Dështon zgjedhja e kryeshefit të Komisionit të Pavarur të Mediave
Ka dështuar zgjedhja e kryeshefit ekzekutiv të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) në mbledhjen e datës 19.03.2024.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti, gjatë mbledhjes së bordit.
Sipas tij, arsyet për dështimin e zgjedhjes kanë qenë për shkak se aplikimet janë vlerësuar si të pasuksesshme.
“Konkursi ka qenë i monitoruar nga britanikët. Me 15 dhe 16 shkurt, KPM bashkë me britanikët kanë bërë vlerësimin. Si përfundim kemi ardhur që 9 aplikacionet janë vlerësuar si të pasuksesshme dhe nuk është arritur që të gjejmë dy kandidatë që i plotësojnë kriteret” – ka thënë Mehmeti para anëtarëve.
Ai ka thënë se pas afateve, do të rishpallet përsëri konkursi.
Aktualisht ushtrues detyre i kryeshefit të KPM-së është Faruk Rexha.
Në po këtë mbledhje, KPM ka përfshirë si pikë të rendit të ditës, letrën e dërguar nga liga elitë e futbollit anglez, Premier Liga, në lidhje me të drejtat e transmetimit të kësaj lige në Kosovë.
Kjo çështje pritet që të diskutohet më 20.03.2024, në takimin e KPM-së që do të jetë vazhdimësi e takimit të sotëm.