Jeta në Kosovë interviston shefin e EULEX-it, Ksavier de Marnak

Këtë të enjte Jeta në Kosovë transmeton intervistë me shefin e EULEX-it, Ksavier de Marnak, intervistë me drejtorin e Galerisë së Arteve të Kosovës dhe reportazh për problemet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.

Jeta Xharra ka intervistuar shefin e EULEX-it, de Marnak në lidhje me efikasitetin e EULEX-it në veri dhe hetimet e nisura ndaj zyrtarëve të lartë të Kosovës.

A është EULEX-i mision paqeruajtës, politik apo mision i sundimit të ligjit? Pse EULEX-i nuk po mund t’i përfundojë hetimet për korrupsion të nisura ndaj “peshqve të mëdhenj” si Fatmir Limaj e Hashim Rexhepi? Pse EULEX-i po dështon në sundimin e ligjit në veri? Pse EULEX-i ka 550 policë të trajnuar në kontrollimin e turmave dhe trazirave e vetëm 60 gjyqtarë e prokurorë? Cilat janë arsyet e shkuarjes së kryetares së prokurorisë speciale dhe kryeprokurorit të EULEX-it? A ka ndikuar konflikti mes këtyre dy personave në stagnimin e hetimeve kundër korrupsionit në Kosovë?

Pas kësaj, gazetari Muhamet Hajrullahu interviston drejtorin e Galerisë së Arteve të Kosovës, Fahredin Spahija, i cili flet për problemet në këtë institucion dhe për kërkesën e punëtorëve të galerisë për shkarkimin e tij.

Në fund, gazetarja Edona Musa tregon për arsyet e shkarkimit të tetë shefave në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.