Studimi: COVID-19 lë efekte të qëndrueshme në një nga sistemet më të rëndësishme në trupin e njeriut

Edhe pse pandemia COVID ka përfunduar, virusi është ende i pranishëm tek njerëzit, por në një formë më të dobët. Por pak më shumë se katër vjet pas zbulimit të tij, shkencëtarët ende nuk janë plotësisht të sigurt se cilat janë saktësisht pasojat për trupin.

Një analizë nga epidemiologu klinik Ziyad Al-Aly, botuar në The Conversional dhe Scientific American, përfshinte studime të shumta që përshkruanin “shenjën e pashlyeshme” që lë COVID në trupin e njeriut. Kryesisht për shëndetin e trurit.

Al-Aly thekson se analizat epidemiologjike në shkallë të gjerë kanë treguar se njerëzit që kanë pasur COVID ishin të ekspozuar ndaj një rreziku në rritje të deficiteve njohëse, duke përfshirë problemet e kujtesës. Në pacientët që kishin një formë të lehtë deri të moderuar të koronavirusit, u zbuluan inflamacion afatgjatë të trurit dhe ndryshime që tregojnë se truri i tyre ishte plakur shtatë vjet në krahasim me kohën para se të zbulohej sëmundja.

Ai ka cituar gjithashtu disa studime që treguan se pacientët pas shërimit nga COVID e kishin reduktuar vëllimin e trurit dhe strukturën e trurit të ndryshuar. Nga ana tjetër, ata që kishin nevojë për kujdes intensiv pas sëmundjes kishin dëmtim të trurit që tregon plakjen e trurit deri në 20 vjet.

Duke analizuar të dhënat nga 11 studime, Al-Aly zbuloi se COVID rrit rrezikun e zhvillimit të demencës së re tek njerëzit mbi 60 vjeç. Të dhënat e mbledhura gjatë autopsisë së njerëzve që vdiqën nga COVID, si dhe disa muaj pas infektimit, tregojnë se virusi ishte ende i pranishëm në indin e trurit. Kjo sugjeron që virusi SARS-CoV-2, i cili shkakton COVID-19, nuk është vetëm një virus i frymëmarrjes, por gjithashtu sulmon sisteme të tjera në trup.

Studimet tregojnë gjithashtu se virusi mund ta prishë barrierën gjak-tru, e cila e mbron sistemin nervor. Një studim i publikuar më 29.02.2024 zbuloi se njerëzit që kishin COVID-19 kishin mangësi të konsiderueshme në memorie dhe në performancën e detyrave. Zbulimi se njerëzit e infektuar me COVID-19 kishin një rënie njohëse ekuivalente me një humbje të IQ-së me tri pikë është shqetësues. Situata është edhe më e keqe për ata që kanë COVID afatgjatë. Për ta u regjistrua një rënie prej gjashtë pikësh dhe ata që përfunduan duke marrë trajtim spitalor në njësinë e kujdesit intensiv humbën deri në nëntë pikë IQ.

Të marra së bashku, këto studime tregojnë se COVID-19 përbën një rrezik serioz për shëndetin e trurit, edhe në raste të lehta. Efektet po zbulohen vetëm tani në nivel popullsie. Një numër në rritje i studimeve tregojnë se COVID-19 duhet të konsiderohet një virus me një ndikim të rëndësishëm në tru, përfundon Al-Aly në esenë e tij dhe shton: Implikimet janë të gjera – nga problemet njohëse tek individët tek ndikimi i mundshëm në të gjithë popullsinë dhe ekonominë./Scientific American

Përgatiti: Nuhi Shala