Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com

Deputeti i Kosovës, Enis Kervan, në Asamblenë e Këshillit të Europës: I kemi kryer të gjitha detyrat

Përfaqësuesi i Kosovës në mbledhjen e Asamblesë së Këshillit të Europës, deputeti Enis Kervan kërkoi votat nga Asambleja e Përgjithshme që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Europës (KE).

Kervan, i cili foli i pari nga delegacioni i Kosovës, u shpreh para delegatëve se Kosova ka kryer të gjitha detyrat e kërkuara për t’u anëtarësuar në këtë organizatë ndërkombëtare.

“Ne kemi bërë të gjitha detyrat e kërkuara. Si vend multietnik kemi respektuar të gjitha pakicat dhe kemi punuar vazhdimisht”- tha Kervan, raporton gazetarja e KALLXO.com nga Strasburgu.

Pas tij, nga delegacioni do të flasin edhe deputeti Arben Gashi dhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Përveç tyre seancën plenare kanë ardhur ta përcjellin edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, së bashku me ambasadorin në Francë, Mehdi Halimi.

Raporti i Dora Bakoyannis rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës pa asnjë parakusht shtesë.

Nëse 2/3 e delegatëve të vendeve anëtare do ta votojnë përfundimisht Opinionin e miratuar nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci më 27.03.2024, kjo do i hapë rrugë votimit të fundit nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.