 30 minuta vonesë e kjo për shkak të
vonesës së Trupit Gjykues. Gjatë këtij shqyrtimi, gjykata dëgjoi disa dëshmitarë, por
asnjërit nga ta, kryetarja e trupit gjykues Skenderi, nuk ua lexoi të drejtat që i kanë si
dëshmitarë, me çka shkeli nenin 162 të KPPK-së.4

Ndërkohë, gjykatësja Ajser Skenderi, në një çështje tjetër penale me numër P.nr:57/
11, ku ishte kryetare e trupit gjykues, e filloi seancën me 1 orë e 10 minuta vonesë.
Ndërkohë prokurori, palët dhe publiku, që në këtë seancë ishte në një numër mjaftë të
madh, pritën në sallën e gjykimit. Arsyetimi i trupit gjykues ishte se anëtarja e trupit
gjykues e deleguar, gjykatësja Kimete Kecaj, ishte e zënë në një kolegj me gjykatës të
EULEX-it.

6.4 Gjykata e Qarkut në Prizren

Në çështjen penale të detyrimit, nga neni 267, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të
gjitha të lidhura me nenin 23, dhe veprën penale “Dëmtimi i pasurisë së luajtshme”,
nga neni 260 të KPK-së, me numrin P.nr:160/09, ku si kryetar i trupit gjykues ishte
gjykatësi Veton Durguti.

Në këtë seancë, mungonte mbrojtësi i njërit nga të akuzuarit, avokati Rexhep Hasani,
edhe pse ftesën e kishte marrë në mënyrë të rregullt, e mungesën nuk e kishte arsyetuar.
Prokurori propozoi që ndaj avokatit të merren masat e parapara ligjore për dënimin e tij.

Në seancë mungonte, po ashtu, i dëmtuari. Lidhur me të dëmtuarin, prokurori i Qarkut
Genc Nixha, propozoi që për seancën e radhës të sjellët me dhunë nga policia, si dhe
kjo seancë të shtyhet.

Mirëpo Trupi Gjykues pas një konsultimi 20-minutësh e vazhdoi seancën, e në këtë
kohë avokati Hasani e kishte njoftuar gjykatën se ishte i angazhuar në një çështje tjetër
penale. Trupi gjykues nuk ndërmori asnjë veprim për dënimin e avokatit që mungonte.

Në një çështje tjetër penale me numër P.nr:187/07, ku kryetar i trupit gjykues ishte, po
ashtu, gjykatësi Veton Durguti, seanca filloi me 15 minuta vonesë.

Gjatë shqyrtimit u pa se Prokuroria e Qarkut në Prizren, nuk i kishte kryer hetimet si
duhet, kjo pasi që ish-prokurori Hashim Qollaku, tani gjykatës në Gjykatën e Qarkut në
Prizren, nuk i kishte marrë deklaratë në cilësinë e të pandehurit, njërit nga të pandehurit.
Gjatë shqyrtimit u pa se në dosjen e lëndës ishte vetëm deklarata e të pandehurit, e
dhënë në cilësinë e të dëmtuarit. Si rezultat i kësaj, prokurori Mehdi Sefa, u desh që
përherë të parë ta marrë në pyetje në cilësi të të pandehurit, në kohën sa ai po e jepte
mbrojtjen e tij, punë të cilën është dashur ta kryente më parë ish-prokurori Qollaku,
derisa po i zhvillonte hetimet.

6.5 Gjykata Komunale në Suharekë

Në dy çështjet penale me numrat P.nr: 578/11 dhe P.nr: 501/10, të mbajtura te gjykatësi
Robert Tunaj. E para për veprat penale të kanosjes dhe të dëmtimit të pasurisë së
paluajtshme, ndërsa rasti i dytë veprat penale të shpërdorimit dhe pranimit të mallrave
të vjedhura.

Gjykatësi Tunaj, të pandehurve në këto çështje, pasi që ua mori të dhënat nuk ua lexoi
të drejtat që i kanë sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, më saktë nenin 356,
paragrafin 1 dhe 2, të KPPK-së.5

6.6 Gjykata Komunale në Ferizaj

Në çështjen penale me numër P.nr:252/09, e udhëhequr nga gjykatësi Agim Maliqi,
për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, nga neni 297, paragrafi 5, lidhur
me paragrafin 1 të KPK-së. Gjykatësit i u desh të shtyjë seancën për shkak të
mospërgatitjes së ekspertit të caktuar më parë nga gjykatësi. Eksperti nuk i kishte kryer
punët sipas kërkesës që i kishte bërë gjykata. Ai para gjykatës kishte prezantuar të
dhëna të mangëta lidhur me aksidentin e ndodhur në komunikacion; nuk kishte dalë as
në vendin e ngjarjes. Prokurorit komunal, Rasim Maloku, nuk i mbeti gjë tjetër vetëm të
propozojë që të bëhet ekspertizë e re, ku do të caktohen tre ekspertë.

6.7 Gjykata Komunale në Malishevë

Në çështjen penale me numër P.nr:164/09, ku gjykatës ishte Haki Kryeziu, për veprën
penale “Shmangie nga tatimi”. Gjykata për këtë çështje penale kishte caktuar një
ekspert të lëmisë financiare. Eksperti nuk ishte paraqitur fare në gjykatë në ditën e
gjykimit, por ai kishte preferuar që për mungesën e tij ta lajmëronte gjykatësin Kryeziu,
përmes një mesazhi telefonik, duke i thënë se tani është punësuar në Komunë dhe nuk
mund të vijë si ekspert. Kjo seancë ishte seanca e katërt që po shtyhej, po për shkak
të ekspertit, e gjykatësi nuk mori ndonjë veprim ligjor për mungesën e ekspertit dhe
mosrespektin e tij karshi gjykatës.