Presidentja Osmani në OKB: Mbështesim me gjithë zemër rezolutën rreth gjenocidit në Srebrenicë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së deklaroi se Kosova mbështet rezolutën për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Sipas Osmanit, mbrojtja e së vërtetës dhe refuzimi i mohimit të gjenocidit janë e vetmja rrugë drejt paqes dhe pajtimit afatgjatë.

“Përderisa botës iu deshën fatkeqësisht 29 vjet për të rënë dakord për një ditë përkujtimore të gjenocidit të Srebrenicës dhe shumë nga nënat e Srebrenicës nuk janë gjallë për t’ju parë derisa ju votoni më 2 maj, është shpresa e grave që qëndrojnë me mua sot dhe shpresa të popullit të Kosovës që kaloi tmerret e regjimit të Millosheviqit, që do ta përjetojmë ditën kur të gjithë do të pranoni të luftoni për drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë”- u shpreh Osmani.

Osmani tutje ka thënë se historia e Kosovës nuk ka mbaruar dhe se Kosova ka shumë nga potenciali i vet që nuk është përmbushur ende.

“E ardhmja jonë është e ndritshme dhe kam besim se një ditë do t’ju bashkohemi në këtë tryezë, pjesë e familjes së kombeve që sot përbëjnë Kombet e Bashkuara”-ka deklaruar ajo.

Ndërsa, ka thënë se 25 vite më parë, kombet në mbarë botën zgjodhën anën e duhur të historisë.

“Populli i Kosovës do të mbetet përgjithmonë mirënjohës që zgjodhët njerëzimin në vend të represionit. Ju zgjodhët anën e duhur të historisë, sepse donit të siguroheshit që të mos bëhet shumë vonë. Në të njëjtën mënyrë si u bë shumë vonë në Srebrenicë. Mbi 8000 burra dhe djem, të vrarë pa mëshirë me qëllimin e vetëm për t’i shfarosur. Gjenocid në zemër të Evropës”- tha ajo.

Presidentja, Vjosa Osmani, po e përfaqëson Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB)

Në Kombet e Bashkuara është diskutuar një rezolutë për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet ta votojë në fillim të majit këtë draft-rezolutë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila sipas tij, do t’i fajësonte serbët.

Organizatat e të drejtave të njeriut nga Serbia i kanë bërë thirrje Qeverisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq që të mbështesë shpalljen e 11 korrikut si “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës”.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli gjenocid krimin në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.