Kryetari i Prishtinës Përparim Rama në takim me Bekim Jasharin | Foto: Përparim Rama

Shtatorja e Adem Jasharit së shpejti në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës ka takuar Bekim Jasharin, anëtarin e familjes Jashari nga Prekazi më 26.04.2024, me të cilin kanë diskutuar për zgjedhjen e lokacionit për vendosjen e shtatores së heroit kombëtar, Adem Jashari.

Përparim Rama ka thënë mes tjerash se për kryeqytetin është privilegj por dhe përgjegjësi që ta kenë shtatoren e Adem Jasharit.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kishte njoftuar se me datë 14.03.2024 kanë hapur konkursin për krijimin e Sheshit Monumental të Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Sipas Ramës, ky shesh do të shërbejë jo vetëm si një simbol i sakrificës së tyre të madhe, por edhe si një vend ku brezat e sotëm dhe të ardhshëm mund të mësojnë një prej kapitujve më të rëndësishëm në historinë e kombit.

“Kemi hapur konkursin për krijimin e Sheshit Monumental të Komandantit Legjendar, Adem Jashari, që do ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së heroit të kombit dhe Familjes Jashari, si një prej themeleve më të rëndësishme të lirisë së vendit” – ka shkruar kryetari Rama më 14.03.2024.

Ndërtimi i shtatores së Adem Jashari ka vite që është diskutuar dhe premtuar nga kryeqytetasit. Pa përmendore të tij, që nga viti 2018, te momumenti i periudhës komuniste” Vëllazërim-Bashkimi”, është emëruar Sheshi “Adem Jashari”. Askohe, kryetar i Prishtinës ka qenë Shpend Ahmeti.